Profesori dhe studiuesi i shquar Aleks Luarasi është ndarë nga jeta. Lajmi bëhet i ditur në një postim në Facebook nga Akademia e Shkencave. Prof. dr. Aleks Luarasi u lind në fshatin Luaras të Kolonjës më 22 mars 1941. Arsimin parauniversitar e kreu në Korçë, studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të UT (1963).
Nga viti 1972 – 2002 ka punuar për 30 vjet në Fakultetin e Drejtësisë të UT si pedagog i lëndëve Filozofia e së drejtës dhe Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe ka qenë përgjegjës departamenti dhe Zv/Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Ai është autor i monografive “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut” (1998); “Studime për të drejtën zakonore shqiptare – Marrëdhëniet familjare” (2001); autor i teksteve universitare “Akte juridike për historinë e shtetit dhe të së drejtës në Shqipëri (2014), “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri” (2018), si dhe i një vargu artikujsh dhe referatesh.
Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i K.M. (1991) dhe anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës (1992 – 1998). Ai është themelues i Shtëpisë Botuese “Luarasi University Press” (1998) dhe i Universistetit “Luarasi” (2003).
Në vitin 2018 u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, me motivacionin “Pionier i Arsimit”, për kontributin e tij në formimin dhe konsolidimin e sistemit modern universitar në vendin tonë.