Shkrimtar, eseist, dramaturg, profesor, gazetar dhe figurë e njohur politike, Mario Vargas Llosa është një legjendë e letërsisë.
Në romanin “Kohëra të ashpra”, trajton pushtetin dhe konspiracionin në një pikë kritike në historinë e Amerikës Latine. “Në Amerikën Latine, – shkruan romancieri peruan, Mario Vargas Llosa në 1984, – një shkrimtar nuk është thjesht një shkrimtar. Nisur nga natyra e problemeve tona, nga një traditë tejet e rrënjosur, për vetë faktin se kemi një platformë dhe një mënyrë për t’u dëgjuar, shkrimtari është, njëkohësisht, dikush nga i cili pritet një kontribut aktiv në zgjidhjen e problemeve”. Diku tjetër, ai shkruan se “letërsia nuk përshkruan vendet, ajo i shpik” dhe si një nga figurat kryesore të bumit të shkrimtarëve latinoamerikanë në skenën botërore gjatë viteve 1960, ai ndihmon në formimin e ndjesisë së identitetit që i kapërcen kufijtë kombëtarë./Konica.al
“Mes gjërave që mësova nga letërsia, – shprehet në një fjalim mbajtur në Madrid në 2012, – ishte të ndjerit latinoamerikan, të zbuloja se, në Peru, unë isha vetëm një pjesë e vogël e një komuniteti që kishte emërues të përbashkët shumë të mëdhenj, jo vetëm gjuhën, por edhe historinë dhe problemet socialo-politike”.
Dy janë problemet e koklavitura që hasen me shkrimtarët latinoamerikanë që nga fundi i kolonializmit evropian: – ndikimi shpesh keqdashës i Shteteve të Bashkuara dhe sistemi i sundimit nga njerëz të fortë autoritarë të njohur si caudillismo.
“Një shartim midis mbinjeriut dhe bufonit”, – shpjegon Vargas Llosa në një ese mbi diktatorin venezuelian Hugo Çavez: “caudillo i bën dhe i zhbën gjërat si t’i dojë qejfi, frymëzuar nga Zoti apo nga një ideologji, ku socializmi dhe fashizmi – dy forma të etatizmit dhe kolektivizmit, thuajse gjithmonë pleksen dhe komunikojnë drejtpërdrejt me popullin përmes demagogjisë, retorikës dhe shfaqjeve të shumta pasionante me natyrë magjiko-fetare”.
Linja e Vargas Llosës nëpër këtë lëmsh konspiracioni është jolinear. Ne i shohim ngjarjet, përfundimi i të cilave është një çështje historike, nga këndvështrime të ndryshme. Së pari, nga një vështrim historik mjaft telegrafik dhe më pas nga këndvështrimet e pjesëmarrësve të ndryshëm. Ndonjëherë nobelisti përdor atë që tashmë është shndërruar në teknikë nënshkrimi, duke ndërthurur biseda të zhvilluara në periudha të ndryshme, si rrjedhojë shohim për shembull Trujillon, që pret në zyrë Castillo Armas dhe ankohet për mosmirënjohjen e guatemalasit ndaj Abbes Garcia. Efekti është prizmatik; lexuesi ngecet në vorbullën e historisë, konfidencial pas sekreteve, por edhe i çekuilibruar, i goditur… […] Si shumë intelektualë të Amerikës Latine, Vargas Llosa e filloi karrierën si dashamirës ndaj qëllimeve dhe idealeve të së majtës revolucionare, madje në vitet 1990 ai ishte kandidati presidencial i Qendrës së Djathtë në zgjedhjet presidenciale peruane.
Nga historia e vrazhdë e Guatemalës, boll e mjegullt në imagjinatën e Amerikës së Veriut, aq sa “banana repubic” të krijon përshtypjen e një emri dyqani veshjesh, Vargas Llosa ka ndërtuar një thriller letrar bindës dhe frymëzues, i mirinformuar nga përvoja e intelektualit publik dhe e politikanit praktik.
Romancieri latinoamerikan dhe caudillo, do të jenë gjithmonë armiq të vdekshëm, secili në përpjekje për të sajuar ose për të ëndërruar një të ardhme që përjashton ose ndrydh tjetrin. Në “Kohë të ashpra”, Vargas Llosa ngere siparin e një bote të tmerrshme realpolitike dhe cinike, në njëfarë kuptimi, ka thënë fjalën e fundit, duke vërtetuar se, sado i fuqishëm të jetë një diktator, në fund të fundit trashëgimia e tij do të formësohet nga shkrimtarët.
85-vjeçari Mario Vargas Llosa ka fituar çmime të shumta letrare, mes tyre edhe “Nobeli” për letërsi.
Ka shkruar një mori dramash, romane, shumë gazetari dhe letërsi artistike. Në njërën apo tjetrën mënyrë, ai është mishërimi i asaj që duhet të jetë një romancier i madh: nuk ka frikë të shkruajë romane politike panoptike për fatin e kombeve dhe përplasjen e ideologjive politike; intelektualisht i aftë për të përfshirë një fushë të tillë; artistikisht mjaft i aftë për ta mbushur me rezonancë, gjarpërime dhe dramë, pa humbur assesi joshjen e tregimeve individuale, marrë nga të gjitha aspektet e karakterit njerëzor./Konica.al