MENU
klinika

“I ofruam punë, e la pas disa ditësh”

Subashi flet për vrasësin e 8-vjeçarit në Fier: Nuk gjejmë motiv

17.11.2021 - 13:51

Ndonëse në skedarët e policisë për shkak të krimit të ngjashëm në 2006, bashkia e Fierit nuk kishte marrë ndonjë ankesë për 38-vjeçarin Klodian Çalamëni, i cili rrëmbeu dhe vrau ditën e djeshme 8-vjeçarin Mateo Vasia.

Kjo gjë deklarohet nga kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi, i cili tha në një prononcim për mediat se nga ana e bashkisë ishin bërë përpjekje për ta integruar në shoqëri. Klodianit i ishte ofruar një punë, të cilën e kishte lënë pas disa ditësh. Ndërsa dhe vetë familja e të miturit e kishte ndihmuar herë pas herë vrasësin e djalit të tyre.

“Në këto momente sigurisht nuk gjejmë dot fjalët. Ngushëllimi për familjarët ajo që na vjen pikë së pari. Padyshim që ky është një moment që ndoshta të gjithë duhet të bëjmë një apel të fuqishëm, në radhë të parë për organet ligjzbatuese që të veprojnë shpejt dhe me ashpërsinë që parashikon ligji. Në radhë të dytë, ngjarje të tilla meritojnë, sigurisht duke u trajtuar me qetësinë e nevojshme, meritojnë më shumë vëmendje, reflektim për t’u futur thellë në shkaqet ekonomike, sociale etj, që ndodhin ngjarje të tilla. Personi ishte i vetëm, i ati i kishte vdekur para disa vitesh, e ëma ishte martuar larg. Ne kemi bërë përpjekjet tona për ta integruar, i kemi ofruar një punë para disa kohësh në një nga ndërmarrjet e bashkisë. Ka punuar disa ditë, është larguar me dëshirën e vet. Nga informacionet që kemi është munduar të gjejë punë andej, këndej. Besoj që të gjitha këto mund të kenë ndikuar në jetën e tij të përditshme, megjithëse që dje të gjithë mundohemi të gjejmë një motiv pse mund ta ketë bërë, dhe besoj nuk ka asnjë justifikim. Ngjarje të tilla nuk kanë asnjë justifikim apo arsye.
Ka pasur momente të caktuara që është trajtuar me ndihmë ekonomike. Zgjedhja e tij ka qenë e tillë që nuk e ka parë të arsyeshme të punojë dhe të integrohet”, deklaroi Subashi.

 

Ai sqaroi se 38-vjeçari ka qenë akuzuar dhe dënuar për heqje të paligjshme të lirisë dhe për rrahje bashkë me një person tjetër. “Nga ajo kohë kanë kaluar vite. Sa jam në dijeni, nga ana e policisë ka qenë në listën e personave problematikë. Inspektorët e zonës kanë qenë në mbikëqyrje të vazhdueshme, duke marrë kontakte në ditë të caktuar me të. Por me sa duket të gjitha këto nuk mund ta ndalonin këtë ngjarje. Një mendje normale nuk mund ta imagjinonte, aq më tepër që familjarët e djalit mundoheshin herë pas here ta ndihmonin dhe me ushqime dhe t’i bësh këtë gjëmë. Unë nuk kam fjalë. Nuk kemi dijeni për ankesa nga banorët dhe me sa dimë dhe në polici nuk ka pasur”, tha Subashi.