MENU
klinika

Në të gjithë botën, rrjedh gjaku ynë...

ARBËRIA ekskluzivisht në NETFLIX

23.12.2021 - 11:09

        Një stiliste e suksesshme në një qytet metropolitan europian, kishte çelur edhe atelienë e saj të modës.

Me vdekjen e babait të saj, Aida Grecos i duhet të përballet me origjinën (që e kishte lënë në harresë), të kthehet në fshatin ku lindi, në kufirin mes Kalabrisë dhe Bazilikatës, aty ku gjuha dhe tradita e komunitetit arbëresh ulen këmbëkryq.

Aida do të rizbulojë rrënjët. Duke sfiduar njëfarë kompleksi që ndjente për origjinën, e shndërron atë në diçka që ndoshta mund ta ndihmojë të kuptojë veten.


Historia e komunitetit arbëresh dhe lidhja e fortë me origjinën e hershme, gjen terren artistikisht në filmin “Arbëria”, që shfaqet pikërisht ditën e sotme në platformën “Netflix”.

Regjisorja Francesca Olivieri, ka theksuar për mediet, se, në tërësi filmi është një ballafaqim brezash, krejtëisht femëror, gjë që do ta lejojë protagonisten, Aidën, të përballet me distancën e krijuar ndër vite mes saj dhe komunitetit prej nga ajo rrjedh.

“Tema e Arbërisë është rizbulimi i origjinës së saj, në këtë rast të përjetuar nga një grua, Aida, e cila për një kohë të gjatë kishte turp nga përkatësia e saj në komunitetin arbëresh të një fshati që ndodhet në jug të Italisë, në kufirin midis Kalabrisë dhe Bazilikatës”, – shprehet regjisorja.

Subjekti i filmit është udhëtimi i Aidës në këtë tokë, pas humbjes së babait të saj. Kthimi në atdhe, do ta përballë atë me gjuhën amtare – që duket se e ka harruar, ndaj edhe do të ndihet në ankth.

Ndërkohë, i vëllai, Ascanio, sjell anën tjetër të medaljes. Ai përkundrazi, ka jetuar gjithmonë në Arbëri dhe nuk ka pasur kurrë turp për komunitetin e tij. Vajza e tij, Lucia, përfaqëson të gjitha cilësitë pozitive që Aida sheh tek arbëreshët: një lidhje të fortë me tokën dhe traditat shqiptaro-arbëreshe.

Mesazhi i gjithë filmit, sipas regjisores, është të vlerësohen minoritetet dhe kultura e tyre, sidomos gjuha, që nuk duhet harruar.

“Origjina nga vijmë, nuk është kurrë diçka që duhet ta fshehim, për të cilën duhet të kemi turp. Fatkeqësisht, pakicat gjuhësore kanë pësuar dhe po pësojnë një zbehje të kulturës së tyre dhe kjo dëshmon dobësimin e vetë të qytetërimit tonë, që ndonjëherë e dëshmojmë në mënyrë pasive”, – vijon ajo.

Sipas regjisores, ky film synon të nxjerrë në pah ekzistencën e këtij komuniteti, që gjatë shekujve ka mundur të mbajë gjallë traditat e forta, veçanërisht falë grave arbëreshe, të cilat, në këto komunitete të Italisë së Jugut, janë rojet e vërteta të riteve dhe zakoneve.

“Për mua është e rëndësishme që historia arbëreshe të njihet sepse është paradigma e shumë minoriteteve. ‘Në të gjithë botën, rrjedh gjaku ynë’ është një frazë që citova në film, sepse e di që shumë arbëreshë inentifikohen në këtë formulë”, thekson Olivieri, ndërsa shton se “në këtë komunitet, të cilit edhe i përkas, ndjenja e përkatësisë është një ndjenjë e fortë, që nuk duhet të shoqërohet me nacionalizma vulgarë, por me vullnetin për të qenë dëshmitarë të historisë”.


ARBËRIA na ndërmend rezistencën e një diversiteti, që është edhe pasuria kulturore e një populli dhe na kthen edhe njëherë në vëmendje se, sa të rëndësishme janë rrënjët dhe përkatësia ETNIKE

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit