Teksa vemendja e opinionit publik është mbërthyer në betejën epike mes “babës” Berisha dhe “birit” Basha, në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë diskutohen paketa fiskale dhe buxheti publik i vitit të ardhshëm. Diku shtohen ca fjalë e diku hiqen; diku modifikohet ndonjë shifër apo shfuqizohet ndonjë nen. Dhe pas të gjitha këtyre ndryshimeve mund të gjesh gjyrmët e bizneseve të mëdha e të mesme, që përfitojnë prej tyre.
Pasi të miratohen përfundimisht ndryshimet në Kuvend, këto biznese do të punojnë me vetmohim çdo ditë (si minjtë që gërryejnë me durim ushqimin e tyre), për të paguar edhe më pak se sa parashikojnë vetë ndryshimet e lobuara prej tyre…
Kështu ka ndodhur kur grindej Meta me Nanon, Nano me Berishën, Berisha me Ramën, Rama me Bashën, e kështu vazhdon edhe sot.
Në 20 vjetët e fundit, në Thesarin e Shtetit është futur vetëm 24%-28% e vlerës së Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (përmes tatimeve, taksave doganore, akcizave, etj). Ndërkohë, disa shtete fqinje me srtukturë të ngjashme ekonomike e fiskale me tonën, si p.sh., Mal i Zi, Bosnja dhe Serbia, kanë grumbulluar gjatë kësaj periudhe në buxhetin shtetëror 37%-43% të vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në qoftë se Shqipëria do të kapte mesin e intervalit të fqinjëve (40%), në Thesarin e Shtetit tonë do të futeshin 2 miliardë dollarë në vit më shumë se ç’futen aktualisht. Që do të thotë se në 4 vjetët e ardhshme, do të futeshin të paktën 8 miliardë dollarë më shumë.
Me 8 miliardë dollarë ekstra në 4 vjet mund të realizohen të gjitha premtimet e qeverisë Rama 3 (madje edhe ca të tjera), pa marrë kredi dhe pa bërë partnerite private-publike. Por problemi është se ne nuk po i ngremë dot të ardhurat buxhetore as mbi nivelin 28% të vlerës së Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Ndërkohë decibelët e grindjeve mes “arinjve” të politikës vazhdojnë të rriten pa ndërprerje.