Primit i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nga 1929 deri më 1937, kontribuesi kryesor i autoqefalisë dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit. Imzot Visarion Xhuvani u lind në Elbasan, në lagjen ”Kala”, më 14 dhjetor 1890, ndërsa ndërroi jetë më 15 dhjetor 1965.
Mësimet e para i mori në shkollën greke në Elbasan dhe më pas vazhdoi shkollën e mesme fetare në Athinë. Po në Athinë përfundoi dhe Universitetin për Teologji. Në vitet 1919-1923 shërbeu si murg në Sofje të Bullgarisë.
Vite më vonë në Universitetin e Kembrixhit në Angli, mori gradën Doktor.
Në vitin 1929 u bë Kryepeshkop i parë i Shqipërisë.
Ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, veçanërisht i greqishtes së vjetër e të re, anglishtes, gjermanishtes, serbokroatishtes, rumanishtes dhe italishtes. Visarjon Xhuvani ka shkruar mbi 26 vepra teologjike.
Gjatë luftës ishte mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Fierit. Më 16 prill të 1939, do të bëhej anëtar i delegacionit shqiptar, që i ofroi kurorën Viktor Emanuelit në Vlorë.
Në vitin 1946 u dënua nga diktatura komuniste e më 22 dhjetor 1947, gjykata e dënoi me 20 vjet burg. Pjesën më të madhe, qëndroi i burgosur në Burrel.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, intelektuali dhe patrioti Visarion Xhuvani, e “ngarkoi” një 18-vjeçar me misionin për të rrëfyer krimet e komunizmit…
Viktor Martini ishte i mitur kur u arrestua nga diktatura komuniste. Më 1956, kur u arrestua, ishte vetëm 16 vjeç, më i vogli nga katër djemtë e familjes Martini që i erdhi radha për burgosje me akuzën për tentativë arratisje. Ndërkohë, i ati kishte vdekur në burgun e Burrelit.
Një ndër detajet më interesante të jetës së Viktor Martinit në burg, është amaneti që i ka lënë Visarion Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, në oborrin e burgut të Burrelit.
“Unë ndihem tepër i kënaqun që po kryej nji amanet që me la Visarion Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, kur në oborrin e burgut të Burrelit me tha: ‘Në emën të Zotit, të ngarkoj të jesh dëshmitar i vuejtjeve të tona, kur nji ditë ne s’kemi për të qenë’. Isha 18-vjeçar e unë do vazhdoj të jem dëshmitari i vuejtjeve të njerëzve të ndershëm, që sakrifikuen për lirinë e dinjitetin e popullit shqiptar”, rrëfen Viktor Martini, në intervistën dhënë Dritan Kolgjinit, botuar në gazetën “Dielli” në mars të vitit 2015.
U burgos për 15 vjet dhe u lirua në 27 nëntor 1962.
Njohuritë e Xhuvanit u reflektuan në hartimin e dokumentacionit bazë të kishës ortodokse, dokumentacion që është në fuqi edhe sot.
Statuti themelor i hartuar prej tij dhe i aprovuar nga Kongresi i Korçës më 1929, është i pakorrigjueshëm. Ndërroi jetë në vitin 1965, tre vjet pasi doli nga burgu dhe u varros në Shijon, në vitin 1965.