MENU
klinika

Situata në PD

Lubonja: Zgjedhjet lokale mund të jenë fundi i kësaj historie!

22.12.2021 - 16:57

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin ‘Pikat mbi i’ në ‘News24’ u shpreh se debati i brendshëm në Partinë Demokratike tregoi se raportet e politikanëve në vend, janë raporte hipokrizie dhe se nuk janë të bazuara në raporte idealesh.

Po ashtu ai theksoi se qëndrimi i kreut të PD-së Lulzim Basha, ndaj të gjithë ngjarjeve që kanë përfshirë opozitën tregon se ai është dorëzuar.

“Kur Lulzim Basha u kontestua nga të vetët përpara se të ndodhte kjo e Berishës, kam qenë i idesë se ndoshta Basha duhet ta zgjeronte partinë. Këtu hynë  në lojë amerikanët dhe e ngatërruan më keq. Tani të dy liderët dolën me mendësi autoritare. Aktori kryesor në skenë është Rama, është ai që i thotë Bashës ti je legjitim ndërsa Berishës së është non-grata dhe nuk e duan amerikanët. projekti i Bashës është ë hiqet qafe Berisha dhe të tjerët më pas nuk kanë ku të shkojnë dhe do t’i bashkohen atij. Por nga ana tjetër besoj se edhe Berisha nuk e merr dot lehtë partinë. Ky sherri midis tyre tregoi se raporti i politikanëve janë raporte hipokrizie , nuk janë raporte idealesh. Këtë tregoi gjithë ky sherr. Po ashtu mendoj se do të shohim një dështim të PD, pra pasojën e parë të kësaj që ndodhi. Qëndrimi i Bashës sikur Shqipëria është në normalitet, ky është një dorëzim i tij dhe një kthim i opozitës në situatën kur i shihje në parlament, Gjuzin me Murrizin që bërtisnin kundër Ramës…por në fund Rama bënte punën e tij. Tani Basha e ka pranuar këtë me hir apo me pahir”, tha Lubonja.

Nga ana e tij analisti Artur Zheji, ndërsa foli për përplasjet në Partinë Demokratike, mes kreut të PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, u shpreh se të dyja palët po kërkojnë arbitër.

 

 

“Sot kemi rreshtimin e ndërkombëtarëve në krah të qeverisë dhe duke shpërfillur denoncimet për përgjimet që u bënë. Pra janë bërë shumë deklarata të forta se me Ramën nuk negociohet. Tani cunami demokrat , protesta të lodhshme , i kemi parë dhe komentuar dhe mendonim se do vinte një moment që qeveria do të rrëzohet dhe kjo nuk ndodh dhe madje kur u humbën zgjedhjet, u tha se ishte një lojë e Bashës për t’ja dorëzuar pushtetin Ramës. Pra dogji mandatet doli i keq, tani çështja e pranimit të palëve nga palët/Njëra nga partitë do të bëhet si LSI, sepse u shkëput si një brinjë e PS. O janë thënë gjëra të tmerrshme mes Ramës dhe Metës por sërish u ulën bashkë. Pra herët apo vonë për interesat e pushtetit apo të shqiptarëve ata mund të bëhen bashkë sepse marrëzia e tyre i lë ato në periferi. Palët po kërkojnë arbitër…Këtu duhet njohur arbitri , fjalët e tjera janë vetëm retorikë…”, tha Zheji.

Gjatë bisedës në studio Lubonja më tej tha se partitë në vend janë ndërtuar më shumë si kompani biznesi për përfitime personale dhe se nuk janë parti për disa parime apo ideale.

“Partitë i kam quajtur banda që bëjnë luftë për të bërë territorin dhe banda më e madhe po largon bandat e tjera. Dhe përçarja po ashtu që po i bëhet opozitës është për të dalë e vetme për të fituar territor si bandë duke pasur pushtetin e vetme”, shtoi më tej Lubonja.

Më tej Zheji tha se pavarësisht sulmeve shtrirja, në kohë e këtij procesi që po ndodh në PD nuk shkon në favor të ish-kryeministrit Sali Berisha, por do të jetë në favor të kreut të PD-së Lulzim Basha.

“Berisha po sulmon, Basha po mbrohet dhe po reziston. Pavarësisht sulmeve , shtrirja në kohë e këtij procesi nuk shkon në favor të Berishës , por do të jetë në favor të Bashës”, tha më tej Zheji.