MENU
klinika

Harta e re e gjyqësore/ Kur do të bëhet mbledhja e parë

Ngrihen dy grupe pune në Ministrinë e Drejtësisë dhe në KLGJ

05.11.2021 - 21:00

2 grupe pune janë ngritur për krijimin e hartës së re gjyqësore, një në ministrinë e Drejtësisë dhe një në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

Ky hap është konkluduar pas takimit të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja me kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami dhe me përfaqësuesin e Ambasadës Amerikane në Tiranë Benjamin Rockwell, ku diskutuan lidhur me problematikat e fundit të hartës gjyqësore.

Për të arritur në finalizimin e draft-propozimit të përbashkët të Hartës Gjyqësore e më pas për t’ia nënshtruar konsultimit publik me KLP, PP, MIE dhe grupet e tjera të interesit, përpara miratimit në Këshillin e Ministrave, u vendos të ngrihen dy grupe pune; një në Ministrinë e Drejtësisë dhe një në KLGJ. Këto grupe do të takohen javën e ardhshme për të përmbyllur në nivel teknik temat e hapura për diskutim.

Në daljen e tij të parë për mediat, ministri i ri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se harta e re do të ishte gati javën e dytë të tetorit por ky afat kaloi. Harta e re gjyqësore është kërkuar me ngul edhe nga kryeprokurori Olsian Çela i cili ka thënë në një dalje për mediat se harta e re gjyqësore është urgjente pasi duhet të amortizojë vakancat në sistemin e drejtësisë të cilat do të shtohen akoma më shumë në vazhdim. Ai u shpreh se një masë tjetër që duhet të merret për këtë problem, është edhe aspekti i funksionimit të shkollës së Magjistraturës që viti i tretë të kthehet në stazh profesional.