MENU
klinika

Bashkëqytetari niset për ta vrarë

Sherr në Roskovec, 55-vjeçari e godet me mjet të fortë

16.12.2021 - 13:17

Policia e Fierit ka parandaluar një ngjarje kriminale në Roskovec, duke arrestuar një 55-vjeçar. Në pranga ka rënë shtetasi Bujar Hajdini, i cili akuzohet për plagosje të rëndë me dashje, si dhe është proceduar për kanosje shtetasi Vladimir Hoxha.

Sipas bluve të Fierit, 55-vjeçari Hajdini, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet të fortë shtetasin Vladimir Hoxha, i cili ka marrë armën e gjahut dhe është nisur për në banesën e 55-vjeçarit për ta vrarë, por ndërhyrja e policisë ka parandaluar krimin.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier pas marrjes së informacionit se në Roskovec po ndodhte një konflikt mes dy shtetasve, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

 

 

Në qytetin e Roskovecit, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, shtetasi B. H., ka goditur me mjet të fortë shtetasin V. H., i cili ka marë armën e gjahut dhe është nisur për në banesën e shtetasit B. H., por ndërhyrja e patrullës së Policisë ka bërë të mundur parandalimin e një ngjarje të mundshme kriminale duke e kapur në kohë shtetasin V. H bashkë me armën e gjahut (të cilën e kishte me leje).

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” shtetasin B. H., 55 vjeç, banues në Roskovec dhe proceduan penalisht për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosje” shtetasin V. H., 60 vjeç, banues në Roskovec (i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.