MENU
klinika

Pas pandemisë...

Një panair ndryshe!

20.11.2021 - 12:03

Panairi më i madh i librit, ai që organizohet në Tiranë, meriton një trajtim tjetër, për të mos thënë, se duhet të reformohet, thjeshtë me të vetmin qëllim: të kenë mundësi të prezantohen botuesit serioz nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Viteve të fundit hetohet mungesa e disa botuesve shqiptarë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, krejt kjo për shkak, siç thonë ata, çmimit të lartë të stendave, por edhe të trajtimit jo të mirë nga ana e organizatorit (vendosja në katin sipër). Ndërkaq këtë e dëshmon dhe e përforcon fakti se nuk organizohet asnjë aktivitet për botuesit jashtë Shqipërisë, ndërkaq SHBSH zhvillon një aktivitet të ngjeshur, me ç’rast promovohen e prezantohet botimet e botuesve shqiptarë. Ky dallim dikë duhet ta brengosë.

Është një fakt i pamohueshëm se në aspektin material, botuesit nga Kosova e Maqedonia nuk kalojnë mirë, sepse pjesëmarrja e tyre përmbyllet me kosto të lartë (me humbje). Nuk kalojnë mirë, sepse letërsia shqiptare nga Kosova e Maqedonia (përfshi edhe atë të krijuesve nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, por edhe nga Diaspora), fatkeqësisht në Shqipëri akoma mbetet periferike për të mos thënë e papërfillshme, ndaj dhe stendat e tyre nuk janë atraktive, përkatësisht tërheqëse.

Është e kuptueshme logjika tregtare e botuesve, por është e pakuptueshme që për hir të kësaj logjike të sakrifikohet letërsia shqiptare. Reklamimi këmbëngulës i autorëve të huaj përmes formave të ndryshme, thjeshtë i errëson autorët shqiptarë, ndaj kjo praktikë, që vit për viti bëhet edhe më i vrazhdë, thjeshtë një ditë do ta eliminojë interesimin për letërsinë shqiptarë, siç nuk ka më interesim, as simbolikisht, për letërsinë shqiptare që krijohet jashtë Shqipërisë.

Pikërisht për shkak të këtyre çështjeve është e nevojshme një qasje e re rreth organizimit të ardhshëm të Panairit të Librit. Natyrisht, në këtë drejtim duhet kontribuar edhe ministritë e kulturës, të cilat duhet të ofrojnë ndihmë që sado kudo të ndjehet një barazi midis botuesve shqiptarë dhe jo nga e gjithë kjo të përfitojnë vetëm disa botues, të cilët që moti e kanë jetësuar skemën e tyre të leverdisë.(HEJZA)