Në Shqipërinë e pasluftës, çelja e një galerie kombëtare për artin, duket se ka lindur si ide, janarin e largët të vitit 1947.
Kjo, bazuar në një qarkore shpërndarë nga kryeministria më 4 janar 1947 për gjithë ministritë, Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin e planit, Komisionin e Kontrollit të Shtetit, Qendrën e Kryqit të Kuq Shqiptar, komitetet ekzekutive të Prefekturave e shumë instanca të tjera.
Simon Rrota: ”Shtëpia e dëshmorit Ndoc Mazi”, pa vit, Vaj në karton, Foto: Ylli Bala © Galeria Kombëtare e Arteve
“Komiteti i Kulturës dhe Arteve, ka në projekt ngritjen e një pinakoteke, për të mbledh dhe grumbullue n’atë të gjithë veprat artistike (pikturë skulpturë me vlerë artistike dhe të reja”, – shkruhet në këtë qarkore, duke vijuar më tej:
“Në vendin tonë deri më sot nuk asht ba nji seleksionim i mirë i veprave artistike dhe pikërisht për këtë arsye duhet që sot e tutje të tregohet nji interesim i veçantë për mbledhjen e këtyre veprave. Prandaj ju rekomandojmë që t’interesoheni për gjetjen dhe mbledhjen e këtij materiali të çmueshëm që mund të ndodhet në depot tuaja, ku mund të jetë lanë në harresë”.
Nexhmedin Zajmi: ”Natyrë e qetë me pulë”, 1955, Vaj në kompesatë, Foto: Ylli Bala © Galeria Kombëtare e Arteve
Pas kësaj qarkoreje, më 8 janar 1947 shpërndahet po nga kryeminsitria, një tjetër shkresë ku zbulohen më shumë detaje sidomos për origjinën e këtyre veprave të artit.
Stefan Taçi: ”Kënga e zemrës”, 1987, Terakotë, Foto: Ylli Bala © Galeria Kombëtare e Arteve
“Ente të ndryshme kanë marrë shpesh gjana me vlerë arkeologjike (vazo, mjete pune, armë, para kuadro, buste, etj) nga pasuritë e konfiskuara të kriminelëve të luftës dhe tradhtarëve të Popullit. Gjithashtu nga punime të ndryshme që janë kryer janë gjetur sende arkeologjike, si p.sh. në Durrës, Tepelenë, Vlorë etj., janë zbuluar gjana arkeologjike me randësi” – shkruhet në qarkoren e dytë duke vijuar të bëjë thirrje që cilido institucion që ka “me zbulue të tilla gjana nga punime të ndryshme të lajmërojë direkt Komitetin e Kulturës dhe t’Arteve, që t’i marri në dorëzim.”
Foto Stamo: ”Në lëmë”, 1977, Vaj në kompesatë, Foto: Ylli Bala © Galeria Kombëtare e Arteve
Sipas dokumenteve, aksioni për mbledhjen e veprave të artit ka vijuar përgjatë gjithë vitit 1947, por edhe në vitet në vijim, deri në përurimin e Galerisë Kombëtare të Arteve në janar të vitit 1954.
Fotografia kryesore: Agim Shami ”Thesari i Rilindasve”, 1982, Vaj në Kanavacë, Foto: Ylli Bala © Galeria Kombëtare e Arteve