MENU
klinika

Plagosen rëndë tre persona

Përplaset ambulanca, vdes pacientja

28.11.2021 - 11:33

Një aksident ka ndodhur pranë zonës së Qafë- Kasharit ku autoambulanca e spitalit të Krujës është përplasur me një mjet. Policia njofton se nga përplasja e fortë ka humbur jetën në vend pacientja.

Ndërkohë që kanë mbetur të plagosur dhe janë në gjendje te rende në spital infermieri i ambulancës, shoqëruesja e pacientes si dhe pasagjeri i makinës tjetër.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës të mbrëmjes së sotme në aksin rrugor Rinas-Tiranë. Viktima është Anila Berdaku ndërsa shoqëruesja e saj e plagosur është Marsida Berdaku.

Infermieri Arjan Balloku është gjithashtu në gjendje të rëndë së bashku me 22-vjeçarin Yrmelind Gashi. Dy drejtuesit e mjeteve Ilir Shullazi, shofer i ambulancës dhe Antigon Abazi raportohet të kenë pësuar lëndime të lehta.

“Me datë 27.11.2021, rreth orës 23:50, në rrugën e “Rinasit”, janë përfshirë në aksident mjeti me drejtues shtetasin A. A., me mjetin e ambulancës të spitalit të Krujës. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje pacientja që ndodhej në ambulancë, shtetasja A. B., 42 vjeçe.

Gjithashtu janë dëmtuar dhe ndodhen në spital në gjendje të rëndë për jetën shtetasit A. B., 30 vjeç (infermieri i ambulancës), M. B., 32 vjeçe, të cilët ndodheshin në ambulancë, dhe shtetasi Y. G., 22 vjeç, pasagjer i mjetit tjetër. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, ka njoftuar policia.