MENU
klinika

Gjeniu i hekurudhës

Karl Gega, shqiptari i triumfit shkencor

10.01.2022 - 17:01

        Një dokument i 3 tetorit 1739 mund të konsiderohet si dokumenti i parë, gjetur deri tani, që fakton linjën e Gegëve: fillon me Giorgio (Gjergj) Ghegen dhe vazhdon me të birin, Cristoforo (Kristofor), që rezulton si oficer marine në Venedik, por edhe si pjesëmarrës në luftën veneciane të Thesalisë kundër turqve, ku mbetet i plagosur dhe humbë njërin krah. Kristofor pati një djalë me emrin Gasparo (Gaspër), i cili, në vazhdën e traditës familjare u bë oficer marine, duke arritur gradën e kolonelit

Më 10 janar 1802, në Venedik (asokohe pjesë e Monarkisë ose Perandorisë së Habsburgëve), lindi nga prindërit me origjinë shqiptare,  ndërsa të parët e tij kishin emigruar nga Shqipëria e Veriut pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit osman. Karl Ritter von Ghega ose në shqip Karl Gega, projektuesi i Hekurudhës Semmering nga Gloggnitz në Mürzzuschlag. Gjatë kohës së tij, ai ishte nga inxhinierët dhe arkitektët hekurudhorë më të shquar austriakë. I ati Anton Gega, një shqiptar që ishte oficer në Marinën Perandorake. Eshtrat e Karl Gegës janë vendosur në panteonin e njerëzve më të shquar të Austrisë, afër Moxartit, Bethovenit, Shubertit, Shtrausit, Brahmsit dhe Alois Negrellit. Në foto 20 Shiling kartëmonedha e Austrisë nga viti 1967 me portretin e Karl Gegës para dhe hekurudhën Semmering pas.

Karl Gega, ka hyrë në histori si një nga inxhinerët pionerë të hapjes së tuneleve në veprat e mëdha infrastrukturore.

Ishte inxhinieri me origjinë shqiptare, ndërtues i hekurudhës së Semmeringut, nga Gloggnitz deri në Mürzzuschlag në Austri. Ai studioi në Padova, Itali, ku edhe mori titullin ”Doktor i Shkencave Matematikore”. Karrierën e filloi si inxhinier në pjesën e Italisë verilindore dhe ndërtoi rrugë dhe ujësjellës në Venecia.

Në vitin 1842, Gega u emërua udhëheqës planifikimi për të gjithë jugun e shtetit austro-hungarez. Ndër të tjera, ndihmoi në ndërtimin e rrugës “Strada d’alemagna”, rrugës nga Treviso për në Cortina d’Ampezzo, hekurudhën Vjenë-Graz-Trieste dhe hekurudhën e Semmeringut. Kjo e fundit, mbetet si një nga veprat me të hershme dhe më të shquara të hekurudhave në Europë.

Në Semmering u hap dhe një tunel malor me gjatësi 1430m. Tuneli që përshkonte malin, llogaritej nga bashkëkohësit e tij, si shumë i rëndë dhe i pamundur. Pas mbarimit në vitin 1854, ai fitoi titullin ”Rihter” – ”Kalorës”.

Në vitet 1853-54, Gega planifikoi të gjithë rrjetin e hekurudhave në monarkinë Habsburge. Por, ndërtimi i hekurudhës së Semmeringut i kushtoi jetën Gegës, pasi rivalët thurën fjalë se tuneli i projektuar prej tij do të dështonte. Ndaj ai, vrau veten para se tuneli të përfundonte. Pas vdekjes së tij, punimet vazhduan dhe tuneli përfundoi me sukses.

Hekurudha e Semeringut, sfida e inxhinierisë së fundshekullit XIX përfqëson një ndër më guximtarët e inxhinierisë, gjeniun Karl Gega. Figurë e shquar shqiptare e teknikës hekurudhore në shek. XIX, ndërtuesi i hekurudhës së famshme të Semmeringut.

Si individ, Karl Gega u zhvillua para kohe. Mbasi kreu një kolegj për filizofi dhe matematikë me rezultate të shkëlqyera, në moshën 15-vjeçare u regjistrua në Universitetin e Padovës. Vetëm mbas një viti u diplomua në degën e inxhinierisë. Më 1819, kur sapo kishte mbushur 17 vjeç, merr titullin “Doktor në matematikë”. Iu kushtua ushtrimit praktik të inxhinierisë në shërbim të hekurudhave të mbretërisë Lombardo-Venete (krahinë e Perandorisë Austriake), duke u marrë edhe me trasimin e rrugëve, kanaleve dhe ndërtimin e godinave të mëdha. Ai punoi në hapjen e rrugës së madhe malore në provincën e Belunos. Gjatë periudhës 1824-30 në provincën e Trevisos, në një pjesë rruge drejtoi punimet edhe nga ana hidraulike. Nga 1830-’33 ishte inxhinier në Rovigo dhe më pas, deri në vitit 1836, u caktua në departamentin e ujërave pranë drejtorisë së bujqësisë në Venedik. Në vitin 1840 u gradua dhe u bë zëvendës në Drejtorinë e ndërtimeve për mbarë Tirolin. Aty projektoi rrugën malore që kalon nëpër Val Sugana, pastaj atë që kalon nëpër Oberinnthal, te Qafa e Finstermünsenit dhe bëri projektin e urës së varur mbi Etsh pranë Mores. Në vitin 1848, si inspektor i Drejtorisë së Përgjithshme të Ndërtimeve, drejton ndërtimin e hekurudhave të Jugut deri në Laihah.

Në këtë kohë bëri një udhëtim të gjatë studimi në Gjermani, Belgjikë, Francë e Angli dhe, me t’u kthyer, hyri përsëri në shërbimin e hekurudhave shtetërore dhe u mor me trasimin e linjës hekurudhore të Semmeringut, tunel i gjatë 1430 metra. Asokohe diskutohej lidhur me mundësinë e trasimit të një hekurudhe me aderencë të thjeshtë. Kësaj zgjidhjeje ai iu kushtua mbas një udhëtimi të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli. Më 1849 u bë drejtor i Seksionit të Ndërtimit të Hekurudhave dhe më 1850 drejtor i drejtorisë së përgjithshme për ndërtimin e hekurudhave shtetërore në Vjenë.

Zgjidhja e problemit të hekurudhës së Semmeringut nga Karl Gega u kundërshtua nga shumë specialistë, mbasi asohohe diskutohej shumë rreth vështirësive që lokomotiva të ngjitej në atë lartësi me kaderencë të thjeshtë, por përvoja tregoi se ishte një gjë e mundshme, siç e kishte parashikuar ai, që lokomotiva me tren të përshkonte një pjerrësi 25‰ dhe rreze 180 metra. Enkas për hekurudhën malore të Semmeringut u shpall një konkurs midis konstruktorëve të lokomotivave, për të ndërtuar një lokomotivë më të fuqishme, sepse zgjidhja e problemit kushtëzohej edhe prej forcës tërheqëse të lokomotivës. Në vitin 1860 përfundoi kjo linjë, që është shëmbulli parë i hekurudhave malore.

Rreth urës së Semmeringut

Për të pasur një ide rreth kësaj pune vigane, po japim disa shifra: gjatë linjës së kësaj hekurudhe u ndërtuan 16 ujësjellës, me gjatësi të përgjithshme prej 1502 metra, dhe 15 tunele, me gjatësi të përgjithshme prej 4520 metra. Përveç këtyre u ndërtuan disa qindra ura të vogla dhe një mori muresh mbrojtëse për sigurimin e trenave nga shembjet e dheut. Për të gjitha këto u hodhën në erë 1.500.000 m3 shkëmbinj, u zhvendosën 3.500.000m3 dhé, u stivuan 65.000.000 tulla dhe u ngritën 80.000 blloqe guri. Duhet pasur parasysh se asokohe, për shpimin e formacioneve shkëmbore, s’kishte mjete të tjera veç turjelave me dorë. Edhe në ndërtimin e ujësjellësve dilnin shumë vështirësi, meqë në atë kohë nuk njiheshin vinçat e mëdhenj; ndërtimi i atyre shtyllave madhështore që arrinin deri 45 metra lartësi dhe një gjerësi deri 20 metra, bëhej nëpërmjet skelave të luhatshme. Por vështirësitë e shumta i nxori sidomos shpimi i tunelit kryesor, që është si të thuash pika kulminante e kësaj hekurudhe malore, tuneli i Semmeringut, në lartësi 818 metra mbi nivelin e detit. Ky tunel, për arsye të gjatësisë së tij, nuk u shpua vetëm horizontalisht e nga të dy anët, por edhe vertikalisht në gjashtë vende, për të hapur galeri porsi puse, nga të cilat nxirrej dheu e gurët.

Me aq sa dihet, vitet e fundit të Karl Gegës qenë të mbushura plot me brenga e hidhërime. Pak kohë përpara se të përfundonte ndërtimin e hekurudhës së Semmeringut, qeveria austriake e dërgoi në Sibenburg që të ndërtonte një rrjet hekurudhor të ri. Në të vërtetë, kjo ishte një manovër e bërë me paramendim për ta larguar së andejmi, pikërisht në një kohë kur po përfundonte vepra e tij kryesore.

Ai u mërzit e u shqetësua shumë për këtë luftë që po i bëhej prapa krahëve. Mjaftonte një lajthitje banale e teknikëve, që dy anët e tunelit të mos takoheshin në pikën e dëshiruar, por t’i shmangeshin njëra-tjetrës, në drejtime të kundërta. Gjithçka mund të ndodhte në mungesë të tij. Ndodhej në Vjenë, kur dikush i tha se dy anët e kundërta të tunelit të Semmeringut paskeshin devijuar gjatë shpimit pa u takuar. Ky lajm e tronditi tej mase, Gegën. Me dështimin e kësaj vepre, ku ai kishte derdhur të gjithë përvojën e njohuritë, po i gremisej sedra dhe krenaria. Ndoshta vdekja iu duk më e lehtë sesa poshtërimi, përqeshja dhe përbuzja e kundërshtarëve, prandaj përfundoi në vetëvrasje, në një banesë të Vjenës, në rrugën “Kulla e kuqe”, nr. 6.

Ndërkohë, tuneli i Semmeringut kishte përfunduar me sukses, por Karl Gega nuk arriti të shihte përurimin e veprës së tij madhore. Karl Gega u vendos në panteonin e njerëzve të mëdhenj. Shtatë vjet më vonë, d.m.th. në 1867 eshtrat e tij u vendosën përfundimisht në një varr përmendore. Edhe në stacionin e Semmeringut. Pas dy vjetësh, iu ngrit një përmendore në kujtim të këtij nismëtari të hekurudhave malore. Vite më vonë u emetuan pulla poste dhe kartmonedha me portretin e Karl Gegës.  Për origjinën e tij shqiptare, Friedrich Uallisch, thotë në librin titulluar “Neuland Albanien”, botuar në Stuttgart më 1931, se: “Karl Gega, ndërtuesi gjenial i hekurudhës së Semmeringut, ka qenë me prejardhje shqiptare, siç dëshmon vetë mbiemri i tij “Gega”, që do thotë nga Shqipëria Veriore”.

Karl Gega ka lënë shkrime për teknikën hekurudhore, si “Pamje e përgjithshme e përparimeve në hekurudha, 1840-1850” (botim 3, Vjenë 1853), “Mbi ndërtimin e urave në Amerikën Veriore dhe kalkulimi i aftësive bartëse të urave Houe” (botin 2, ebd 1855). Gjithashtu, ai shpiku një zhalon të përmirësuar, si edhe një oktantë me nonius për trasimin e kurbave. I tiji është koncepti i gjatësisë virtuale të një hekurudhe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qëndrimi armiqësor i Enver Hoxhës

“Çabej nuk bëri krime, si Koliqi!..”