Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PD-së Gent Strazimiri dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, zbardhën të tjera detaje nga mbledhja maratonë e kryesisë së PDsë ditën e hënë që vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 18 dhjetor.
Ishte Strazimiri, i cili deklaroi gjatë një interviste mediatike se sekretari i PDsë kishte kërkuar pezullimin e vendimmarrjes së PD-së në mënyrë që të kishte një reflektim si nga anëtarët pro lidershipit dhe nga anëtarët pro Berishës.
Por sipas Starzimirit, më pas Bardhi i ishte bindur kërkesës së kryetarit të PDsë për ta votuar thirrjen e Kuvendit më 18 dhjetor dhe jo më 11.
“Zoti Bardhi propozoi që Kryesia të mos investohej në një vendimmarrje, por të kalonte një periudhë reflektimi se mbase gjejmë një rrugëdalje që na bashkon. Menjëherë pas kësaj, edhe pse kishte edhe një raund tjetër diskutimesh, unë propozoj ta hedhim në votë dhe bisedojmë prapë. Edhe z. Bardhi vetë nuk është i sinqertë dhe kur del e flet, tjetër qëndrim kishte në Kryesi, tjetër gjë propozoi dhe tjetër gjëje iu bind zotit Basha dhe jashtë çdo rregulli e hodhi në votim. Ka thënë shqip pastër dhe bukur, Kryesia nuk është e shtrënguar të marrë vendim, mirë do të ishte të kishim një periudhë reflektimi. Basha ndërpreu fjalimet menjëherë”, deklaroi Strazimiri.
REAGIMI
Sekretari i PD-së, Gazment Bardhi, pranoi se kishte bërë një kërkesë të tillë, por shtoi se propozimi i tij kishte hasur në kundërshtimin e kolegëve pro Berishës.
Kjo dëshmoi, sipas Bardhit, se Kuvendi i 11 dhjetorit është për interesat personale të Berishës. “Për shkak të respektit që kam për kolegun Gent Strazimiri, po konfirmoj se është e vërtetë që në mbledhjen e Kryesisë kërkova që të merrnim të gjithë së bashku një periudhë reflektimi për të gjetur rrugën që na bashkon dhe jo atë që na ndan.
Për këtë propozova pezullimin e vendimmarrjes në mbledhje për të marrë pak më shumë kohë. Për të bashkuar dhe jo për të përçarë u propozova disa prej kolegëve që të kërkonin shtesë të çështjeve që ata mendojnë se duheshin përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar, për të përcjellë në rrugë institucionale zërin e pakicës që mendonte ndryshe nga Kryetari.
Ndërsa bëja këtë propozim, kolegët ndërhynë dhe refuzuan propozimin tim, duke ripërsëritur në mbledhje qëndrimin e shpallur paraprakisht nga z. Berisha në konferencë për shtyp se “Kryesia nuk merr dot vendim, Kuvendi do të zhvillohet në datën 11 dhjetor dhe rendi i ditës është caktuar”.
Në këtë moment, kam theksuar se kështu provohet që qëllimi nuk është mbajtja e Kuvendit Kombëtar, dialogu mes demokratëve dhe ndërtimi i platformës së përbashkët për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.
Me këtë qëndrim, kolegët konfirmuan se qëllimi është mbajtja peng e Partisë Demokratike për hallin personal të z. Berisha. Askush nuk ka të drejtë të marrë peng Partinë Demokratike për hallet e tij personale”, shkroi Bardhi.