MENU
klinika

''Vargjet - yje zemre''

Poradeci, gjeniu i një kohe të vështirë

28.12.2021 - 09:42

         Poezia e tij shenjoi romantizmin. Me vargjet e përdëllyera… nga lartësitë qiellore të shpirtit të poetit, që erdhën për të gjetur gjuhën shqipe: 122 vjet më parë, më 27 dhjetor lindi Lasgushi./Konica.al

34 vite pas ndarjes nga jeta të poetit, e bija Maria, në një rrëfim të veçantë për Report Tv, sjell një tablo të jetës së shkrimtarit. Kujtime dhe nostalgji, për një poet që, në kohën kur jetoi nuk u vlerësua sa duhej.

Ajo zbulon për herë të parë sesi ditëlindjet, nuk ishin festuar ndonjëherë në shtëpinë e familjes së poetit.

Poezia, për të ishte liria absolute e shpirtit shprehës të një krijuesi…

Ishte Llazar Sotir Gusho, apo siç njihet ndryshe Lasgush Poradeci, gjeniu i lirikës shqiptare, ai i cili arriti kulmin e krijimtarisë në mesin e viteve ‘30-të, të shekullit të shkuar, me poezinë që shkruhet vetëm njëherë.

Në ditëlindjen e 122-të, të gjeniut të letrave shqipe, e bija solli në kujtesë pjesë nga jeta dhe dëshirat e hershme të poetit, që ndonëse jetoi shekullin e kaluar, i la një pasuri të paçmuar gjuhës shqipe… vargjeve-perla për dashurinë, vetë jetën!

”Kur ishte babi gjallë ne nuk festonim ditëlindjet, por ditën e emrit. Edhe Vitin e ri, nuk e kemi festuar, kemi festuar vetëm Krishtlindjet. Herë-herë them me vete fati e caktoi që unë të jem vajza e Lasgush Poradecit dhe kjo është për mua si të kapësh qiellin me dorë. Por nga ana tjetër është një dhimbje e pamatë, referuar kohës kur jetoi im atë, pasi ai jetoi në një kohë që nuk i përmendej emri dhe mendo një poeti të mos i botohej vepra, një njeriu poliglot siç ishte babi im dhe me një kulturë të jashtëzakonshme”- tha Gusho.

Sikur tregon Maria, poezia për Lasgush Poradecin ishte një pjesë e pandashme në jetën e tij, pa të cilën, poeti nuk mund ta kuptonte qenien e vet. Në pjesën më të madhe të krijimtarisë, Poradeci nuk përcjell vetëm emocionin estetik, por vetë fuqinë e jetës.

”Procesi i krijimit është një magji, dhe me këtë magji ishte i mbarsur babai im. Procesi i krijimit është një gjë shumëpalëshe, shumëdimensionale dhe duhet ta kuptosh sepse nuk kam dëgjuar deri më sot asnjë artist të flasë kush është procesi i krijimit pasi babai im thoshte gjithmonë asnjë ditë pa lexuar një faqe. Nga ana tjetër, dashuria është çmenduri. Që të futet poeti në procesin e krijimit duhet të shmanget nga arsyeja njerëzore. Poezia është forma më e lartë e artit dhe e para nga të gjithë të tjerat. Një libër me poezi thoshte babi është një libër formimi, ndërsa një roman është një libër bashkëbisedimi”- tha e bija e poetit.

I konsideruar, princ i poezisë së dashurisë, Lasgush Poradeci shkroi lirika deri në përfundim të Luftës së II, ndërsa ajo që nuk diti të ndante kurrë nga vetja, ishte dhe dashuria e tij për familjen.

“Babai im, duke u rritur në një familje të madhe në Pogradec, ai e dashuronte familjen, e donte shumë. Për mamin tim pas vdekjes, thoshte ishte kaq e mirë sa nuk ma prishi kurrë. Mami ishte një grua që e kuptonte çfarë ishte procesi krijues. Njeriu nuk realizohet vetëm me familjen. Kur ti realizon vokacionin tënd është lumturia.”- u shpreh Gusho.

Një pjesë e rëndësishme që ruan e bija Maria, nga kujtimet dhe biblioteka e pasur e poetit janë ditaret e vegjël, korrespondencat intime dhe letërkëmbimet e shkrimtarit që ka pasur ndër vite me shokun e tij të Bukureshtit, Mitrush Kutelin.

“Është vetëm një ditar, që ne e bëmë me rastin e 100 vjetorit të lindjes së babait tim. Dhe ai është një ditar i letrave të dashurisë të mamit dhe babit. Po, ai ishte korrespodenca dhe ditar dhe të shoqëruara bashkë me datë sepse babi ka mbajtur ditar gjatë gjithë kohës. Madje, babi kishte një veçori mbante kopje të letrës, që niste. Korrespondencën e Mitrush Kutelit dhe me Asdreni kështu i kam botuar. Ai nuk ishte një person, ishte një personalitet.

Pas kësaj që i thonë se erdhi Demokraci, që s’e besoj se është demokraci. Babit, nuk i është dhënë ajo që i takon deri më sot. Nuk bëhen kështu gjërat. Këta njerëz të mëdhenj, në çdo vend të kulturuar të botës, po ne mesa duket nuk bëjmë pjesë në këto kombe, i institucionalizon personat e veçantë që ka, në kuptimin që i trajton si një institucion. Sepse ai vazhdimisht thoshte kur ishte gjallë, kujdestarja e dokumentave të mia të jetë Nëna Shqipëri” – rrëfen ajo.

Janë mbi 25 mijë fletë dokumente dhe objekte nga trashëgimia e pasur e tij, dhuruar nga familja e poetit, që ruhen sot në fondin e Arkivës Qendrore të Shtetit, mes tyre letërkëmbime, 8 562 fletëshkrimi, 3 662 fletëgazeta, 14 harta, ftesa, telegrame, kartmonedha, kartolina dhe dekorata të aksesueshme për studiuesit.

Filolog, përkthyes, shkrimtar dhe pioner i letërsisë moderne shqipe të shek. XX, Lasgush Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve”, botuar në 1933 dhe “Ylli i zemrës”  më 1937 në Bukuresht. Ai lindi në 27 dhjetor 1899, në Pogradec dhe u nda nga jeta në 12 nëntor të vitit 1987 në Tiranë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


... ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi"

“Ka poetë që s’dinë të përkthejnë…

Rrëfimi i veçatë i gruas që i shërbeu 20 vjet poetit

“Gjyqet” e Lasgush Poradecit me të shoqen për dashuritë e huaja

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit