MENU
klinika

“Mos pranoni më tragjedinë që luhet në kurrizin tuaj!”

Berisha thirrje deputetëve një ditë para protestës

07.01.2022 - 14:41

Në një deklaratë nga selia blu, një ditë para protestës ish-kryeministri Sali Berisha iu bëri thirrje deputetëve të PD-së që t’u bashkohen anëtarëve dhe simpatizantëve.

Ndërsa iu drejtohet ligjvënësve Berisha thotë se “nuk mund të pranoni këtë tragjedi që luhet në kurrizin tuaj”, duke shtuar se “arma jonë më e fuqishme është vendosmëria”.

“Ka të bëjë më atë parim sipas të cilit shumica vendos, pakica respektohet. Në qëndrimin e deputetit Basha del e qartë si drita e diellit se ai si pakicë kërkon të dhunojë shumicën. Kërkon t’i konfiskojë ndërtesën e saj, shtëpinë e demokratëve, duke e trajtuar sikur ta ketë pronë personale. Kemi të bëjmë me një parim themelor të demokracisë dhe de facto me një përpjekje të jashtëzakonshme, por edhe tejet krimuinale për asgjesimin e pluralizmit politik në Shqipëri, në shndërrimin në brava dhe dyer të blinduara, për të mbrojtur individë pa moral politik dhe njerëzor. Ndaj unë ftoj sot 44 mijë anëtar të PD-së, dhe të tjerë që për një arsye apo tjetrën nuk morën pjesë në referendum, të gjithë ata që firmosën shkarkimin e ish-kryetarit për dhunimin flagrant të statutit, të parimit dhe çdo lloj norme tjetër demokratike në PD.

Ftoj të gjithë anëtarët e PD të bashkohen për të marrë në dorëzim shtëpinë e tij, për ta shndërruar atë në shtëpi lirie, në një protestë paqësore, në një ngjarje madhore të revolucionit tonë paqësore. Garantoj të gjithë punonjësit e kësaj ndërtese, se protestuesit nuk kanë as edhe hatërmbetjen më të vogël ndaj tyre. Të qëndrojnë të qetë. Problemi i vetëm që kanë protestuesit është hapja e dyerve të kësaj shtëpie dhe natyrisht çlirimi i saj nga pengu i Edi Ramës, peng Basha. Nesër ftoj të gjithë deputetët e PD të jenë këtu me anëtarët e tyre dhe të mos bashkohen për asnjë minutë me një njeri të cilit partinë që i besuan, partinë që i bëri ata deputetë, në një parti blindash, burgu, bunkeri dhe bravash. Nuk mundet kurrsesi që ju të dashur deputetë të pranoni më tutje këtë tragjedi që luhet në kurrizin tuaj për interesin tuaj. Ndaje nesër jeni të ftuar të bashkoheni me anëtarët dhe simpatizantët tuaj, që kanë derdhur lumenj djerse që ju të fitoni mandatin. Ata që i kanë dhe që nuk i kanë dokumentet e PD, le t’i marrin me vete në mënyrë që t’ia tregojnë pengut të Ramës. Arma jonë më e fuqishme është vendosmëria për realizimin e qëllimeve tona në mënyrë paqësore”, tha Berisha.