Një ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Pejës në Lidhje, ku u shqua si prijës ushtarak me kontribut në Mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë: Haxhi Zekë Byberi u lind më 20 dhjetor 1832 në Shoshan të Malësisë së Gjakovës.
Familja e tij u shpërngul në Pejë, ata ishin pronarë tokash.
Zeka ishte ndër organizatorët të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e vilajeteve shqiptare dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tyre.
Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë si komandant ushtarak në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.
Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte fuqinë e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani; Haxhiu me të hollat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha.
Së bashku me Sulejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë.
Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm te sulltani. Në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani. Atje kaloi dy vjet mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur nga bashkatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë. Sipas disa burimeve, Haxhi Zeka me pasues të tij shkoi të shërbente në luftën greko-osmane.
Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës ku u mblodhën 450-500 vetë, u themelua Lidhja e Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj, dhe përfaqësonte programin autonomist të Komitetit të Stambollit. Shumë qytete shqiptare shprehën solidaritet ndaj këtij organizimi.
Në prill-maj 1899 organizoi të parat komitete luftëtarësh të përgatitur në përballimin e grupeve revolucionare bullgare. Këto komitete u përgatitën më pas për kryengritje kundër perandorisë, por u shtruan nga Porta e Lartë.
Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve. Në shkurt 1901 në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku u shpreh për shqetësimet e tij për viset shqiptare, duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe.
Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviç, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën.
Kjo ndodhi më 21 shkurt 1902 në pazarin në Pejë. Haxhiu u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë.
Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në vilajetin e Kosovës. Dorësi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar para vrasjes.