Prej muajit maj, Sali Berisha dhe familja e tij e ngushtë është shpallur e padëshirueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me akuzën e korrupsionit madhor. Por, ish-Kryeministri në foltoren që ka nisur premton se do të shpallë non grata në Shqipëri George Soros.
Berisha tha se Soros qëndron pas kapjes së sistemit të drejtësisë përmes reformës dhe se është arkitekti i ndarjes së Kosovës.
“Soros është një monstër, një armik i egër i demokracisë dhe i Shqipërisë. Është arkitekt i reformës që prek shtyllën kurrizore të vendit, është mbështetës i projekteve të Millosheviçit për ndarjen e Kosovës. Tani i them atij se akti i parë i forcës konservatore që do vijë në pushtët është shpallja e tij non grata përgjithmonë”, deklaroi Berisha.
Ish-kreu i PD-së bëri këtë deklaratë gjatë një takimi me gratë e Lidhjes Demokratike të Gruas, ku në krah të tij ishte edhe drejtuesja e kësaj organizate dhe deputetja e PD-së, Albana Vokshi.
Kujtojmë se 12 vite më parë, Sali Berisha e shpalli Sorosin mikun më të madh të shqiptarëve dhe takimet e tyre nuk kanë munguar periodikisht.