MENU
klinika

Nga përplasja me Berishën tek e ardhmja e partisë

Basha mbledh sot Kuvendin, çfarë pritet të ndodhë

18.12.2021 - 08:55

TIRANË

Partia Demokratike mbledh sot, në orën 11:00, Kuvendin Kombëtar, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe miratuar nga Kryesia e selisë blu.

Mbledhja e Kuvendit të PD do të zhvillohet te Pallati i Kongreseve, i cili mban 3 mijë ulëse, ndërsa mësohet se delegatët e tjerë do të qëndrojnë edhe në holl, ku janë vendosur ekrane dhe bokse të mëdha. Nën sloganin “Të zgjedhim të ardhmen”, kryedemokrati Basha dhe demokratët e tjerë do të japin mesazhet e tyre në podium.

Ndërkohë, kujtojmë se po ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha organizon referendumin për shkarkimin e kryedemokratit Luolzim Basha. Vetë Basha e ka cilësuar 18 dhjetorin si ditën e një modeli të ri në PD, ku do të lihet pas e shkuara e do të flitet vetëm për të ardhmen e Shqipërisë.

RENDI I DITËS

Mbledhja e ditës së sotme pritet të jetë e gjatë, ku do të ketë edhe vendimmarrje për ndryshimin e Statutit të PD-së.

“Vendimmarrje mbi situatën politike, si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD-së, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD-së dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

Miratimin e aksionit politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar, ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit, kryesisht nga të rinjtë.

Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektit ‘Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri’”, thuhet në rendin e ditës.