Tani që Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin për rrëzimin e kërkesës, që kontestonte zgjedhjet lokale të qershorit 2019, del më e qartë panorama e përgjegjësisë së rëndë politike të atyre, që atëherë udhëhiqnin dhe përfaqësonin opozitën.
Se si për shkak të një marrëzie djallëzore iu dorëzua i gjithë pushteti lokal sovjetëve, ndërkohë që kjo temë nuk para trajtohet, si nga bunkeri “statutor”, ku është mbyllur Lulzim Basha për t’u mbrojtur nga partia e vet, ashtu edhe nga “foltorja” e revolucionit paqësor, që do të rithemelojë pluralizmin në Shqipëri.
Ata, që realisht e morën vendimin e çmendur të bojkotit dhe të tjerët, që u përpoqën të pengonin me çdo mjet në dispozicion mbajtjen e zgjedhjeve, ishin të bindur plotësisht se nuk e fitonin çështjen, ndaj edhe nuk iu drejtuan vetë gjykatës. Sepse, me sa duket, dy humbje për të njëjtin rast bëheshin shumë.
Dhe gjetën Voltanën e shkretë, e cila ka mbetur si një ishull i vogël në mesin e ujërave të pushtetit pa kufinj të “Rilindjes”, ndoshta jo për ndonjë faj të vetin. Të cilës i ngarkuan në kurriz një peshë të madhe, që nuk i takonte fare ta mbante, sepse nuk ishte fare problemi i saj, por edhe ndonjë arsye të fortë për ta refuzuar nuk është se ka pasur. Tek e fundit, postieri nuk akuzohet asnjëherë për ato që përmbajnë letrat brenda.
Ndaj edhe sot nuk është dita për të kërkuar humbjen e Voltana Ademit, sepse ajo ndoshta është e vetmja opozitare që ka fituar nga zgjedhjet e qershorit 2019, pavarësisht se pa asnjë meritë. Por për të parë se si heshtin njëkohësisht për këtë shuplakë përcëlluese si të ishin në kohërat e arta të dashurisë midis tyre kryetari “de jure” i Partisë Demokratike, “foltorja” dhe Presidenti i Republikës.