Pjesa e dymbëdhjetë
Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Nga: Dashnor Kaloçi
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin, “Vigjilenti” lidhur me bisedat e të internuarave në Ishullin e Zvërnecit
Marrë nga P.op. Maliq Mersini
Dhënë nga B.p. “Vigjilenti”
Vlorë, më 28/1/1959
R A P O R T
(prej datës 21 deri 28 Janar 1959)
Gjatë kësaj kohe janë biseduar këto çështje nga personat e poshtë-shënuar:
Peçi Fidhi, duke biseduar me Rasim Tahirin tha: “Partia është ajo që më çojë në rrugën e keqe dhe të bëhem antiparti dhe armik i saj. Nuk do të harroj kurrë trajtimin e keq që më ka bërë, duke më nxjerrë jashtë nga shtëpia e nga Tirana, megjithëse kisha edhe djalin e sëmurë”.
Veprimtaria e tij kundër Partisë e Pushtetit: Peçua tha se po të kish fituar elementi antiparti e antipushtet, edhe unë do ti trajtoja dhe do të merrja të tilla masa kundër udhëheqjes së Partisë e Pushtetit.
Peço Fidhi, i ka thënë Xhafer Vokshit, se gjatë 12 ditëve që ka qëndruar në Vlorë, ka qenë edhe në Tiranë.
Peço Fidhi, duke biseduar me Rasim Tahirin dhe Xhafer Vokshin, filloi të shajë Petro Nenin dhe nga ana tjetër të komentojë kultin e individit, por kjo kritikë nuk ka qenë e drejtë, mbasi Palmiro Toljati, nuk shau sistemin socialist. Kur u kritikua Palmiro Toljati edhe Partia jonë filloi ta kritikojë me kot, vazhdon Peçua, se mos kemi ne marksistë si Toljati në Partinë tonë, vetë shoku Enver është i ri në moshë e si marksist. Intervista e Toljatit ka qenë Marksiste-Leniniste dhe i është bërë një analizë e mirë. Mua ma ka lexuar italisht në shtëpi një shok këtë intervistë, por emrin e tij nuk e tregoi.
Peço Fidhi dhe Xhafer Vokshi, thonë se Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe Partia Punëtore Poloneze, mbajnë qëndrim të butë dhe ndihmues karshi Lidhjes së Komunistëve Jugosllavë, kurse Partia jonë, e Bullgarisë, e Kinës, etj., mbajnë qëndrim më të prerë. Kjo tregon se nuk e kanë problem revizionizmin.
Peço Fidhi, në fund tha se: Toljati është shumë i fortë dhe ja u hedh të gjithë sekretarëve të I-rë të Partive, se është më i fortë se Hrushovi dhe Torezi. Si Peçua dhe Xhaferi, thanë se Toljati filloi menjëherë të shkojë tek Titoja dhe të shkëmbejnë eksperiencën (këtu filluan që të dy të lavdërojnë eksperiencën e Titos si p.sh. këshillat punëtorë dhe ndërtimin e socializmit sipas konditave), por thanë si Xhaferi dhe Peçua, se Titos ju rrit mendja dhe kaloi në rrugën kundër kampit socialist, por shumë gjëra i ka të mira.
Gjovalin Luka, i ankohet Rasim Tahirit, për sëmundjen që ka dhe thotë se shokët e organeve të Punëve të Brendshme, duke filluar që nga Ministri, janë të poshtër dhe fjalë të tjera banale. I ka thënë Rasimit gjithashtu se Faik Abdyli, ka denoncuar Zija Dibrën, prandaj Faiku është i poshtër, po kështu thotë dhe për Sitki Bushatin dhe Zenepe Ashikun, se edhe këta kanë fol për Zija Dibrën. I dhimbset Zijai.
Xhavit Qesja, na ka treguar se çfarë ka qenë më parë Aqif Lleshi, dhe tha se ky ka qenë njeri i lekut, herë bëheshe me Zogun, herë me Krajlin e Jugosllavisë, kur erdhi Italia me Italianët, kur erdhi Gjermania me Gjermanët, nuk ka qenë me Lëvizjen dhe sot merr pension 6.000 lek në muaj. I biri i Aqif Lleshit, (Mustafa Lleshi), ka qenë në U.D.B., ka futur ose ka ndihmuar për t’u future në burg patriot shqiptarë, kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë më 1948, më vonë ka ardhur në Shqipëri dhe sot në vend që të jetë si emigrantët e tjerë në Llakatund, punon në Kryeministri, kjo nuk është e drejtë – thotë Xhaviti -. Këtë e aprovojnë, si Pëllumb Dishnica, ashtu dhe Gjovalin Luka, kurse Xhafer Vokshi, thotë se kështu e don politika, se nesër mund të vijë dhe Fadil Hoxha e Xhavit Nimani, por nuk do t’i çojnë në Llakatund, se nuk e don politika, kështu si thua ti Xhavit?
Gjovalin Luka, Reth çështjes së Aqif Lleshit dhe Mustafa Lleshit, tha se prandaj as Titua nuk na i dorëzon në kriminalitet, mbasi edhe ne nuk ja dorëzojmë atij. Xhavit Qesja, tha se këto që them për Aqif Lleshin e Mustafa Lleshin, i them në bazë të notave të Qeverisë Shqiptare dhe të fjalimeve që kanë mbajtur udhëheqësit e Partisë tonë e të Qeverisë. Pëllum Dishnica, tha që i lumtë Aqif Lleshit, që di ta luajë politikën.
Gjovalin Luka, i ka thënë Rasim Tahirit, se përsëri i vëllai i Gjovalinit i ka dërguar libra, por nuk i lejojnë me ja dhënë, këtë ja ka thënë e shoqja e Gjovalinit dhe Gjovalini filloi të shajë me fjalë banale shokët e Ministrisë Brendshme, për të cilët thotë se, janë të poshtër gënjeshtar, mbasi vetë thonë që nuk ja u pengojmë librat, kurse në të vërtetë nuk i lejojnë.
Xhafer Vokshi, i ka thënë Rasimit, se për ne Qeveria bën shpenzime të kota, duke na mbajtur këtu pa punë, por kanë qëllim të na fusin në burg, pasi kështu kanë mbajtur edhe Tukun, Bedriun dhe Hulusiun, prandaj – tha Xhaferi -, ja kam frikën arrestimit.
Në një letër që i ka shkruar e shoqja, thotë se i kish thënë një grua në Fier, që Xhaferin e kanë dënuar me 16 vjet, e shoqja e Peço Fidhit, tha se këtë fjalë Agetinës, ja kish thënë e shoqja e Vojo Bilbisë.
Duke biseduar rreth pagëzimit të fëmijëve, Xhafer Vokshi tha se edhe Marksi ka festuat Krishtlindjet. Këtë mendim të Xhaferrit, e kundërshtuan të gjithë sa ishin prezent, duke thënë se Marksi ka qenë ateist.
Xhavit Qesja, duke na treguar nga Ogonjoku mbi ndeshjet sportive në mes të skuadrës Sovjetike dhe të Brazilit, kjo e fundit kishte fituar dhe me këtë skuadër kish patur takim Presidenti i Brazilit, i cili u kish dhuruar nga një makinë e shtëpi çdo lojtari, u kishte vënë emrat e lojtarëve, rrugëve.
Ky është trajtim tha Xhaviti. Kurse Xhafer Vokshi, tha se sikur të më kishin dhënë shtëpi në vend të rrugës “Asim Vokshi” për mua do të ishte më mirë, nuk më duhet emri, por lekë.
Xhafer Vokshi, i ka thënë Rasim Tahirit, se Bedriu është interesuar kur Xhaferri ishte në Komitetin e Kulturës, për të mos ju ulur rroga, më vonë e ka dërguar në gazetën e emigrantëve dhe aty me të njëjtën rrogë. Të gjitha këto – thotë Xhaferri – m’i ka bërë Bedriu, mbasi ky është kujdesur.
Për Tukun thotë se edhe ky është interesuar kur ishte N/Kryeministër, i ka bërë një lutje, pasi donte të martohej dhe menjëherë Tuku i ka dhënë 20.000 lek. Sikur të mos ishte Tuku – thotë Xhaferi – nuk do të më ndihmonin për të më dhënë ato të holla.
Xhafer Vokshi, vë në lojë në formë tallje fjalimet që ka mbajtur Stalini gjatë luftës, duke i imituar rusisht dhe të tjerët qeshin.
Agetina Vokshi, i tregoi Rasimit, se Tukun e kanë dënuar 20 vjet dhe nuk mundem të shkojnë për të pare, mbasi kanë frikë. Frano Jakova me të shoqen, i kanë prurë duhan dhe nuk munden që t’ja çojnë Tukut, se kanë frikë dhe duhani ka mbetur tek nëna e Maries në Tiranë.
“Vigjilenti”
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Maliq Mersini, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin, “Vigjilenti” lidhur me bisedat e të internuarave në Ishullin e Zvërnecit
Marrë nga P.op. Maliq Mersini
Dhënë nga B.p. “Vigjilenti”
Vlorë më 4/II/1959
R A P O R T
(Prej datës 28/I/59 deri më 4/II/59)
Gjatë kësaj kohe janë biseduar këto çështje politike dhe ekonomike nga personat e poshtë shënuar:
Peço Fidhi, duke lexuar gazetën “Zëri i Popullit”, vërejti se në raportin e Hrushovit, thuhesh se tani në Bashkimin Sovjetik, nuk ka më të burgosur politik dhe kjo e çuditi Peçon, kurse të tjerët nuk folën, vetëm Xhafer Vokshi tha se ky është sukses dhe ishalla bëhet edhe tek ne, mjafton të bëhet 5%. Në gazetën e datës 1 Shkurt, Pëllumb Dishnica kishte lexuar fjalimin e Mikojanit, i cili kishte thënë se në Bashkimin Sovjetik, nuk ka më të burgosur politik dhe as nuk bëhen ndjekje politike dhe se në grupin antiparti të Malenkovit, Kaganoviçit, Molotovit, Bulganinit, e Shepilovit, ka pas dhe të tjerë. Nuk flasin asgjë në lidhje me Kongresin e XXI-të, sidomos Xheviti, Pëllumbi dhe Nuri Huta.
Peço Fidhi, tha se në përshëndetjen e Toliatit dhe të Gomulkës, nuk goditet me emër revizionizmi jugosllav, por thonë vetëm revizionizmi. Peço Fidhi i tha Rasimit dhe Xhaferrit, se Partija jonë, Moravskin e quan oportunist, kurse ai rri gju më gju me Hrushovin.
Pëllumbi e Xhaviti, duke folur mbi grupin antiparti të Malenkovit me shokë, thonë se gjithë pjesëtarëve të grupit u caktuan punë dhe funksione të ndryshme dhe kundër tyre nuk u morr asnjë masë e rëndë.
Si Pëllumbi dhe Xhaviti, duke bërë fjalë mbi problemet ekonomike të vendit tonë, thonë se fabrikat e marmelatës në Elbasan, Shkodër e Korçë, janë vetëm punishte me makineri të vjetra, po kështu thonë edhe për Kombinatin e Peshkut në Vlorë, që nuk është gjë tjetër, veçse një fabrikë me makineri të vjetra dhe primitive.
Xhaferri, paraqitet i mërzitur që nga koha që i iku gruaja. Xhaferri tue fol me Rasimin, tha se Xhavit Qesja, do të ketë fol ndonjë pakënaqësi për disa shokë që janë bërë anëtar të Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe që nuk kanë meritat e Xhavitit, duke prurë si shembull Pjetër Kostën, Rrapi Gjermenin.
Agetina Vokshi, kur ishte tek Xhaferi, na tha se qe takuar me të motrën e të shoqes së Xhavit Qeses, e cila kish pyetur Agetinën në Tiranë, për Xhavitin dhe Agetina i qe përgjigjur, se është mirë me shëndet, kurse e shoqja e Xhavitit, rrinte larg kur Agetina po i tregonte të motrës së Meribanit. Kjo tregon se Xhaviti nuk është ndarë me të shoqen, por kanë prerë çdo lidhje e korrespodencë, me qëllim që të mos ketë ndonjë konsekuencë Meribani.
U bisedua nga ana e Xhavitit e Pëllumbit e Peços, se Adem Deliu, është me i zoti se Pirro Dodbiba, pasi ky i fundit e ka marrë diplomën duke dhënë provimet për reformën agrare.
Peço Fidhi, ka thënë se në kohën e Stalinit, nuk kishte sheqer dhe makarona për një javë rresht dhe bukën e merrnin me radhë dhe të zezë. Kurse tani që është Hrushovi, ndryshoi menjëherë. Peçua ka fol keq gjithashtu dhe për shokun Adil Çarçani, duke thënë se nuk e honeps dot, nuk është i zoti, është arrogant dhe se u bë kandidat i Byrosë, se goditi pikëpamjet e Pajo Islamajt dhe jo për ndonjë punë tjetër.
Gjovalin Luka, thotë se jemi mirë të internuar këtu, gjella na vjen e gatshme, prandaj kam menduar të shkruaj romanin. Këtë e quan si leje krijimtarie. Gjovalini nuk është i sëmurë aq sa paraqitet. Barant që ju dhanë herën e parë, nuk i ka përdor të gjitha. Rrin gjithë ditën brenda dhe merret me shkrimin e romanit. Memorie.al