Një pllakë e vogël balte, që daton 3,500 vjet më parë dhe që përmban një pjesë nga ”Epi i Gilgameshit”, artefakt ky grabitur nga një muze në Irak, rreth 30 vjet më parë dhe gjetur së fundmi në Shtetet e Bashkuara, iu kthye zyrtarisht Irakut, kësaj të marte.
“Epi i Gilgameshit” nuk është vetëm tregimi i një aventure heroike, edhe pse peripecitë janë të shumta. Gilgameshi dhe miku i tij besnik, Enkidu, nisen në ekspeditë kundër Humbabës, ruajtësi i pyllit të cedrave. Ata përballen me Demin Qiellor, i dërguar nga perëndesha Ishtar. Pas vdekjes së Enkidusë, Gilgameshi vihet në kërkim të Uta-napishtimit, heroit, të cilin perënditë e shpëtuan nga përmbytja, për t’i kërkuar sekretin e pavdekshmërisë.
Temat kryesore të trajtuara në epope kanë karakter fetar, gjë që i lejon poemës të mos jetë thjesht tregim aventurash. Gjatë gjithë poemës, marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe perëndive shprehen në mënyra të ndryshme, duke vënë në dukje linjat kryesore të fesë mesopotamike. Ato nuk ishin asnjëherë pa rrezik: perënditë mund t’i ndihmonin njerëzit, por ato edhe mund t’ua vështirësonin shumë jetën. Ato kërkonin një përkushtim të plotë, por nuk jepnin garanci për të qenë të mëshirshme.
Pllaka prej 1.7 milionë dollarësh, e njohur si “Pllaka e ëndrrave të Gilgameshit”, është një nga veprat më të vjetra të letërsisë të mbijetuara në botë dhe një nga tekstet më të vjetra fetare.
Ajo u gjet në vitin 1853, si pjesë e një koleksioni me 12 pllakat, në rrënojat e bibliotekës së mbretit asirian, Assur Banipal.
Ajo u grabit nga muzeu gjatë luftës së Gjirit, të vitit 1991.
Zyrtarët besojnë se ajo u importua ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në vitin 2003 e më pas, u shit në ”Hobby Lobby”, për të përfunduar e ekspozuar në Muzeun e Biblës në Uashington.
UNESCO e ka përshkruar procesin e rikuperimit të artefaktit të vlefshëm, si kulmin e bashkëpunimit midis SHBA-së dhe Irakut, të dy shtetet nënshkruese të Konventës së UNESCOS, në vitin 1970.