MENU
klinika

Kuvendi i burrave?

O… të nderuar, zotërinj deputetë!!!

17.11.2021 - 16:36

          Fjala ”kuvend” e ka zanafillën nga mbledhja e burrave të një krahine, fshati a fisi, që shqyrtonin e zgjidhnin çështjet më të rëndësishme politike dhe shoqërore për zonën e tyre.

Sipas të drejtës kanunore, kishin natyrën e një organizimi vetëqeverisës.

Kuvendet shqyrtonin probleme të karakterit gjyqësor e administrativ me rëndësi të përgjithshme dhe i vendosnin sipas parimeve të Kanuneve lokale.

Kuvendet mblidheshin zakonisht në vende të paracaktuara: pjesëtarët e tyre rreshtoheshin në gjysmërreth, duke qenë krerët dhe pleqtë më vete dhe banorët e tjerë më vete.

Vendimin përgjithësisht e jepnin krerët dhe pleqtë, ndërsa vegjëlia dhe stërpleqtë kishin të drejtën të pranonin ose jo.

Të gjithë anëtarët e kuvendeve ishin të armatosur.

Gratë nuk merrnin pjesë

Ndërsa kuvendi bashkohor nuk i paragjykon gratë… sërish tonet janë të ashpra, të vrazhda deri në banalitet të vazhdueshëm.

Pikërisht gjuha e kundërvënies me dhe pa të drejtë, ka ngjallur reagimin e Imzot George Frendos, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Ai u ka bërë thirrje politikanëve, pas seancës së ditës së djeshme në parlament dhe me debate të shumta, por edhe fyerje. Imzot George Frendo u tërheq vëmendjen deputetëve, për gjuhën e përdorur teksa thekson se populli ynë, ka të drejtë të presë prej jush një mënyrë më të sjellshme dhe më dinjitoze, kur flisni në Kuvend dhe kur i drejtoheni njëri-tjetrit.

 

Mesazhi i plotë:

Të nderuar deputetë, përdorni një fjalor më të denjë! 
Mons. George Frendo O.P.

Sot (17 nëntor) kam lexuar relacionin mbi seancën e djeshme të Parlamentit, dhe mbeta shumë i zhgënjyer e i trishtuar duke lexuar fjalë aspak dinjitoze dhe krejt të papërshtatshme për një parlament, fjalë me të cilat disa deputetë kanë sharë kolegët e tyre.

Të nderuar deputetë, ju që përfaqësoni popullin tonë, ju që populli ju ka zgjedhur për t’i përfaqësuar në institucionin më të lartë të vendit, ju lutem që në atë institucion të përdorni një fjalor që i përshtatet dinjitetit tuaj si përfaqësuesit e popullit tonë.

Populli ynë ka të drejtë të presë prej jush një mënyrë më të sjellshme dhe më dinjitoze kur flisni në Kuvend dhe kur i drejtoheni njëri – tjetrit. Ndjej të njëjtën keqardhje me Kryetaren e Kuvendit kur gjendet në situata të tilla. Ajo vetë tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve: “Mos vijoni me fyerje në sallë”, “Ju lutem kursejini këto komente”.

Gjithë populli mund t’ju ndjekë në televizor. Populli ka të drejtë të dijë çfarë diskutohet dhe çfarë bëhet në institucionin më të lartë të vendit dhe të dijë çfarë thonë dhe çfarë bëjnë të nderuarit deputetë, që ata vetë i kanë votuar për t’i përfaqësuar në Kuvend. Por kjo kërkon shumë kujdes nga ana e deputetëve, sepse ka mundësi që njëri të kërkojë të bëjë “show” në Parlament, e të përdorë një fjalor që përul një deputet nga ana tjetër e Kuvendit, ose të vendosë të mirën e partisë para të mirës së përbashkët.

Dikush mund të më akuzojë që po ndërhyj në politikë. Nuk vras mendjen nëse më bëjnë akuza të tilla, por unë e ndiej për detyrë të flas për të mirën e popullit, për një shoqëri më të drejtë dhe më të denjë për popullin tonë, që për shumë kohë, në të kaluarën, ka qenë manipuluar nga politika. Populli ka të drejtë jo vetëm të informohet nga mjetet e komunikimit, por edhe të formohet që të rritet drejt një shoqërie më të denjë. Pra ju lutem, përdorni një fjalor më të denjë!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’


Trafikantit shqiptar që njihet si ‘Zot i Drogës’

Gjendet i vdekur krahu i djathtë i Elvis Demçes

“Festojmë me krenari bashkë me ju!“

Ambasada e SHBA dhe sekretari Blinken urojnë shqiptarët

“Kjo ngjarje ka gjithnjë të njëjtin emocion!“

Kurti uron 112-vjetorin e Pavarësisë

“Nga Sheshi i Flamurit, te Kalaja e Rozafës”

Rama uron shqiptarët për 112-Vjetorin e Pavarësisë