MENU
klinika

Vendimi i Apelit për 12 të akuzuarit për sjellje të mirë

Gjykata greke mëshiron gardianët që dhunuan për vdekje shqiptarin!

01.12.2021 - 10:06

Dymbëdhjetë ish-zyrtarë të burgjeve greke u dënuan nga Gjykata e Apelit me tre deri në pesë vjet burg, me pezullim për tre vjet nga puna, pasi akuzohen për torturimin deri në vdekje të të burgosurit shqiptar, 42-vjeçarit Ilia Kareli. 

Ai vdiq në burgun e Nigritës në vitin 2014, pasi u transferua aty nga burgu i Malandrinos, në mars të atij viti. Pas një seance të gjatë, Gjykata e Apelit me Juri të Përzier (MOE) e Selanikut, ku çështja u gjykua në shkallë të dytë, i shpalli fajtor të akuzuarit për shkaktim të torturës me dëmtim trupor, në shkallën e një krimi. Ata ishin dënuar në shkallë të parë për kryerjen e disa torturave, sërish në shkallën e krimit, por me rrethanë rënduese në kryerjen e veprës.

Në këto rrethana dhe në kombinim me njohjen e një zbutjeje të dytë, atë të sjelljes së mirë të mëvonshme (u ishte njohur nga Gjykata e Shkallës së Parë), dënimet nga 5 deri në 7 vjet u ulën në 3, 4 dhe 5 vjet burgim, në varësi të shkallës së pjesëmarrjes së secilit. Gjykata pezulloi ekzekutimin e dënimeve për tre vjet (për të dënuarit me 4 dhe 5 vjet me kusht që të monitorohen nga punonjësi social). Me të njëjtin vendim u shpall i pafajshëm i pandehuri i 13-të (roja i jashtëm), i cili ishte dënuar në shkallë të parë me 3 vjet burg (me pezullim) për fyerje të dinjitetit.

Mediat greke raportonin dje se sipas aktakuzës, të akuzuarit e burgut të Nigritës kanë vepruar për të “ndëshkuar” të burgosurin 42-vjeçar, sepse ai kishte vrarë kolegun e tyre George Tsironis, në burgun e Malandrinos.

“Tashmë, nga Gjykata e Shkallës së Parë, vdekja e tij ishte shkëputur nga torturat dhe i ishte atribuuar një ataku kardiak, fillimi i të cilit ishte vendosur pak para mbërritjes së tij në burgun e Nigritës. ‘Ata i nënshtruan të arrestuarit qëllimisht në torturë për ta ndëshkuar për vrasjen e kolegut të tyre. Ndërsa ai ishte i rraskapitur dhe tashmë i lidhur në një shtyllë, ai u rrah me shkelma dhe grushte, ndërsa disa përdorën edhe bordula të improvizuar, duke u zvarritur dy orë pas rrahjes’, tha në fjalën e tij prokurori që kërkoi dënimin e 12 të akuzuarve, propozim i cili u pranua”, raportuam dje mediat greke.

Megjithëse u shpallën fajtor për veprimet torturuese kundrejt shqiptarit, i cili pësoi arrest kardiak, Gjykata duke marrë parasysh edhe sjelljen e mirë të gardianëve të dënuar, nga 5 deri 7 vite burg për secilin, vendosi të merrnin 3. Në Shkallën e Parë, u paraqitën 13 persona si bashkëpunëtorë të kësaj vrasje, por ajo e apelit vendosi të ulë dënimin e tij nga 3 vjet në “pezullim nga puna” të rojës së burgut në atë kohë. Gjykata e Apelit u shpreh se: Arresti kardiak është i pavarur nga torturat që i bënë shqiptarit 12 ish-gardianët!