MENU
klinika

Nga transaksionet deri në 515 mijë euro te...

Akuzat për ish-deputetin Myslim Murrizi

06.01.2022 - 13:35

Rreth 4 muaj pasi u zhvesh nga imuniteti i mandatit të deputetit, Policia e Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-deputetin e Partisë Demokratike dhe kryetarin e Partisë Lëvizja Demokratike e Shqipërisë.

Burime të gazetës “Panorama” bën të ditur se ish-nënkryetari i Kuvendit akuzohet nga Policia e Shtetit se ka fshehur të ardhura financiare, duke kryer pastrim të produkteve të veprës penale. Myslim Murrizi, sipas uniformave blu, ka fshehur të ardhurat duke mos i deklaruar pranë ILDKPI-së.

Ish-deputeti i PD-së akuzohet nga Policia për dhjetëra transaksione bankare të pajustifikuara që shkojnë në shifrën prej 515 mijë eurosh. Sipas kallëzimit të bërë nga Policia, ish-deputeti Murrizi këto veprime i ka bërë me kompaninë “Murrizi 2009” dhe me individë të ndryshëm. Koha e transaksioneve që Policia ka verifikuar si të pajustifikuara daton qysh prej vitit 2010 e në vijim. Mësohet se informacioni policor i është dërguar Prokurorisë së Tiranës për të kryer hetime të mëtejshme. Sipas Policisë, Murrizi është dënuar në 14 shtator 2006 me 3 vite burgim për akuzën e mitmarrjes, dënim i cili është konvertuar në shërbim prove.

AKUZAT

Ish-nënkryetari i Kuvendit, sipas shkresës së Policisë së Shtetit, është aksioner në disa kompani të ndryshme, ndërkohë që figuron të ketë blerë edhe 50% të aksioneve të një televizioni privat. Na materialin e siguruar nga “Panorama.al”, theksohet se Murrizi ka kryer një sërë shitjesh së pronave të luajtshme dhe të paluajtshme, ndërkohë që ka përfituar si dividend 515 mijë euro nga një universitet privat. Po ashtu, Policia thekson se Murrizi nuk ka deklaruar një transaksion prej 60 mijë eurosh, që ka kaluar në bankë nga shoqëria ‘Murrizi 2009’ në llogarinë e tij. “Evidentohet se burimi kryesor i të ardhurave të shtetasit Myslim Murrizi kanë qenë punësimi (në total 7,270,227 Lekë), shitja e pasurive të luajtshme (45,000 Euro) dhe të paluajtshme (në total 10,178,000 Lekë), të ardhurat nga aktiviteti privat (mes të cilave nga subjekti ‘Justiniani 1’ ka përfituar dividend në vlerën 515,000 Euro si dhe një kredi që shtetasi ka marrë (në vlerën 2.500,000 Lekë).

Evidentojmë se shuma 60,000 Euro që shoqëria ‘Murrizi 2009’ shpk ka kaluar si kthim kontributi për ortakun në llogari të Myslim Murrizit te banka ‘UNION’ në tetor 2019, nuk duket se është deklaruar në ILDKPKI”, thuhet në shkresën e siguruar nga “Panorama.al”. Po ashtu, në dokumentin e Policisë theksohet se Murrizi ka blerë aksionet e Tv-Blu dhe ka paguar 100 mijë euro cash para noterit.

TRANSAKSIONET

Nga pasuritë e sipërcituara, Murrizi rezulton sipas Policisë që të këtë shitur dy apartamente në Kavajë në çmimin total 7,378,000 Lekë. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Shqiponja Murrizi, ka shitur pasuritë: Tokë arë me sipërfaqe 3,200 m2 ndodhur në Lushnjë, përfituar nga ligji 7501, automjet ‘Toyots Rav 4’ me vlerë 20,500 Euro. Në vijim në dosjen e Policisë thuhet se Myslim Murrizi është aksionar me 50% të kuotave të shoqëritë “Murrizi 20093 shpk dhe subjekti “TV BLU shpk”. Sakaq, bashkëshortja e Murrizit, Shqiponja Murrizi, është aksionere me 50% të kuotave te shoqëria “Al Oil 2019” shpk. Evidentohet se burimi kryesor i të ardhurave të shtetasit Myslim Murrizi kanë qenë punësimi (në total 7,270,227 Lekë), shitja e pasurive të luajtshme (45,000 Euro) dhe të paluajtshme (në total 10,178,000 Lekë), të ardhurat nga aktiviteti privat (mes të cilave nga subjekti Justiniani 1 ka përfituar dividend në vlerën 515,000 Euro si dhe një kredi që shtetasi ka marre (në vlerën 2.500,000 Leke). Po ashtu, sektori i krimit ekonomik ka evidentuar se shuma 60,000 Euro që shoqëria “Murrizi 2009” shpk ka kaluar si kthim kontributi për ortakun në llogari të Myslim Murrizit te banka “UNION” në tetor 2019, nuk duket se është deklaruar në ILDKPK.