MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Reformat, çelësi për fitore jo vetëm i Bashës, por edhe PD e opozitës

02.11.2021 - 19:20

Beteja që ka nisur Sali Berisha me “Foltoren”, ku realisht pjesëmarrësit nuk flasin por elozhojnë ish-kryetarin e PD-së, nuk ka një kauzë bazike.

Rikthimi i Berishës në grupin parlamentar të PD-së pas përjashtimit nga Basha është synim e objektiv, siç është i tillë edhe largimi i kreut të PD.

Një parti politike, nuk është një kazermë e militantëve të saj, kjo ndodhte në partitë e fillimit të shekullit të 20, të cilat lindën në Itali e Gjermani, ku militantët mbanin uniforma, armë zjarri e përdoreshin për aksione ushtarake.

Në demokraci, partia politike është një institucion thelbësor i shtetit, ku “gatuhen” ide e alternativa, si dhe afrohen njerëz të aftë për t’i përpunuar dhe vënë në jetë këto ide, që më pas kthehen në akte, kur forca politike angazhohet në jetën institucionale si këshillat lokale, drejtimi i njësive vendore, Parlamenti e qeveria.

Një parti politike është ajo që ofron një klimë bashkëjetese, duke ndërtuar institucione të pavarura të forta dhe të pakorruptuara që nga Presidenti i Republikës, e të gjitha institucionet e tjera që mbajnë balancat e Republikës në rastin tonë, e të monarkisë kushtetuese, kush e ka këtë regjim politik.

Një parti politike, edhe pse ka anëtarë e më shumë aktivistë e mbështetës, ata shërbejnë si pjesë për ta lidhur këtë parti me shoqërinë.

Nëse Partia Demokratike në rastin aktual, kthen në kauzë mirqëqenien e heqjen e frustrimit të militantëve që janë mërzitur e lodhur nga qëndrimi kaq i gjatë në opozitë, kjo në radhë të parë është një dëm që i bëhet PD-së si institucion thelbësor demokratik i vendit, por edhe shoqërisë shqiptare.

Pikërisht “kujdesja e tepërt” e partive shqiptare për militantët, ka rrënuar sistemin politik në vend, duke krijuar Partitokracinë si sistem dhe larguar partitë nga shoqëria.

Një parti punon me militantët, por nuk ju drejtohet atyre, por shoqërisë, madje edhe kundërshtarëve politikë e mbështetësve të tyre, për të propozuar e ndërtuar një kohezion politik të suksesshëm për vendin në radhë të parë.

Militantët, janë si gjithë qytetarët e tjerë, pjesë e shoqërisë, e nëse partia që ata marrin pjesë është suksesshme, e ku përfitojnë qytetarët, edhe ata janë përfitues.

“Kauza” e Foltores që amplifikohet si nga Berisha apo edhe nga mbështetësit e tij për “rrëzimin me çdo kusht të Edi Ramës”, nuk mund të bindë shoqërinë si një lejtmotiv.

Rrëzimi i Edi Ramës dhe PS-së në zgjedhje, është padyshim një objektiv i opozitës, madje i përhershëm, por ky objektiv vjen vetëm me zgjedhje, si në fitoren e zgjedhjeve vendore apo ato parlamentare.

E që të arihet tek ky objektiv, do të duhet që PD të marrë konsensusin e shoqërisë, së cilët i është drejtuar me kauza reale politike që prekin zemrat dhe mendjet e njerëzve.

E në këtë aspekt, Lulzim Basha, apo edhe PD-ja, mund të arrijë suksesin politik në radhë të parë me paketa reformash të rëndësishme për vendin.

Të cilat duhet të jenë reale, të mirëmenduara, të mirëhartuara, për të cilat Lulzim Basha, duhet të nisë tani, menjëherë një dialog me shoqërinë për t’i shpjeguar natyrisht, por edhe të mbledhë zëra nga pjesë e grupe interesi.

Këtë bën një opozitë në të gjithë botën. E nëse i adreson siç duhet reformat e rëndësishme për vendin, që nga ajo kushtetuese, zgjedhore, e pushtetit vendor etj, atëherë do të arrijë të ngjizë kauzat e duhura për shtetin e shoqërinë.

Në këtë linjë, nuk ka sesi të mos zgjojë interesin apo të marrë përgjigjet e duhura nga shoqëria.

Kontestimi si refren i vetëm i opozitës, është thjesht një monolog që duke e përsëritur nuk se krijon efekt, përkundrazi.

Basha në zgjedhjet e 25 prillit mori një numër më të madh votash se katër vjet më parë, pikërisht nga kontestuesit apo ato që janë të pakënaqur e lodhur nga qeverisja e Edi Ramës dhe PS-së. Por që të kalohet “vija jeshile”, duhet që Partia Demokratike të kthehet në domosdoshmëri, ose të paktën nevojë për zgjedhësit, e jo thjesht kontestuese.

Nëse Lulzim Basha, nis që tani dialogun me shoqërinë, ku natyrisht hyjnë edhe militantët e mbështetësit e PD-së, pasi ata janë më të afërtit me të, atëherë çelësi i fitores ndaj Sali Berishës, por edhe më gjerë është i garantuar. Duke arritur avancim në zgjedhje lokale e më pas në ato qendrore.

“Foltorja”, nuk i drejtohet shoqërisë, pasi kjo e fundit e ka mbyllur hesapin me Sali Berishën, madje në mënyrë plebishitare në zgjedhjet e vitit 2013. Ajo i drejtohet “skifterëve”, të “irrituarve”, “të mërziturve” e “të frustruarve” me Edi Ramën, Lulzim Bashën, qeverinë, Amerikën, BE-në, reformën në drejtësi, shtetin aktual, vaksinat, OBSH-në, pandeminë, George Sorrosin, “Kabalën”, “masonët”, “Iluminatin”, trafikun e rënduar, korsitë e biçikletave, Erion Velinë, e turli tjetër, por ama duan të rikthejnë Sali Berishën në krye të vendit, edhe pse nuk ka asnjë arsye, logjikë, konjukturë, apo konfigurim politik që e pranon këtë opsion.

“Foltorja” nuk mund të reformojë asgjë, pasi nuk ka lindur si nevojë për reforma, por si irritim nga përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.

Nëse do të kishte ide e frymë për të reformuar, “Foltorja” do të lindte në qershor, apo në Kuvendin Kombëtar të Korrikut. Kur ndodhi atëherë, nuk ka asnjë arsye e logjikë, që të bëhet tre muaj më pas.

Nëse lexojmë me kujdes të gjitha zërat që sot mbështesin Berishën nga larg, kjo ndodh sepse ato po i dërgojnë një sinjal Lulzim Bashës për një ndryshim ecencial politik, pasi realisht ish-kreun e PD-së nuk e mbron asnjë institucion apo figurë autoritare e kësaj forcës politike në vite…