MENU
klinika

"Po bëjmë transparencë!"

Bardhi lexon emrat e delegatëve të Kuvendit të 18 Dhjetorit

20.12.2021 - 14:32

Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi publikoi emrat e delegatëve që ishin pjesë e Kuvendit Kombëtar të PD-së, së thirrur nga Lulzim Basha që u zhvillua në datë 18 Dhjetor.

“Standardi ynë ka qenë dhe është transparenca” tha Bardhi duke vijuar më pas me leximin e 5004 delegatëve që morën pjesë të shtunën duke rrëzuar Kuvendin e Sali Berishës 7 ditë më parë dhe votuar ndryshimet në statutin e ri, që përjashton Sali Berishën nga strukturat drejtuese për shkak të shpalljes non grata.

Ai kishte një mesazh për demokratët, që sipas tij kanë vetëm një zgjidhje, ose me vendimet e partisë ose jashtë. “Shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë qenë prezentë duke konfirmuar shumicën dërrmuese të anëtarëve të kryesisë dhe këshillit kombëtar. Apeli im është një dhe vetëm një; të përqendrojmë të gjithë bashkë energjitë në luftën ndaj Edi Ramës. Tollovia e krijuar këto muaj nuk i intereson PD-së. Ka folur kryesia, këshilli dhe kuvendi i PD-së prandaj secili ka detyrimin për t’ju bindur institucioneve të partisë.

Në momentin që dikush del jashtë institucionit nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Ditët që u mbyllën formularët në kasafortë e Palokës, juve ju premtua procesi i leximit të emrave nëse firmat ishin të falsifikuara dhe prezantimi i cdo pjesëmarrësi dhe kjo nuk ndodhi” tha ai duke shtuar se në total janë 7646 anëtarë të kuvendit kombëtar të PD-së.