MENU
klinika

Ratifikimi

I rikthehen Shqipërisë objektet konfiskuar në SHBA

10.12.2021 - 10:14

         Prej vitit 2018, ministria e Kulturës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kanë nisur punën për hartimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi në respekt të Konventës së UNESCOS, më 1970, që u finalizua me nënshkrimin e memorandumit në muajin gusht në Uashington, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Kulturën dhe Edukimin, Matthew Lussenhop, duke zyrtarizuar kështu angazhimin për të qenë krah për krah në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të vlerave kulturoro-muzeale dhe artefakteve.

Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe mënyrave të administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura”, një proces i nisur me miratimin e ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, të hyra ose të dala në mënyrë të paligjshme nga territori i Republikës së Shqipërisë”.

Ministrja e Kulturës, Margariti, thekson se, “hartimi i kuadrit ligjor vjen sipas eksperiencave ndërkombëtare, siç është skema e bazës së të dhënave e miratuar nga Interpol, si dhe sistemi në zbatim në Itali, që përmban një informacion të mjaftueshëm për krijimin e pasaportave të sakta, sipas një modeli të miratuar nga UNESCO për çdo objekt që rezulton i trafikuar në mënyrë të paligjshme. Viteve të fundit është forcuar bashkëveprimi me Interpolin, Europolin, pikat doganore dhe po punohet ngushtësisht me vendet fqinje për identifikimin dhe kthimin e veprave që rezultojnë të vjedhura”.

“Aktualisht jemi duke çuar përpara një proces delikat atë të kthimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut të 27 ikonave të identifikuara tashmë. Me përfundimin e procedurave këto vepra do të kthehen në vendin e origjinës. Ndërsa kemi edhe të tjera çështje të hapura për vepra me origjinë Shqipërinë, të kapura në vende të tjera, të cilat do të kthehen në vend. Në historinë e saj të afërt dhe të largët, Shqipëria ka kaluar momente kritike në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Gjatë viteve 1991 dhe 1997 u grabitën dhe u trafikuan vlera të rëndësishme të trashëgimisë materiale. Por tanimë Shqipëria e ka kaluar fazën e tranzicionit, ka dalë nga listat e zeza të trafikimit”, deklaroi Margariti.

Shqipëria është një vend me një trashëgimi të pasur kulturore materiale dhe jomateriale, që po bëhet gjithnjë e më tepër tërheqëse për të huajt, që numëron mbi 2,220 monumente kulture dhe mijëra artefakte.

Ratifikimi i memorandumit me SHBA-në është pa dyshim, një nga ato gurë themeltarë për vlerat dhe artefaktet e trashëguara të kukturës shqiptare.

“Mbi bazën e këtij Memorandumi Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të luftojnë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe ta mbrojnë atë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kufizojnë importimin të kategorive të caktuara të materialit arkeologjik, që datojnë nga 300,000 vite më parë deri në vitin 1750 P.K. dhe kategori të caktuara të materialit etnologjik, nga viti 400 P. K. deri në vitin 1913, që mund të jenë elemente arkitekturore nga strukturat historike ose fetare; objekte funerale; rituale dhe ceremoniale; piktura; dokumente të shkruara; tekstile; si edhe armë e parzmore të identifikuara në listën që do të shpallet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç rasteve kur Republika e Shqipërisë vërteton se ky eksportim nuk është i paligjshëm”, tha ministrja.

Objektet e konfiskuara në SHBA do të rikthehen në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Shqipëria do të ndajë informacione rreth gërmimeve të paautorizuara, vjedhjeve të pasurive kulturore, trafikimit të pasurive kulturore dhe kërcënimeve të tjera që rrezikojnë trashëgiminë e saj kulturore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I pari teatër shqiptar

‘Dasma e Lunxhërisë’ më 1874

Ikonografi dardhar

”Ringjallja e Krishtit”