Nga Stefano Graziosi & James Jay Carafano “National Interest”
Aspirata e një “Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe” po vihet seriozisht në provë në Ukrainë. Dhe tani për tani, evropianët duken larg marrjes së një note kaluese. Vladimir Putin i ka përdorur prej kohësh territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi si baza për të destabilizuar solidaritetin evropian, dhe për të kërcënuar sigurinë e shteteve fqinje, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë javëve të fundit, Putini e ka shtuar ndjeshëm presionin, duke kërcënuar me një sulm ndaj Ukrainës, dhe duke i bërë NATO disa kërkesa që janë gati të pamundura të plotësohen. Do të ishte e padrejtë të thuhet se Evropa nuk ka bërë asgjë në kundërpërgjigje.
Ministrat e jashtëm të G7-ës (ku përfshihen 4 fuqi evropiane:Franca, Italia, Gjermania dhe Britania) kërcënuan me hakmarrje nëse Kremlini urdhëron një pushtim ushtarak të Ukrainës.
“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se agresioni i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës, do të kishte pasoja dhe kosto të rënda si kundërpërgjigje”-thanë ata. Më tej, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj “Ëagner Group”, një organizatë paraushtarake ruse, luftëtarët e së cilës veprojnë në Ukrainë, por edhe në shumë vatra të nxehta anembanë globit.
Po ashtu, asnjë vend evropian nuk ka sinjalizuar ndonjë mbështetje për kërkesat e tepruara të Putinit, të cilat përfshijnë dhënien fund të zgjerimit të NATO-s. Por nga ana tjetër nuk ka pasur një përgjigje koherente ndaj ngacmimeve të Putinit. Evropianët nuk ndajnë një qasje të vendosur dhe të qartë mbi çështjen e Ukrainës.
Pozicioni i Berlinit është i paqartë. Disa nga partitë politike në qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga kancelari i ri, Olaf Scholz, duan një qasje më të ashpër ndaj Rusisë. Edhe kreu i CDU-së në opozitës, Friedrich Merz, po bën tani thirrje për një linjë më të ashpër ndaj Putinit.
Gjithsesi, politika e jashtme gjermane duket më kaotike se kurrë më parë. Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov deklaroi për “Financial Times”:Ata janë ende duke ndërtuar gazsjellësin “Nord Stream 2”.
Ukraina, si dhe disa vende të tjera të Evropës Qendrore, argumentojnë se gazsjellësi ruso-gjerman do t’i jepte Putinit fuqi edhe më të madhe për të shantazhuar vendet evropiane, duke ndërprerë furnizimet me energji. Megjithatë qeveria e re gjermane mbetet e përçarë nëse do ta lejojë apo jo nisjen nga puna të këtij gazsjellësi.
Zhgënjyes ka qenë edhe qasja e Gjermanisë ndaj shitjes së armëve. Reznikov e fajësoi publikisht Gjermaninë për bllokimin e blerjes së armëve mbrojtëse përmes NATO-s. “Kjo sjellje është shumë e padrejtë”- u ankua ai.
Kur u pyet në lidhje me këtë çështje, në një intervistë që dha për agjencinë Deutsche Presse-Agentur, Ministrja e re e Jashtëm e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e zbehu rëndësinë e kësaj çështje. “Përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak nuk do t’i sillte Ukrainës një siguri më të madhe”- deklaroi ajo.
Ishte një përgjigje e pakuptimtë. Në kushtet kur Rusia grumbullon mbi 100.000 trupa në kufirin e Ukrainës, argumenti se të ndihmosh ukrainasit të përgatiten për t’u mbrojtur është një sjellje që përshkallëzon situatën, e dëmton shumë besueshmërinë e Evropës.
Ministri i Jashtëm gjerman do të vizitojë këtë javë SHBA-në. Mbetet të shihet nëse Berlini ka diçka më të mirë për të sjellë në tryezë. Por ndërsa Berlini dredhon herë pas here, edhe Brukseli nuk po shfaqet më mirë.
Gjatë një bisede telefonike të fundit me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme Josep Borrell bëri thirrje për zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Minskut (marrëveshjet e vitit 2015, që supozohej të zgjidhnin konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës).
Po kjo qasje është thjesht naive. Marrëveshjet në fjalë janë de fakto të rrëzuara. Nga ana tjetër edhe Parisi, luhatet midis kërcënimeve të ashpra dhe lutjeve për dialog. Roma është më së shumti e shqetësuar për furnizimet e saj me energji.
Në një konferencë për shtyp, kryeministri italian Mario Draghi deklaroi pak ditë më parë:“Në rast se duam të vendosim sanksione që përfshijnë edhe gazin, a jemi vërtet të aftë ta bëjmë këtë? A jemi mjaftueshëm të fortë? A është koha e duhur? Është e qartë se përgjigja është jo”.
Londra ka qenë më e prirur ta paralajmërojë Putinin mbi pasojat e rënda si pasojë e sjelljeve të tij. Por Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Ëallace deklaroi prerë në një intervistë:”Ka shumë pak gjasa që Britania apo aleatët e saj të dërgojnë trupa për të mbrojtur Ukrainën, nëse ajo pushtohet nga Rusia fqinje!”.
Edhe pse janë shumë të shqetësuar për kërcënimin e një sulmi ndaj Kievit, fqinjët evropiano-qendrorë të Ukrainës, duket se nuk kanë ndërmend veprime të caktuara që mund të ndërmerren për të parandaluar një sulm rus.
Kundërshtimi më i ashpër ndaj sjelljes së Rusisë, ka ardhur nga Evropa Veriore, ku kryeministrja finlandeze Sanna Marin deklaroi plot guxim, dhe në kundërpërgjigje të kërkesës së Putinit për t’i dhënë fund zgjerimit të NATO-s:”Finlanda po sheh mundësinë e aplikimit për anëtarësim në NATO!”.
Mungesa e një përpjekjeje të unifikuar evropiane, përbën një shqetësim serioz. Sfida në përballjen me krizën e Ukrainës nuk është “shtensionimi” i situatës. Putin nuk ka asnjë interes për këtë gjë. Atij i intereson vetëm të nxjerrë përfitimet e mundshme maksimale nga kriza që krijoi.
Perëndimi duhet të fokusohet në mbështetjen e sovranitetit të Ukrainës dhe kapacitetit të ukrainasve për të mbrojtur veten. Kjo do të kërkojë marrjen e masave ndëshkuese ndaj Putinit për shkak të kërcënimit të Ukrainës, dhe jo vetëm bërjen e propozimeve si një përgjigje pasi të ketë nisur sulmi ushtarak.
Për më tepër, evropianët duhet ta kuptojnë se kjo krizë nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Ukraina nuk është një problem i largët. Në sytë e Putinit, Ukraina është një mjet për të arritur qëllimet e tij të hershme, që janë garantimi që Evropa të mos jetë kurrë “e plotë, e lirë dhe në paqe”.
Putin e sheh sigurinë si një lojë me shumën zero:Ai mund të fitojë vetëm nëse humbin të tjerët. Ukraina është një pasojë e krizës së fundit me Bjellorusinë, kur Minsku e përdori migrimin e paligjshëm nga Lindja e Mesme si një lloj arme për të krijuar trazira në Ukrainë, Poloni dhe në mbarë Bashkimin Evropian.
Kriza e migracionit në Bjellorusi, ishte pjesë e së njëjtës strategji më të madhe, nëpërmjet së cilës Putin synon të dobësojë frontin perëndimor, duke synuar përçarjen e aleatëve, pasjen përballë të një Brukseli të pavendosur, dhe ftohjen e marrëdhënieve transatlantike me Uashingtonin pas dështimit në Afganistan.
Për Perëndimin, ka vetëm një përgjigje të drejtë:mbështetje e fortë për Ukrainën, duke e rigjallëruar dhe e zgjeruar menjëherë kapacitetin mbrojtës të NATO-s, si dhe duke ndërtuar me shpejtësi sigurinë energjetike evropiane. Putin ka frikë dhe e respekton forcën. Ai e shfrytëzon me dinakëri dobësinë. Evropa duhet t’i japë fund ankthit, dhe t’i japë presidentit rus atë që ai i frikësohet, dhe jo atë që dëshiron.