MENU
klinika

Pak ditë nga Nata e Ndërrimit të Viteve

Banorët në Berat: Nuk blemë dot asgjë…

26.12.2021 - 13:48

Tradita e trashëguar e mbushjes së tryezave gjatë festës së ndërrimit të viteve duket se po zbehet nga viti në vit, mallrat janë në treg por ajo që vihet re është mungesa e të ardhurave të qytetarëve, të cilët kushtëzohen për të pasur gjithçka në tavolinën festive.

Përballë këtyre çmimeve të diktuara ca nga tregtarët e mëdhenj apo dhe nga ata të vegjël, qëndron konsumatori i cili është stepur dhe nuk blen dot më si më parë.

Konsumatori ndihet i pambrojtur karshi rritjes së çmimeve dhe sidomos atyre të fruta-perimeve, kur edhe pak ditë na ndajnë nga Nata e Ndërrimit të Viteve dhe tavolinat duhet të jenë të mbushura, ashtu siç edhe na dikton tradita e kësaj feste.

Rritje të lartë të çmimit për kilogram ka njohur edhe Gjeli dhe Pula e Detit, tradicionalët e këtyre festave. Sot 1 kg gjel deti kishte shkuar në 8 000 lekë dhe 1 kg pulë deti ka arritur në 9 000 lekë për kg.

Në një situatë të tillë,kur të ardhurat e qytetarëve janë shumë të pakta, ata e kanë të pamundur të blejnë dhe për këtë arsye janë limituar tek produktet më kryesore. Qytetarët shprehen se ata janë më të varfër se një vit më parë dhe se çmimet që kanë njohur rritje pak ditë nga Nata e Vitit të Ri janë të papërballueshme për ta.

“Jemi në varfëri të plotë, çmimet sa vijnë dhe rriten dhe kjo ndodh çdo vit për festa.Me të ardhurat që kemi nuk mund ti blejmë dot të gjitha ato që i duhen çdo familje për natën festive të Vitit të Ri. Tavolinat tona këtë vit do të jenë bosh, varfëria është e madhe”-,shprehen qytetarët.

Nga ana e tyre tregtarët shprehen se nuk janë ata fajtor për rritjen e çmimeve por tregu. Tregtarët pohojnë se rritja e çmimeve e ka ulur mjaft fuqinë blerëse.