MENU
klinika

Shkruan përkthyesja...

Ismail Kadare dhe e përbotshmja e letërsisë shqipe

02.12.2021 - 12:22

         Ani Kokobobo [1]

Pjesa më e madhe e artit të Ismail Kadaresë është në mënyrë të qenësishme shqiptar. Duke nisur nga thesari i pasur i gjuhës dhe dialekteve të shkrimeve të vjetra, historia shqiptare, kul­tura dhe miti deri te pasuria unike e përvojave që pa të nuk do t’i përjetonim dhe do t’i mungonin publikut perëndimor. Për shembull, romani i parë i Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963), rrok jetën e përditshme të Shqipërisë komuniste me kujtime të historisë së Luftës së Dytë Botërore. Ngjarjet e Kronikë në gur (1971) ndodhin në qytetin e lindjes së Kadaresë, Gjirokastër dhe shpërfaqin kulturën e veçantë të mëhallës në atë mjedis të kufizuar. Vepra të mëvonshme si Prilli i thyer (1978) na çojnë në malësinë e Shqipërisë me dukurinë e gjak­marrjes dhe kodet e kanunit, ndërsa Ura me tri harqe (1978) na shpie në Shqipërinë mesjetare, para pushtimit osman, duke i dhënë mundësinë Kadaresë të përsias se si do të ishte Shqipëria sikur të mos ishte pushtuar kurrë. Në romanet e tij, Kadare skalit Shqipërinë dhe letërsinë shqipe në kanavacën e letërsisë botërore, ndërsa hulumton me imtësi ndërlikimet e kulturës së vet, por duke i lidhur gjithnjë me një prirje apo lëvizje më të gjerë kulturore.

Në këtë kuptim, Kadare është një shkrimtar thelbësisht shqiptar i cili gjithashtu mishëron thelbësisht letërsinë botërore. Ndërsa mendojmë për letërsinë botërore, ia vlen të sjellim ndër mend një letër drejtuar Johan Ekermanit, e shkruar në mënyrë brilante nga Gëte më 1827, ku ai e përkufizon letërsinë botërore: “Po bindem gjithnjë e më shumë se poezia është zotërimi universal i njerëzimit”, – shkruan ai, – që e shpërfaq veten kudo dhe në çdo kohë në qindra e qindra njerëz… Letërsia kombëtare tani është term shumë i pakuptimtë; kjo është epoka e letërsisë botërore dhe të gjithë duhet të përpiqen ta shpejtojnë ardhjen e saj”[1].[i] Si shkrimtari më i madh dhe më i njohur i Shqipërisë, Kadare mishëron pikërisht thelbin e mëny­rës se si letërsia botërore përkufizohet nga Gëte. Kjo vetëdije, ose të paktën gjakim për t’i përkitur një mjedisi të afërt, por edhe diçkaje shumë më të madhe, është e dukshme në të gjithë krijimtarinë e Kadaresë.

Ndërsa rrëfen në bisedë fillimet e karrierës si shkrimtar, Kadare kujton një moment kur, megjithëse djalosh në Shqipëri, ai filloi të kopjonte me dorë përkthimin e Makbethit të Shek­spirit. Ky gjest fillestar i lidhjes së shkrimeve të tij me diçka më të madhe pasqyrohet në esetë e mëvonshme të Kadaresë për letërsinë botërore. Në esetë për Shekspirin, Eskilin dhe Danten që kam përkthyer në gjuhën angleze, Kadare diskuton ndikimin e këtyre autorëve në shkrimet e veta por, gjithashtu, i përkufizon ata si autorë botërorë që trajtojnë dukuritë botë­rore në veprat e tyre.[2] Kadare e lidh artin e epërm të këtyre autorëve kanonikë me dramën e gjallë, të përditshme dhe interpretimet e qenësishme të riteve të martesës dhe vdekjes te njerëzit që jetojnë në Ballkan. Edhe pse shkruan për një kohë kur Ballkani nuk po krijonte tekstet e duhura letrare, duke hedhur vështrimin si nga letërsia gojore dhe zakonet vendase, Kadare gjurmon themelet e letërsisë në Shqipëri, duke marrë atë që mund të interpretohet si një periferi letrare dhe letërsi e vogël duke e lidhur me të njëjtën burim krijues që krijon letërsinë e madhe botërore.

Në një ese për Shekspirin, Hamleti, princi i vështirë, Kadare e lidh figurën e Hamletit me Ballkanin dhe traditat e marrjes së gjakut në rajon – duke e parë princin danez si dikë që mund të kishte lindur edhe në këtë zonë ose mund të ishte krijuar nga një rapsod i rajonit. Me këtë lidhje të qëllimshme të Shqipërisë me Shekspirin, duke barazuar veprën e një gjeniu të pranuar letrar me gjenialitetin e shumë rapsodëve anonimë shqiptarë, Kadare e vendos Shqipërinë në hartën e letërsisë botërore. Për më tepër, ai krijon një mbretëri tjetër, një Shqipëri tjetër dhe Ballkanin – krijim që lulëzon dhe jeton në mbretërinë e letër­sisë dhe sistemeve letrare, pavarësisht nëse realiteti dhe siste­met politike sollën vetëm humbje dhe disfatë. Ndërsa gjakmarrja shqiptare dhe realitetet politike shqiptare, si regjimi i Enver Hoxhës, ishin vetëm rrënuese në jetën reale, në letërsi ato mund të bëheshin themel për gjininë e tragjedisë ose për moderni­zmin e lartë të stërholluar, distopik, si ai që spikaste në shkri­met e Kadaresë. Ky dualizëm midis reales dhe letrares, midis botës dhe letërsisë, u bë njësh tek e përbotshmja e letërsisë së Kadaresë, dhe unë do të argumentoja se është thelbësore për mënyrën se si duhet ta kuptojmë atë si shkrimtar dhe figurë publike.

Është një fragment i shkurtër në fjalimin e pranimit prej Kadaresë të Çmimit Neustadt që do të doja ta theksoja sepse besoj se paraqet edhe këtë dualitet të rëndësishëm midis botës dhe letërsisë. “Të besosh në letërsi do të thotë të besosh në një realitet më të epërm”, shkruan Kadare. “Të besosh në letërsi do të thotë se regjimi i errët i vendit tënd duket i zbehtë në krahasim me ritet madhështore letrare të vdekjes. Të besosh në këtë art do të thotë të dish gjithnjë se qeveria që të ka në dorë, policia që të mbikëqyrë, parlamenti, shefat, administrata, vetë tirania, janë një makth kalimtar, materie e vdekur, krahasuar me urdhrin e madh ku ti bën pjesë si anëtar i tij”[3]. Këto rreshta pasqyrojnë mënyrat në të cilat Kadare si shkrimtar përdori botën tjetër, magjike të letërsisë, si një mënyrë për t’i shmangur tmerret e së vërtetës dhe për t’u dhënë atyre një formë të re dhe kuptim të ri në art.

Për shembull, brenda kufijve të artit të Kadaresë regjimi totalitar dhe shtypës i Enver Hoxhës në Shqipëri, megjithëse nuk mund të denoncohej plotësisht – sepse një denoncim i tillë do t’i kushtonte autorit me jetë – mund të shndërrohen në diçka krejt tjetër. Në këtë rast, regjimi u bë lënda themelore për Tabir Sarajn, pallatin e ëndrrave në romanin e vitit 1981 Pallati i ëndrrave. Tabir Saraj është qendra e një autoritarizmi joracional dhe arbitrar në të cilin individët burgosen pa ndonjë arsye përveç një ëndrre paralajmëruese që parathotë krimet e ardhshme dhe liritë individuale shkelen deri në pikën ku edhe e pandërgjegjshmja hetohet ndërsa ëndrrat mblidhen nga policia e shtetit. E vetmja liri e mundshme në Pallatin e ëndrrave është ajo e artit, e cila i lejon shkrimtarit të rrok shtrembë­rimin e regjimit përmes thjerrëzave artistike të krijuara dhe të përdorura me mjeshtëri. Ishte pikërisht aftësia e letërsisë për t’i gjetur hapësirë kësaj përthyerjeje që më pas mundësoi shprehjen unike brenda sferës dhe idiomës së saj të shtrembë­ruar dhe që i dha një autori si Kadare liri unike, të papritur dhe në fund të fundit, jetëdhënëse. Nuk ishte jeta ajo që i dha Kadaresë art, por ishte arti që i dha atij jetë dhe, pak liri.

Autori natyrisht është bërë pjesë e debateve dhe polemikave ndër vite, më së shumti si një figurë publike në Shqipëri: se nuk ka folur publikisht në një mënyrë apo në një tjetër, se nuk ka qenë ky apo ai lloj disidenti, se nuk ka qenë gjithmonë një person publik aktiv. Ai është tetëdhjetë e pesë vjeç, por prit­shmëri të tilla janë të natyrshme duke pasur parasysh munge­sën e zërave të besueshëm dhe objektivë në jetën publike shqiptare, si gjatë komunizmit ashtu edhe tani. Për mua këto pritshmëri kanë qenë përherë krejt të papërputhshme me natyrën e shkrimtarit Kadare dhe filozofinë e tij artistike. Arti i tij e vë në pah nevojën për ta përdorur artin, thyerjen arti­stike dhe arratisjen e artit për të ndërtuar mbrojtje psikike ndaj realitetit. Bota e ëndrrave dhe mitit ose thjerrëzat e shformu­ara të një shoqërie malësore e ndihmuan autorin të ndërtonte një lloj realizmi magjik që ishte thelbësor për aftësinë e tij për të krijuar dhe mbijetuar si artist pavarësisht prej trysnive artistike për t’iu përshtatur realizmit socialist.

Në të njëjtën kohë, kjo botë bëhet shtegu i vetëm për autorin përmes të cilit mund të reagojë ndaj tmerreve të së tashmes. Është aftësia e tij për të rrokur autoritarizmin dhe procesi i diskreditimit të tij që e bën artin një armë politike, që mund të luftojë kundër regjimeve politike, por e bën këtë me mjete të veta, shpesh të dykuptimshme. Por, kjo luftë, kjo përgjigje, nuk është ajo që bëhet me zë të lartë në rrugë apo edhe në gazeta. Për Kadarenë është diçka që ngjet brenda shtresave dhe poetikës së artit, sepse brenda universit artistik të Kadaresë, momenti që arti pasqyron titujt e gazetave dhe zëri i artistit flet drejtpërdrejt për të tashmen, jo vetëm që artisti rrezikon të zhduket brenda regjimeve si Shqipëria e Hoxhës, por arti fillon të bëhet konform realizmit socialist dhe pritshmëritë politike të regjimeve të ndryshme jodemokratike.

Për të dhënë një shembull, pas krizës së vitit 1998 në Kosovë, kur trupat e Sllobodan Millosheviqit bënë spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës i cili u pasua nga bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999, Kadare shkroi Tri këngë zie për Kosovën. Në vend që të shkruante drejtpërdrejt për tensionet e menjëhershme të së tashmes, ky rrëfim u përqendrua në betejën zanafillore të Kosovës në vitin 1389, ndërsa Kadare përsiat mbi tensionet e panevojshme që u krijuan midis popujve ballkanas për shkak të pushtimit turk. Mesazhi themelor – që më shumë i bashkon serbët dhe shqiptarët sesa i ndan – ishte një mesazh i vlefshëm dhe pajtues, por ai u dha më shumë përmes prizmit të largët të së kaluarës sesa përmes shtjellimit të drejtpërdrejtë të konflikteve të tanishme. Megjithëse të gjithë do të kishin kërkuar një mesazh të anshëm nga Kadare, nuk arritën ta gjenin, sepse i gjithë profili i tij si shkrimtar u ndërtua mbi qëndresën ndaj anshmërisë ideologjike, gjë që nuk do të thotë se Kadare nuk ka pikëpamjet e tij ideologjike, por këto bindje që janë në thelb të vetat dhe nuk janë të imponuara nga jashtë.

Dua ta mbyll këtë shkrim me një shënim personal. Si emi­grante shqiptare e brezit të parë në Shtetet e Bashkuara, me të gjitha fragmentimet e identitetit që nënkupton, kam arritur të vlerësoj thellësisht tek arti i Kadaresë, si atë që është shqip­tare, ashtu edhe atë që është e përbotshme. Me aftësinë për të shprehur universalen përmes së veçantës dhe për të shprehur të veçantën përmes universales, letërsia e tij i ka dhënë trajtë njërës prej pikave më të thella të plotnisë së identitetit. Në studimin që i kam bërë veprës Pallati i ëndrrave dhe gjatë përkthimit të veprave të Kadaresë, ndjeva të bëheshin njësh e kaluara ime shqiptare dhe bota e letërsisë së cilës i jam përkushtuar si studiuese. Kadare i flet historisë dhe të tashmes vetëm nga pozita e një shkrimtari të madh dhe është pikërisht kjo pozitë që kremton Çmimi Neustadt, dhe pikërisht për shkak të kësaj pozite fjalët e tij do të jetojnë në të tashmen, do t’u flasin njerëzve në të gjithë botën dhe do të lexohen për shumë dekada dhe shekuj të ardhshëm.

Si shqiptare që jeton jashtë vendit, i jam mirënjohëse për artin që ka krijuar. Ai më ka kthyer herë pas here në Shqipëri, te brezi i gjyshërve të mi – një brez njerëzish të shkëlqyer dhe punëtorë, jeta e të cilëve kaloi duke punuar shumë dhe duke punuar në mënyrë krijuese për shumë pak para dhe, pavarësisht nga dëshirat e tyre më të mira, dhe gjithë asaj pune, në fund mbetën me shumë pak të ardhura. Vepra e Kadaresë, letërsia e tij e madhe botërore, e lindur në një kohë shtypjeje të tmerr­shme në Shqipëri, përkujton atë brez dhe humbjet e tyre. Edhe nëse nuk prek drejtpërdrejt humbjet, edhe nëse autori nuk është disidenti i përkryer, siç nuk ka mëtuar kurrë të jetë, Pallati i ëndrrave nuk mund të lexohet ndryshe por vetëm si paraqitje therëse dhe brilante e një sistemi totalitar që kërkon të zhvesh qeniet njerëzore nga liria dhe imagjinata dhe nuk mund të mos kremtosh testamentin e përhershëm të lirisë së imagjinatës siç është vepra e Kadaresë.

Duke jetuar dhe shkruar dhe duke lënë pas kryeveprat letrare që ka krijuar, Kadare i rezistoi regjimit të Hoxhës. U jam mirënjohëse që vepra e tij u vlerësua me Çmimin Neustadt.

 

[1] Ani Kokobobo është profesoreshë e asociuar dhe shefe e Departamentit të Gjuhëve dhe Letërsive Sllave dhe Euroaziatike në Universitetin e Kansasit. Shkrimet e saj janë botuar në Washington Post, LARB dhe Chronicle of Higher Education.

[2] Cituar te David Damrosch, Çfarë është letërsia botërore (Princeton University Press, 2003), recencë në World Literature Today, maj 2004, f. 95.

[3] Shih Ismail Kadare, Ese për Eskilin, Danten, Shekspirin (Restless Books, 2018); recensë në WLT, mars 2018, f. 89.

[4] World Literature Today, dimër 2021, f. 47-48.