MENU
klinika

Bir i territ...

Thanatos ”rival” i Erosit

17.11.2021 - 17:58

         Pjellë e natës dhe errësirës. Vëlla me perëndinë e gjumit, në mitologjinë greke, Thanatos ishte personifikim i vdekjes. Kur shkenca ende nuk njihej, grekët e lashtë përdornin mitologjinë për të kuptuar gjithçka ndodhte rreth tyre, sidomos kur bëhej fjalë për humbjen e njerëzve të dashur. Koncepti i jetës pas vdekjes daton që në lashtësi, si ngushëllim për familjarët me besimin se të vdekurit do ishin në një vend më të mirë. Nëse në besimin e krishterë dhe jo vetëm, pas vdekjes i ndjeri shkon në parajsë ose ferr, në varësi të sjelljes në të gjallët, në mitologjinë greke jeta e përtejme nuk ishte asessi një vend i këndshëm. Grekët e lashtë besonin në tri nivele të ferrit: fushat e Asfodelit, fushat Elisiane dhe Tartarusi. Pas vdekjes, shumica dërgoheshin në fushat e Asfodelit, koncept i ngjashëm me Limbon e krishterë (vendi i të harruarve). Meqenëse njerëzit nuk besonin në atë se çfarë i priste, parapëlqyen jetën mbi vdekjen. Madje, edhe Akili citohet të ketë thënë: “Më mirë do të isha skllav në tokë, për një njeri tjetër – ndonjë fshatar jashtëzakonisht i varfër që robtohet për të mbajtur frymën gjallë – sesa të sundoj këtu poshtë, mbi të vdekurit e pafrymë”. Si rrjedhojë, nuk është çudi që grekët e lashtë nuk e shihnin Thanatosin, personifikimin e vdekjes, nga një pikëpamje e favorshme. Në mitologjinë greke, Hades ngatërrohet rëndom si perëndia e të vdekurve. Edhe pse Hadesi përshkruhet si sundimtari dhe zoti i ferrit, ai s’kishte të bënte fare me vdekjen. Ky ofiq i takonte Thanatosit, emri i të cilit përkthehej “vdekje”. Thanatos lindi nga bashkimi i Nyx (Natës) dhe Erebus (Errësirës) dhe ishte binjaku i Hipnosit (Gjumit). Madje, kjo përshkruhet edhe në “Theogoni”, poemën e Hesiodit:  “Dhe Nata lindi Vdekjen e urryer dhe Fatin e zi / Vdekja, Gjumi, pjellë e Ëndrrave”.  /Konica.al

Thanatos ishte një nga të shumtit zota që i shërbenin Hadesit. Vdekja nuk ishte një temë e pëlqyer në shoqërinë greke, ndaj emri i saj thuajse nuk citohej kurrë. Për fat të keq, ishte keqkuptuar. Edhe pse Thanatosi ishte mishërimi i vdekjes paqësore, të shumtë ishin ata që besonin se ishte zoti i pamëshirshëm që sillte vdekjen e dhimbshme. […] Në fakt, ishte motra e Thanatosit, Keres, shpirti i qëmotshëm i kasaphanave dhe sëmundjeve, e përshkruar si figurë e etur për gjak dhe dhimbje, ndërsa Thanatosi përshkruhet si zot jashtëzakonisht i bukur, si Erosi, perëndia e dashurisë. Ai paraqitet si një perëndi me krahë, në njërën dorë mban një pishtar me kokë poshtë, kurse në tjetrën një flutur ose një kurorë lulëkuqesh. Hera-herës përshkruhet me kosë në dorë, i ngjashëm me Grim Korrësin. Një nga historitë, që mishëron frikën nga vdekja në mitologjinë greke, është ajo e Admetusit dhe Alcestisës. Admetusi ishte martuar me princeshën e bukur Alcestis. Çifti jetonte i lumtur në një mbretëri të lulëzuar, populli e donte mbretin Admetus, kurse familja e adhuronte. Një ditë, Admetusi u sëmur rëndë dhe pikërisht atëherë ndjeu prekjen e Thanatosit. I drobitur nga sëmundja, Admetus u orvat të rimëkëmbej, kur Moirat (zonjat e fatit) e viziuan për t’i thënë se vdekja ishte pranë dhe se së shpejti do të merrte udhën për në botën e përtejme. I tronditur dhe i frikësuar, Admetusi iu përgjërua Moirave ta lejonin të jetonte, mirëpo lutjet nuk bënë punë, kështu që Admetusi i kërkoi ndihmë Apollonit, perëndisë së Diellit. Me ndërmjetësinë e Apollonit, Moiratë pranuan t’ia kursenin jetën, nëse do gjente dikë që do sakrifikohej në vend të mbretit./Konica.al/ I lehtësuar, Admetusi pyeti popullin, mirëpo të frikësuar nga vdekja dhe dashuria për jetën, nuk doli asnjë vullnetar. Edhe prindërit e moshuar të Admetusit hezituan të hiqnin dorë nga jeta. Kur Admetusi kishte humbur çdo shpresë, doli e shoqja dhe u ofrua në vend të tij. Gjithë sëmundjet u përçuan te mbretëresha dhe, teksa ajo po hiqte në shpirt, Admetusin po e brente pikëllimi. Gumëzhitjet e njerëzve u zbehën, kur në oborrin e mbretit u shfaq Herkuli. Sipas  zakonit, ai e mirëpriti mysafirin, duke i ofruar një vend në pallat. Herkuli vërejti që mikpritësi, megjithëse i sjellshëm, ishte i shqetësuar. Kur e pyeti, Admetusi i tregoi gjithçka që kishte ndodhur. Atëherë Herkuli i premtoi Admetusit, se do ta ndihmonte duke u përballur me vdekjen. Kur ra nata, Herkuli ulur në shtratin e mbretëreshës, po priste Thanatosin. Së fundmi, kur pa perëndinë e vdekjes të dilte nga errësira, i doli para. Thanatos i kërkoi gjysmëzotit të bënte mënjanë, po Herkuli kundërshtoi. Ranë dakord, që, nëse Thanatosi do ta mposhtte Herkulin, ai do ta merrte shpirtin e mbretëreshës. Edhe pse Thanatosi ishte i fortë, dyluftimin e fitoi Herkuli. Thanatosi u tërhoq, mbretëresha e rimori veten, kurse Admetusi falenderoi Herkulin. Miti e shpreh qartazi, se edhe pse Thanatosi ishte perëndia e vdekjes së paqtë, grekët sërish nuk e mirëprisnin.

Historia e Sizifit është rrëfenja e mbretit të Korintit, i mirënjohur për dredhitë dhe mashtrimet. Dëshmitar i rrëmbimit të një nimfeje nga Zeusi, Sizifi shfrytëzoi rastin për të siguruar ujë të freskët për popullin, duke i treguar çfarë kishte ndodhur babait të nimfës. I zemëruar nga mashtrimi i Sizifit, si ndëshkim, Zeusi urdhëroi Thanatosin t’ia merrte shpirtin dhe ta lidhte me zinxhir në ferr. Thanatosi u bind, mirëpo kur e dorëzoi shpirtin në ferr, Sizifi i kërkoi t’i tregonte se si funksiononin zinxhirët. Thanatosi ishte i mëshirshëm dhe ia përmbushi dëshirën e fundit mbretit. Mirëpo, Sizifi kishte të tjera plane: ai e prangosi Thanatosin dhe u kthye në botën e të gjallëve./Konica.al

Pa Thanatosin që sillte shpirtrat e të vdekurve në ferr, reshtën edhe vdekjet. Luftëtarët vazhdonin të luftonin, pa marrë parasysh sesa lëndoheshin. Aresin, zotin e luftës, e lodhi ideja që nuk kishte vdekje dhe i zemëruar nxitoi në ferr. Duke çliruar Thanatosin nga zinxhirët, ai lëshoi sërish vdekjen mbi njerëzit. Miti i Sizifit portretizohet edhe në serialin “Xena: Princesha luftëtare”, kur mungesa e vdekjes krijoi kaos midis grekëve, sepse hajdutët dhe horrat s’mund të vriteshin, ata vijonin të plaçkisnin të dobëtit. Në fund, Xena e çliroi vdekjen. Episodi jep një paraqitje të shkurtër, sesa të frikësuar janë njerëzit kur takohen me vdekjen. Miti i Sizifit portretizon Thanatosin si perëndi e rëndësishme, pa të cilin vdekja ishte e pamundur. Nëse ndonjëri priste që në kontekstin e luftës të futej Keresi, vdekja përfundon me futjen e Thanatosit në kurth, çka nënkupton se ai ishte zoti më i përfshirë në mbledhjen e shpirtrave pas vdekjes.

Thanatosi, detyra kryesore e të cilit ishte të dorëzonte shpirtrat e të vdekurve në mbretërinë e Hadesit, kishte raste kur duhej të ndërmerrte detyra të tjera me urdhër të Zeusit, mbretit të perëndive. Një incident i tillë ndodhi gjatë Luftës së Trojës, ku Sarpedoni, gjysmëzot dhe djali i Zeusit, ishte mbrojtës i qytetit të Trojës. Sarpedoni po vdiste në duart e Patrokliut, Zeusi deshi të parandalonte vdekjen e të birit, por e ndaluan perënditë e tjera, duke i thënë se edhe fëmijët e tyre po luftonin dhe po vdisnin në luftë. Ngjarja është përshkruar në “Iliadën” e Homerit, Libri Nr. XVI, kur Sarpedoni u përball me Patroklin dhe rezultoi me vdekjen e Sarpedonit. Më pas, shpërtheu një betejë për të marrë trupin. Glaukus, kushëriri i Sarpedonit, luftoi në radhët e forcave Akeane për të rimarrë trupin, mirëpo kur panë trazirat që pasuan, perënditë vendosën të ndërhynin. Trupin e shpëtoi Apolloni: ai e lau, e leu me vaj ambrozi dhe, më pas, ua dorëzoi binjakëve, Hypnos dhe Thanatos (zotat e gjumit dhe vdekjes), të cilëve u ishte kërkuar ta dorëzonin trupin në Licia, ku do t’i bëhej varrimi i  merituar heroit. /Konica.al/Ngjarja ilustrohet në vazon e famshme “Euphronius”, e cila ndodhet aktualisht në “Muzeun Metropolitan të Artit” në Nju Jork. Po ashtu, ngjarja përshkruhet e gjitha në “Iliadën” e  Homerit: “[Apolloni] e dha atë [Sarpedonin e vdekur] në përgjegjësinë e lajmëtarëve të shpejtë, Hypnos (Gjumi) dhe Thanatos (Vdekja), të cilët ishin vëllezër binjakë, dhe këta të dy e dërguan menjëherë në fshatin e madh e të begatë Licia.”

Thanatosi luante një rol të rëndësishëm në ciklin e jetës dhe vdekjes në mitologjinë greke, megjithatë, ngaqë grekët i druheshin vdekjes, ata nuk shkruanin apo flisnin hapur për të. Kjo shpjegon dhe faktin, se pse nuk ka shumë histori për Thanatosin si personifikimi i vdekjes. Me ardhjen e krishterimit, shumë nga perënditë greke u çrrënjosën nga ndërgjegjja, mirëpo Thanatosi thjesht ndryshoi formë. Le të themi se Korrësi i zymtë është fryt i mitit Thanatos. I drejtë dhe i ndershëm, me një bukuri që rivalizon atë të Erosit, Thanatosi mund të jetë perëndia më i keqkuptuar brenda mitologjisë greke./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një amanet që ka hyrë në historinë shqiptare

“Amaneti i Mitrush Kutelit” – Letra, drejtuar së shoqes…