Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri të ditur sot se ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor. Ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, kanë paraqitur javën e shkuar kërkesën, mbështetur në firmat e 4200 anëtarëve të Kuvendit, për ta thirrur atë një javë më parë. Në mbledhjen e kryesisë, e cila ka nisur sot pasdite, zoti Basha mësohet të ketë deklaruar se nuk do të ketë Kuvend Kombëtar më 11 dhjetor, pasi sipas tij, Sali Berisha nuk mund të shndërrojë ditën e demokratëve në ditën e bunkerizimit dhe izolimit të PD. Ish kryeministri reagoi në mbrëmje: Kuvendo do të mbahet ditën e thirrur nga firmëtarët.
Thellohen përplasjet në Partinë Demokratike. Ndërsa prej ditësh po vlon debati firmat e grumbulluara nga mbështetësit e zotit Berisha dhe procedurave për zyrtarzimin e kërkesës së tyre për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, papritur është zoti Basha i cili i propozoi sot kryesisë vendimin për thirrjen e Kuvendit më 18 dhjetor. Burime nga mbledhja shpjeguan se kryetari demokrat ka qenë i prerë ndaj zotit Berisha duke deklaruar se “nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor”, datë e cila përkon me themelimin e kësaj force politike. “11 Dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD. Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është ti shërbejmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës”, mësohet të jetë shprehur zoti Basha.
Projektvendimi që shoqëron propozimin e zotit Basha parashikon gjithashtu se “çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”, duke paralajmëruar kështu masa disiplinore, ndaj kujtdo që do t’i kundërvihej.
Në rendin e ditës së Kuvendit të propozuar nga zoti Basha, parashikohet “vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.
Ndërkohë, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet për të miratuar ndryshime në statut, me synim shkarkimin e zotit Basha. Ish kryeministri ka bërë të qartë se kërkon të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, pasi dy muaj më parë zoti Basha vendosi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, në vijim të shpalljes “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit
Në mbrëmje ai thirri një konferencë shtypi për t’ju kundërpërgjigjur zotit Basha.”Përpjekje të tilla për të bllokuar në një mënyrë apo një tjetër vullkanin apo këtë lëvizje vullkan janë sa qesharake aq dhe të turpshme”, deklaroi zoti Berisha, duke shtuar se “garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik, se nuk do ketë kurrë asnjë forcë dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe se Kuvendi i PD-së do të mblidhet datën e shpallur prej tyre dhe se ai Kuvend do të mblidhet jo sipas rendit të ditës së peng-kryetarit por sipas rendit të ditës që ata guximtarë kanë firmosur në formularin e tyre”.
Ish kryeministri e cilësoi lëvizjen e ndërmarrë prej tij një “revolucion paqësor”, duke paralajmëruar se “ta harroj kush se mund të luajë me revolucionin paqësor që po zhvillohet në Shqipëri. Ju garantoj se është një revolucion, më paqësori, por ama është revolucion. Mjerë ata që kërkojnë të përballen me të”, deklaroi zoti Berisha.
Nga selia e Partisë Demokratike, ku që prej orës 16.00 qëndronte e mbledhur kryesia, zoti Basha reagoi sërish. “Nismëtari ka deklaruar, pa asnjë tagër statutor, se Kuvendi do të jetë në 11 dhjetor. Dua t’ju zhvesh nga çdo iluzion. Nuk ka 2 PD, ka vetem 1 PD, dhe nuk ka për të pasur institucione paralele. Në 11 dhjetor ka tubim, por jo Kuvend. Nuk jam unë as pengesa, as halli, as problemi i Sali Berishës. Por unë dhe ju jemi përgjegjës që demokratët të mos përdoren mish për top për interesat e Sali Berishës apo dikujt tjetër. Largimi i këtij regjimi pa mbështetjen e aleatit strategjik, është i paimagjinueshëm”, mësohet të ketë deklaruar zoti Basha.
Mbledhja e kryesisë zgjati gati 6 orë, dhe u shoqërua me debate të forta mes mbështetësve të zotit Berisha dhe kryetarit Basha. Por ky i fundit siguroi mbështetjen e shumicës dërrmuese të anëtarëve të kryesisë për propozimin e tij për thirrjen e Kuvendit më datë 18 dhjetor. Pas mbledhjes zoti Basha, deklaroi se “jam krenar për vendimin e Kryesisë pas pothuaj 6 orësh diskutimesh, dua t’i falënderoj të gjithë, pavarësisht prej mendimeve apo votës së tyre, për përkushtimin që demonstruan dhe për legjitimimin e plotë të besimit që u kanë dhënë demokratët. Një parti, një kuvend më 18 dhjetor dhe e sigurt është që nuk do të lejoj askënd ta mbajë Partinë Demokratike peng”, u shpreh ai.
Pavarësisht optimizmit të zotit Basha, situata e krijuar duket se e ka thelluar humnerën mes palëve dhe se po çon forcën kryesore të opozitës gjithnjë e më shumë drejt një përçarjeje të pashmangshme.