MENU
klinika

Situata me pandeminë në vend

Nga sot nis aplikimi i dozës së tretë të vaksinës

01.11.2021 - 11:05

Nga sot nis aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anti-COVID. Vaksina përforcuese do të aplikohet për qytetarët të cilët janë mbi 60 vjeç dhe tek ata persona që kanë mbi 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

Gjithashtu, Komiteti i Ekspertëve ka marrë vendim edhe për uljen e moshës së vaksinimit, referuar eksperiencave ndërkombëtare, deri në 16 vjeç dhe 12 vjeç për fëmijët me probleme shëndetësore. Por ekspertët kanë saktësuar se prioritet vijon të mbetet vaksinimi i popullatës me dy dozat e para të vaksinës.

Lidhur me hapat që duhet të ndiqen, për personat që janë mbi 60 vjeç, për dozën përforcuese mund të paraqiten në pikat e vaksinimit me pasaportë vaksinimi, ndërsa për personat nën këtë moshë, që vuajnë nga sëmundje kronike apo malinje duhet që fillimisht të kontaktojnë me mjekun e familjes.

“Nëse plotëson kriteret mbi 60 vjeç, nuk ka nevojë për rekomandim; nëse je nën 60 vjeç, atëherë duhet nga mjeku në qoftë se hyn në listën e sëmundjeve, sëmundjet hematologjike, sëmundjen e imunosuprimuar apo kushtet shëndetësore që i vë në rrezik”, është bërë më herët e ditur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.