Kryeministri Edi Rama ka prezantuar buxhetin për rininë.
Ai ka thënë se plani i qeverisë është që të hapen qendra teknologjike ku të rinjtë të mësojnë njohuri bazë, e që i jep mundësi të zgjerohen në tregun global.
Kryeministri theksoi se bibliotekat shkollore do të pasurohen dhe laboratorët do vendosen në shkolla. Rama tregoi se fizkultura do të ketë një rol të veçantë në shkolla, ku do të shtohen hapësirat stërvitore dhe do të lëshohen certifikata të ndryshme.
“Laboratorët që ne kemi në inventarët e ndërtesave nuk arrijnë dot të plotësojnë nevojën e tyre për të ofruar mjete dhe instrumente cilësore në mënyrë që mësimi i teorisë mund të kalojë në praktikë duke pasur në dorë të gjitha instrumentet e nevojshme. Laboratorët janë të varfër, puna në to bëhet me fjalë dhe jo me instrumente në dispozicion dhe instrumente në potencialin e mundshëm të tyre. Ashtu sikundër për laboratorët e informatikës janë larg së qeni të plotësojnë nevojën e domosdoshme të mësimit të informatikës me qenë një mësim aktiv dhe gjithëpërfshirës. Kështu që ne do të bëjmë një ndryshim rrënjësor të laboratorëve, do të fillojmë që në fillim të vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër për ne është e qartë që nëse duam të kemi në Shqipëri një treg që duam të ofrojë punë shumë mirë paguar për më të rinjtë dhe një fuqi të re në funksion të zhvillimit ekonomik, duhet të investojmë në njohuritë kompjuterike më të rinjve. Është fjala për një gjuhë të re që nuk është anglisht, frëngjisht, por është një gjuhë që do të bashkojë nesër gjithë botën ndërsa sot bashkon një numër të konsiderueshëm njerëzish që punojnë në një treg që s’ka kufij.
Kjo është e ardhmja. Por për ta bërë këtë të ardhme të tashme dhe për ta shtrirë kapacitetin e të rinjve në shumë më tepër se sa grupin e atyre që këtë punë e bëjnë thjeshtë me ambicien, talentin dhe vullnetin e tyre, na duhet të bëhemi aleatët tuaj në një rrugë ku hapë pas hapi të keni hapësirë dhe mundësi të përvetësoni këtë gjuhë. Nga një anë sistemi i mësimit të teknologjisë do të ngrihet në një nivel të ri, këtë do e bëjmë duke ndryshuar kurrikulën e mësimit të informatikës dhe nga ana tjetër për t’i thënë atyre që janë më të prirur se pjesa tjetër kohë, hapësirë dhe mundësi që të zhvillojnë dijet e tyre dhe pas shkolle, duke pasur qendra, apo mundësi speciale ku të marrin mësime intensive.
Kjo është eksperienca me qendrën e hapur te stadiumi që do të zgjerohet me piramidën dhe ndërkohë ne kemi nisur punën për të pasur edhe dy qendra të tjera, ku të shtrihet eksperienca e këtyre qendrave. Një në Vlorë e një në dy ndër qytetet që do të jenë më shpejt gati, Durrësi apo Shkodra. Ambicia është që brenda këtit mandati të kemi qendra të tilla në çdo bashki. Pjesa tjetër janë kurset intensive të kodimit ku duam të angazhojmë aktorë të certifikuar që të jenë në dispozicion. Nuk duhet të harrojmë atë që është e pamundur të merret nga kompjuterët, teknologjia, që ka të bëjë me një sërë anësh tjera të qenies njerëzore, që ka të bëjë me kulturën, artin, dijen që ka të bëjë me shqisat, fizikun, duart, sytë. Ato punë që kompjuterët nuk mund t’i bëjnë kurrë. Kemi vendosur fond të veçantë për pasurimin e bibliotekave të shkollave. Niveli i jetesës dhe varfëria nuk është arsye për të qenë pis. Kam parë vende të pasura që kanë pasur probleme me pisllëkun, edhe Parisi ka pasur.
Por vende të pista që të pasurohen nuk kam parë në histori. Kështu që këtu është një sfidë e madhe e përbashkët, por ju në shkollë në hapësirën e shkollës dhe mësimit mund të jepni një kontribut. Ju e dini që kur ne e filluam punën kishin hequr fare fizkulturën. Tani ka ardhur koha ta çojmë në nivel tjetër shkollën dhe sportin, duke i dhënë mundësi atyre që të kenë mundësi të bëjnë sport më shumë. Këtu ka shumë prindër, që paguajnë shumë, janë me dhjetëra mijëra për të çuar fëmijët e tyre në klube sportive të shumëllojshme. Është e domosdoshme ti japim mundësi shkollave të kenë skuadrat e tyre. Ti japim nxënësve që merren me sport, edhe pikë siç janë në vendet e tjera në funksion të ecurisë së tyre të mëtejshme. Sot kemi mundësi ta bëjmë këtë sepse kemi shumë palestra”, tha Rama.