MENU
klinika

Media – Politikë – Biznes dhe Krim

Një projekt që përball gazetarin me ndërgjegjen, prezantohet premiera e filmit “Katrori i Pushtetit”

03.11.2021 - 17:25

“Katrori i Pushtetit” është seriali më i ri shqiptar, një produksion audiovizual për herë të parë kushtuar lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri.

Ditën e sotme është prezantuar premiera e këtij seriali me regjisor Robert Budinën. Gjatë promovimit të këtij produksioni, i cili ka në fokus median dhe funksionimin e saj në Shqipëri, Budina u shpreh se eksperienca e tij profesionale dhe njerëzore, në përballje me mekanizmin e katrorit të pushtetit, ishte burimi prej nga ai mori ngacmimin për të rrëfyer shqetësimin si krijues, mbi mënyrën se si katrori i pushtetit shfaqet në jetën tonë të përditshme.

“Përtej realitetit, ky projekt synon të ringjall besimin se media dhe gazetaria mbeten instrumenti i vetëm për të rrëfyer të vërtetën në favor të interesit publik pa kompromis.” – thekson regjisori Robert Budina.

Me një kast fantastik aktorësh nga më të spikaturit e vendit tonë si; Neritan Liçaj, Ema Andrea, Gentian Zenelaj, Sara Smaja, Myzafer Zifla, Romir Zalla, Orli Shuka dhe Dasara Xhangolli, është një prodhim i arrirë.

Elva, tek të pesëdhjetat, Gentiana, 35 vjeç dhe Nina 25 vjeç janë tre gazetare të një televizioni informativ, të cilat bëhen bashkë për të hedhur dritë mbi tri ngjarje kriminale që ndodhin në vend, në të njëjtën kohë. Në kërkim të fillit që i bën bashkë interesat e biznesit me ato të politikës dhe botës së krimit, të tre gazetaret do të ekspozohen, secila në formën e vet me pasoja të rrezikshme për shkak të profesionit. Jetët e tyre kalojnë nëpër sfida të forta, jo vetëm në karrierë por edhe në familje.

“Katrori i Pushtetit”, një film me 8 seri, ndez një dritë reflektimi mbi të ardhmen që duam të kemi, duke bërë bashkë fijet e interesave që mbajnë lidhur Median – Politikën – Biznesin dhe Krimin. Brenda këtij katrori pushtetesh, zhvillohet përballja e madhe, mes ndërgjegjes për përmbushjen e një misioni të vështirë të gazetarit, gjetja e të vërtetës dhe sfidave për mbijetesë që imponon realiteti i përditshëm. Ky produksion audiovizual është komponenti i parë i nismës  “Make it Visibile”, të financuar nga BE, e cila do të fokusohet në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rëndësinë e lirisë së medias.