MENU
klinika

Flet ekspertja: Kush përfiton nga marrëveshja

Pensionet, unifikimi i viteve të punës me Italinë!

29.12.2021 - 18:39

Do të duhet të kalojnë muaj, ndoshta edhe vite, deri në firmosjen e marrëveshjes që i hap unifikimit të viteve të punës, por përcaktimi i fondit në projektbuxhet nga qeveria italiane, çel dritën jeshile dhe shënon një hap para në përshpejtimin e bisedimeve. Në kushtet kur s’ka pengesa ligjore dhe për më tepër është përcaktuar fondi, finalizimi i paktit mes dy vendeve është thjesht dhe vetëm çështje e vullnetit politikë. Ndërsa e konsideroi një lajm të mirë përfshirjen në projektbuxhetin e Italisë për vitin 2022 të një amendamenti për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të emigrantëve shqiptarë, Kryeministri Rama tha se do të vazhdohen kontaktet deri në aprovimin përfundimtarë të buxhetit.

“Në vazhdën e komunikimit me qeverinë italiane dhe partitë politike për marrëveshjen e pensioneve, Parlamenti Italian ka përfshirë në projektbuxhetin e Italisë për vitin 2022 edhe një amendament për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të shqiptarëve me kontribute pune në vendin mik. Vazhdojmë kontaktet deri në aprovimin përfundimtar të projekt-buxhetit 2022”, shkroi Kryeministri në rrjetet sociale. Por sa është fondi i akorduar nga qeveria italiane, cilët kategori do të përfitojnë nga unifikimi i viteve të punës dhe më e rëndësishme çfarë nënkupton njësim i periudhave kontributeve? Drejtuesja e sindikatës italiane “INAS”, Beskida Alija, përmes një interviste dhënë për gazetën, jep disa detaje.

Italia ka përfshirë në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm një amendament për unifikimin e viteve të punës me Shqipërinë. Çfarë do të thotë kjo? A është një drite jeshile për arritjen e marrëveshjes brenda vitit që vjen?

Në vazhdën e komunikimit me qeverinë italiane dhe partitë politike për marrëveshjen e pensioneve, Parlamenti italian ka përfshirë në projektbuxhetin e Italisë për vitin 2022 edhe një amendament për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të shqiptarëve me kontribute pune në vendin mik. Mirënjohja i takon senatorit Tomasso Nannicini, i cili është angazhuar personalisht për ta zgjidhur këtë çështje kaq jetike për aq shumë shqiptarë në Itali, sindikatën italiane patronato Inas Cisl, të gjithë të tjerët që dashamirësisht janë përfshirë në këtë përpjekje të përbashkët si edhe të gjithë emigrantët shqiptarë të Italisë që kanë dhënë kontributin e tyre.

Nuk mund tw lw pa përmendur sw fundmi edhe Kryeministrin Mario Draghi, ministrin e Jashtëm, Luigi di Maio, dhe ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Andrea Orlando, i cili na ka pritur dhe na ka dëgjuar me interes kur i kemi dorëzuar peticionin me 12.500 firmat e mbledhura të emigrantëve shqiptarë në Itali, të cilët e kërkonin me domosdoshmëri këtë marrëveshje. Kjo sigurisht që është një dritë jeshile sepse me miratimin e amendamentit, Ligji i Buxhetit 2022 i qeverisë Draghi parashikon ndryshime të shumta që do të ndikojnë te bizneset, familjet dhe punëtorët. Nuk është e lehtë të kuptohen të gjitha masat e marra, duke pasur parasysh edhe ndryshimet e vazhdueshme në javët e fundit. Në fund, teksti i ligjit me të gjitha ndryshimet është gati për miratim përfundimtar nga Senati dhe Dhoma, kështu që përmbajtja është përcaktuar.

Sa është fondi i vënë në dispozicion dhe a janë specifikuar kategoritë që do të përfitojnë?
Për të aktivizuar konventën dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore me Shqipërinë dhe garantimin e punëtorëve të interesuar për njohjen e së drejtës për përfitime të sigurimeve shoqërore, e kufizuar në ngjarjet që kanë të bëjnë me sigurimin e pleqërisë, invaliditetit dhe të të mbijetuarve, është i autorizuar shpenzimi prej 7.6 milionë euro për vitin 2023, 9.8 milionë euro për vitin 2024, 10.9 milionë euro për vitin 2025, 12.3 milionë euro për vitin 2026, 11.8 milionë euro për vitin 2027, 13.4 milionë euro për vitin 2028, 15.0 milionë euro për vitin 2029, 16.9 milionë euro për vitin 2030, 18.5 milionë euro për vitin 2031 dhe 20.3 milionë euro në vit, duke filluar nga viti 2032. Amendamenti nuk futet në detaje për të parashikuar kategoritë që do të përfitojnë. Kemi akoma paqartësi se cilat kategori përfshihen në shpenzimet që do të ketë për këtë çështje nga buxheti i shtetit italian.

Nëse ka vullnet nga palët, a mund të arrihet marrëveshja brenda 2022, që do të thotë a ekzistojnë pengesa të tjera ligjore apo është thjesht dhe vetëm vullneti politik që kushtëzon vijimësinë e procesit?

Pala shqiptare ka një mijë mënyra për ta shkyçur ngërçin dhe për t’i dhënë zgjidhje një problemi kaq serioz. Mbetemi në pritje të një pune serioze nga ana e qeverisë për këtë çështje të mbetur peng dhe të parealizuar prej shumë vitesh, edhe pse është premtuar që do të mundësohej si marrëveshje. Deri me sot qeveritë kanë diskutuar disa herë, kanë bëre një sërë deklaratash, por akoma nuk ka asnjë rezultat konkret deri më sot që u arrit kalimi i amendamentit në bilancin e buxhetit. Nuk duam të na përcjellin me premtime ose shpjegime burokratike. Ajo që realisht duam të dimë është përgjigjja e pyetjes: kanë apo jo vullnet politik për ta konkretizuar këtë marrëveshje për pensionet që mungon me shtetin italian? Çështja e pensioneve nuk është vetëm e drejta jonë, por edhe një çështje dinjiteti njerëzor. Duhet të respektohet dinjiteti i punëtorëve, i emigrantëve. Nuk duhet të nëpërkëmbet dinjiteti i tyre. Njerëzit që kanë punuar me djersë e ndershmëri për dhjetëvjeçare të tërë, e meritojnë një përgjigje të sinqertë e një angazhim konkret.

E fundit, për ta bërë më të kuptueshme, çfarë duhet kuptuar me unifikim të viteve të punës? A mund të na e konkretizoni përmes një shembulli?

Me unifikim të viteve të punës kuptojmë bashkimin e viteve të punës që një emigrant ka kryer si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Emigranti me ikjen dhe emigrimin e tij në Itali ka lënë pas në Shqipëri disa vite pune dhe kontribute të derdhura në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe po në të njëjtën linjë e ka vazhduar jetën edhe në Itali. Aty ka shpenzuar vite jete duke kontribuar me punën e tij në buxhetin e shtetit italian, duke derdhur kontributet dhe siguracionet shoqërore dhe shëndetësore, ashtu siç ligji italian e dikton. Marrëveshja, në qoftë se do ishte realizuar, do të bënte të mundur pikërisht bashkimin e viteve të punës që ky emigrant ka kryer në të dyja shtetet dhe do t’i llogariteshin të gjitha si një e tëre pa i humbur asnjë vit pune të kryer. Sigurisht që këto vite do të njiheshin në mënyre figurative dhe secili shtet, qoftë Italia, dhe qoftë Shqipëria, do t’i jepnin emigrantit pension në masën për aq sa ka kontribuar.

Emigrantet kërkojnë arritjen e marrëveshjes bilaterale në mënyrë që të njihen kontributet e derdhura gjatë viteve të punës në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit të emigrantëve në Itali. Shqipëria, në fakt, akoma nuk e ka arritur një marrëveshje të njohjes reciproke të pensioneve me Italinë, e cila historikisht ka qenë vendi kryesor me numër me të madh emigrantësh. Në këtë kërkesë, në thelb është problematika e kontributeve që derdhin shtetasit shqiptarë në Itali dhe e drejta e përfitimit të pensionit. Mungesa e një marrëveshjeje midis dy shteteve nuk i lejon ata të arrijnë pensionin as në vendin e nisjes e as në atë të mbërritjes, duke dëmtuar kështu atë fashë të popullsisë që ka sakrifikuar më shumë, pensionistët. Emigrantët janë Ura lidhëse midis dy vendeve. Deri tani, një pjesë gjithmonë e më e madhe e punëtorëve emigrantë vuan nga fakti që nuk ka asnjë marrëveshje midis Italisë dhe Shqipërisë për njohjen e kontributeve të pensionistëve. Punëtoret shqiptarë në Itali në moshën e pensionit ose afër saj, kanë paguar kontribute si në Shqipëri (përpara se të emigronin), ashtu edhe në Itali. E marrim një shembull hipotetik. Një emigrant ka punuar në Shqipëri 14 vjet dhe u largua nga Shqipëria. Në Itali punoi 19 vjet. E ka mbushur moshën për pension 65 vjeç.

Ai me 14 vjet që ka lënë pas në Shqipëri nuk merr pension sepse i mungon një vit pasi duhen 15 vite minimumi për t’u futur në skemën e pensioneve dhe për të përfituar një pension minimal. Ndërkohë, e njëjta gjë vlen edhe në Itali pasi duhen 20 vite minimum. Emigranti pa marrëveshjen do të mbetet pa pension si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, paçka se ka 33 vjet punë në total. Ndërsa po të ketë marrëveshje për bashkimin e viteve të punës, ai me 33 vjet pune do të marrë pension edhe nga shteti amë, Shqipëri, për ato 14 vjet pune, si edhe nga shteti pritës, Italia, për ato 19 vjet punë. Secili shtet do të japë pension për pjesën e vet të kontributit të derdhur.