MENU
klinika

Kultivimi i bimëve narkotike

Gledis Nano paralajmëron zyrtarët

10.12.2021 - 12:56

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në një konferencë për shtyp me autoritetet Italiane ka vënë theksin në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas Nanos, është bërë progres në luftën kundër kësaj veprimtarie të jashtëligjshme, ndërkohë që ka paralajmëruar edhe procedim penal për të gjithë zyrtarët si administratorë, inspektorë apo kryetarë komune të cilët nuk do të bëjnë kallzim të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

“Gjatë periudhës referuese kemi një rënie të transportimit të drogës.

Shembull i vendosmërisë së punës sonë, për përmbushjen e detyrimeve të “Planit të Veprimit në Luftën Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike”, është procedimi penal i 165 zyrtarëve vendorë, i cili do vazhdojë për administratorëve të njësive administrative, kryetarëve të fshatrave dhe inspektorëve të shërbimit pyjor etj, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

Aktualisht kemi përqendruar punën tonë kryesisht, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambientet e mbyllura, si dhe trafikimit të këtyre bimëve.

Për vitin 2022, puna e Policisë së Shtetit ka filluar që sot dhe do të përqendrohet në:

– Grumbullimin e informacioneve për individë ose grupe kriminale që importojnë fara të bimës narkotike kanabis sativa, me qëllim fillimin e hetimeve proaktive dhe goditjen e këtij aktiviteti kriminal që në fazën fillestare;
– Mbi bazën e hartës digjitale dhe analizën e riskut, do të ushtrohen kontrolle periodike si në ambientet e hapura edhe në ato të mbyllura, me qëllim goditjen e këtij aktiviteti kriminal;
– Forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar;
– Nisur nga shtimi i rasteve të konstatuara të kultivimit në ambiente të mbyllura do t’i kushtohet rëndësi e veçantë marrjes, verifikimit dhe ndjekjes së informacioneve policore, për individë apo grupe kriminale të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Me masat që kemi marrë dhe po zbatojmë, si dhe duke vlerësuar treguesit e arritur, shpreh bindjen e organizatës që drejtoj, se në vijim do të konsolidojmë dhe thellojmë rezultatet kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Dua të garantoj gjithë qytetarët dhe partnerët e huaj, se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese është e motivuar dhe e angazhuar maksimalisht për të çuar përpara këtë luftë me energji të reja.

Beteja bëhet edhe më e fortë, sepse synon grupet kriminale të implikuara në kultivimin apo trafikimin e kanabisit, si dhe drogës në tërësi, por ne jemi të motivuar për ta fituar atë.