MENU
klinika

Jep dorëheqjen vetëm pak orë më pas

Për herë të parë në histori/ Suedia zgjedh kryeministre një grua

24.11.2021 - 18:42

Magdalena Andersson është zgjedhur kryeministre e Suedisë pasi mori miratimin nga parlamenti, duke u bërë kështu kryeministrja e parë femër në vend; duke zëvendësuar Stefan Lofven si lider të socialdemokratëve të qendrës së majtë.

Sipas BBC, Suedia është i vetmi vend nordik që nuk ka zgjedhur kurrë më pas një grua si udhëheqëse kombëtare.

Zhvillimi shënoi një moment historik për Suedinë, e parë për dekada si një nga vendet më progresive të Evropës, kur bëhet fjalë për aspektin gjinor, por që ende nuk kishte një grua në postin kryesor politik.

Mirëpo, edhe pse zuri faqet e para të mediave, disa orë më vonë Magdalena Andersson ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë.

Vendimi erdhi menjëherë pasi parlamenti nuk kaloi buxhetin për vitin e ardhshëm dhe sepse një nga partitë e koalicionit vendosi të dalë nga qeverisja. Më pas, parlamenti miratoi buxhetin e hartuar nga opozita e cila përfshin dhe të djathtë ekstreme.

“I thashë kryetarit të Kuvendit se dua të jap dorëheqjen”, u shpreh Andersson, e cila gjithashtu shtoi se dëshiron të jetë sërish kryeministre, por e një qeverie me një parti.

“Ka një praktikë kushtetuese që thotë se një qeveri koalicionin duhet të dorëhiqet kur një nga partitë tërhiqet. Nuk dua të drejtoj një qeveri, legjitimiteti i të cilës vihet në pikëpyetje”, shtoi ajo.

Kryetari i parlamentit më pas njoftoi se do të bisedojë me drejtuesit e partive për të vendosur për hapin e radhës që do të ndiqet, pas situatës së krijuar.