MENU
klinika

Ç'është Njerëzimi

Bota, me sytë e Saramagos

02.12.2021 - 15:17

        Në fund të fundit, poezia ime është një lloj prologu i romaneve që do të vijnë.

Saramago lindi si poet. Debutimi i parë në fushën letrare qe në vitin 1966, me botimin e një përmbledhjeje me poezi. Nisi kësisoj një gërmim të rëndësishëm të fjalës, që do ta çonte atë në një eksperiment interesant për strukturën e fjalisë dhe pikësimin: “Dhe ka poetë që janë artistë /dhe i punojnë vargjet e tyre/si marangozi tavolinat!”./Konica.al

View of Portuguese writer Jose Saramago (1922 – 2010) as he sits at a table in an unidentified restaurant, New York, New York, September 23, 1996. (Photo by Rita Barros/Getty Images)

“Çfarë është fama? Çfarë është triumfi? Nuk më vjen asgjë në mendje. Nuk më vjen asgjë në mendje, madje as vera. Të vetmet që më vijnë në mendje janë ndjenjat”, – deklaroi Jose Saramago, shkrimtari i parë portugez që u laureua me çmimin “Nobel” për letërsi.

Për Saramagon, e tashmja, e shkuara dhe e ardhmja janë një. “Të vdekurit vdesin vetëm ngaqë ne i harrojmë” – do shprehej. Romani “Verbëria”, një nga romanet më të lexuara i kohëve të fundit, është ftesë për të interpretuar realitetin përmes metaforës, simbolit dhe kuptimit që i atribuohet. Në njëfarë mënyre, autori parashikonte brutalizimin që mund të ndodhte në rast të ndonjë pandemie. Mirëpo, nëse rreziqe të tilla duhet të përjashtohen nga arsyetimi, mbetet fakti se në rastin e Saramagos, dy elementë thelbësorë e mbështjellin krijimtarinë me atmosferë profetike: intuita, sipas së cilës sistemi kapitalist është i destinuar të shkatërrohet dhe bindja se asgjë nuk është më pranë shpërbërjes së realitetit të mistifikimit mediatik të realitetit. “Verbëria”, para se të jetë roman, është një reflektim për problemet që individi i parashtron gjithmonë vetes, kryesisht për problemin e së keqes. Indiferenca, egoizmi, ligësia, që portretizon Saramago zbulohen në forcën e tyre pikërisht kur nuk arrin t’i rrokë syri dhe ato gjëmojnë, si një luan i përgjumur, në thellësi të njerëzve./Konica.al

Jose Saramago lindi më 16 nëntor 1922, u detyrua të linte studimet para kohe dhe u transferua në Lisbonë për të kërkuar punë. Në vitin 1947, arrin të botojë romanin e parë “Vendi i mëkatit”. Saramago iu përkushtua shkrimit vetëm pas rënies së regjimit, duke i lënë mendimet të rrjedhin vrullshëm dhe duke marrë çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1998. Saramago, si “romancier metafizik” (Iris Murdoch), lë në faqet e “Verbërisë” përgjigjen e pyetjes për natyrën e së keqes, pasi aty ku njeriu është në gjendje të përfitojë nga tjetri, ja aty gjejmë dhe përfitimin. Romani vërshon nga pesimizmi, pavarësisht momenteve vezulluese të shkëlqimit që zbulohen në situatat e rralla të solidaritetit të ndërsjellë. Dikur Platoni shkroi, se të parët e mendjes bëhet më i mprehtë, kur ai i syve fillon të bjerë. Mirëpo, ajo që sheh mendja, sugjeron Saramago, është mënyra më e shkurtër për të nënshtruar të tjerët, duke i lënë në indiferencë të mirën dhe të keqen. Kërkimi i së vërtetës dhe dëshira për të stimuluar mendjen, ishin përbërësit e një stili letrar unik. Parabolat, të ndërthuruara me imagjinatë, satirë dhe dhembshuri, nxjerrin një realitet përballë të cilit askush nuk mund të qëndrojë indiferent. Krijimtaria provokuese, magjike dhe ngacmuese, na fton ta analizojmë të tashmen me sytë e tij.

“Tri të këqijat e njeriut modern janë mungesa e komunikimit, revolucioni teknologjik dhe një jetë e fokusuar në triumfin personal”.

Kriza mjedisore, shterimi i burimeve natyrore, dhuna, konsumi i madh, kriza ekonomike, thyerja e të gjithë kufijve dhe barbarizimi gradual i marrëdhënieve njerëzore, na mbështjellin në një mjegull që na bën më të verbër se të verbërit, ndërsa luajmë me lojëra digjitale dhe kënaqësi të përkohshme. Megjithatë, duhet të ketë një dritë që drejton njerëzimin pa verbuar, ashtu siç ekziston shpresa për t’u rikthyer në jetë. Letërsia, e vërteta, është gjithmonë vizionare dhe njeh kufijtë e hapësirës apo të kohës.

Saramago arrin të raportojë të vërtetat e pavdekshme në lidhje me Njerëzimin, në kuptimin më universal.

Për këtë i detyrohemi Jose Saramagos, i cili këtë vit do të mbushte 99-vjeç, sepse fjalët e tij arritëm t’i lexonim si një paralajmërim kur ishte tepër vonë. Duke mos qenë në gjendje të kuptonte të vërtetën e natyrshme në letërsinë artistike, duke e transferuar atë në një trillim të pastër, në një ushtrim stili, kur në të vërtetë ai donte t’i fliste ndërgjegjes sonë dhe t’i shtynte sytë tanë “të shikonin”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


90-vjeçari multidisiplinar

I endur në shumë kombe e vepra


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit