Publikohet historia e panjohur e djemve të Ismail Qemalit, nga periudha e monarkisë së Zogut, kur ata emëruan në funksione të larta zyrtare dhe u nderuan me medalje, dekorata dhe pensione të veçanta. Nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur Qamil Vlora, u burgos që në vitin 1947, duke u akuzuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa familja e tij, deri në fund të regjimit komunist, u persekutua, u denigrua dhe u shpërfill, duke mos u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së Pavarësisë. Dëshmia e rrallë e znj, Esma Hurshiti Vlora, mbesa e Javer bej Hurshitit, (ish-firmëtar i Pavarësisë në nëntorin e 1912-ës, funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut, prefekt dhe kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, deputet, ministër, Prefekt i Shkodrës, Senator në Këshillin e Lartë të Shtetit etj.), e cila tregon të gjithë historinë e trishtë të familjes së vjehrrit të saj, Qamil Vlorës (djalit të vogël të Ismail bej Qemalit), nën regjimin komunist të Enver Hoxhës!
Nga: Dashnor Kaloçi
“Në fillim të vitit 1945, vjehrrin tim, Qamil Vlorën e kërkoi Mehmet Shehu, i cili i tha se e kishte thirrur për të biseduar e për t’i marrë disa mendime, si djali i Ismail Qemal Vlorës që ishte. Mbasi biseduan gjatë, Qamili i tha Mehmetit: ‘Në do të dish mendimin tim, unë po të them se mjaft u vranë shqiptarët me njeri tjetrin, prandaj mos bëni më gjakderdhje, mos vrisni më’. Siç na tha vetë Qamili kur u kthye në shtëpi, Mehmet Shehu e kishte thirrur atë, për ta kthyer në anën e komunistëve, duke e joshur dhe me premtime të shumta. Pasi krerët e lartë të shtetit komunist, nuk ja arritën dot ta bënin për vete Qamilin, ata vendosën arrestimin dhe dënimin e tij me burg”.
Kështu e kujtonte në mes të tjerash zonja Esma Hurshiti Vlora (bashkshortja e Ismail Qamil Vlorës, nipit të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912), takimin e të birit të Ismail Qemalit në vitin 1945, me Mehmet Shehun, e cila veç kësaj na tregonte edhe anën e panjohur të familjes Vlora, gjatë viteve të regjimit komunist, ku vjehrri i saj Qamili, djali i vogël Ismail Qemalit, përfundoi në kampet e burgjet e diktaturës dhe familja e tij u denigrua e u nëpërkëmb deri në fundin e viteve 80-të.
Ndonëse të gjithë shqiptarët kudo ku kanë qenë, që nga viti 1912-të, kur plaku i Vlorës ngriti flamurin kuq e zi në ballkonin e shtëpisë së tij, janë përulur me respekt, çdo 28 nëntor për ta përkujtuar atë, të pakët kanë qenë ata që e kanë ditur se, mbas 28 nëntorit të 1944-ës kur komunistët erdhën në pushtet, ende në Tiranë jetonin dhe dy djemtë e Ismail Qemal Vlorës. Po kështu ndonëse shteti komunist organizonte ceremonitë e mëdha në përkujtimin e ditës së flamurit, për djemtë e nipat e plakut të Vlorës që jetonin ende, nuk u fol asnjëherë dhe për ta u mbajt një heshtje e thellë, duke u fshirë fare nga historia e Shqipërisë, pjesë e së cilës, ata kishin pasur fatin të ishin, duke qenë bashkëpunëtorë më të ngushtë të babait tyre.
Fati i trishtë i dhjetë fëmijëve të Ismail Qemalit!
Plaku i Vlorës që ka hyrë në historinë e Shqipërisë, me aktin patriotik të ngritjes së flamurit e shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në nëntorin e 1912-ës, ishte martuar me një vajzë greke të quajtur Kleoniki, me të cilën patën 10 fëmijë, gjashtë djem e katër vajza (një vajzë nuk i jetoi). Tre vajzat ishin në moshë më të madhe se djemtë: Mahmudi, Tahiri, Ibrahimi, Ahmedi, Qazimi dhe Qamili, të cilët kishin lindur të gjithë, në Stamboll kur Ismail Qemali ishte deputet në parlamentin turk.
Djali i madh Mahmudi, (lindi në 1871-in), që në moshë të re punoi në Ministrinë e Drejtësisë në Stamboll dhe u dënua nga Sulltani, pas arratisjes së Ismail Qemalit nga Turqia, duke u internuar për 7 vjet në Bitlis. Pas kësaj, ai u bashkua me familjen në vitin 1908, kur fitoi revolucioni i turqve të rinj. Mahmudi u largua bashkë me gjithë familjen e tij nga Shqipëria, kur Ismail Qemali dha dorëheqjen nga qeveria që kryesonte dhe ai vdiq në Vlorë, në shkurt të vitit 1920 (në moshën 49 vjeçare) dhe la tre fëmijë me gruan e tij franceze.
Tahiri djali i dytë, (lindi në 1875-ën), studioi dhe u diplomua në shkollën e Marinës Luftarake në Turqi dhe ai ishte këshilltar i kësaj fushe, në Këshillin e Lartë të Shtetit. Edhe ky, si vëllai Mahmudi, u internua në Tripoli, ku vuajti disa vjet dënimin. Pas arratisjes së Ismail Qemalit në Londër, Sulltani dërgoi Tahirin për t’a bindur babanë që të kthehej në Stamboll, por Ismali beu, nuk pranoi. Atëhere Tahiri i kërkoi babait tij të rrinte me të, por i ati nuk pranoi dhe e urdhëroi që të kthehej në Stamboll, pasi i kishte dhënë fjalën e nderit Sulltanit, për ta kryer atë mision.
Edhe Tahiri u largua së bashku me familjen në 1914-ën nga Shqipëria dhe u kthye përsëri në atdhe, në vitin 1919. Vitet e fundit të jetës i kaloi në varfëri, me një pension të lidhur nga qeveria e Zogut, ndaj të cilit ai ishte një kundërshtar i vendosur. Tahiri, nuk ishte i martuar dhe vdiq në Paris, në 10 qershor të vitit 1932 (shtypi shqiptar shkroi asokohe, se ai kishte vrarë veten) dhe u varros në varrezat franceze “Thiais”, ku më pas është varrosur dhe Mbreti Zog.
Ibrahimi, djali i tretë (njihet ndryshe si Et’hemi), lindi në vitin 1885 dhe Ismail Qemali e mori me vete, kur u arratis nga Turqia, së bashku me dy djemtë e tjerë, Xhevdetin e Qazimin. Ibrahimi e shoqëroi babanë e tij, kudo dhe në nëntorin e 1912-ës, ai u caktua në krye të një kompanie ushtarësh, të priste Ismail beun, që po vinte për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Karrierën e tij si oficer e filloi pak kohë, pas nëntorit të 1912-ës dhe ai qëndroi pranë të atit në të gjithë aktivitetin e tij patriotik dhe e shoqëroi atë, së bashku me vëllanë tjetër Qazimin, deri në Konferencën e Londrës në 1913-ën.
Po kështu, Ibrahimi u zgjodh si përfaqësues i delegacionit të shqiptarëve të Amerikës, ne Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1920. Ai vdiq më 7 maj të vitit 1937, në Tiranë dhe varrimi i tij u krye me ceremoni të mëdha. Vdekjes së tij asokohe i bënë jehonë të madhe të gjitha gazetat e kohës. Ibrahimi ishte martuar me një vajzë nga familja e njohur tiranase, Toptanët, por ata nuk lanë fëmijë.
Ahmeti, djali i katërt,(lindi në Stamboll në vitin 1910) dhe për të nuk ka shumë të dhëna rreth jetës tij, pasi ai vdiq shumë i ri, në moshën 20 vjeçare (i pamartuar) nga sëmundja e tuberkulozit, pasi u kurua në një klinikë private në Leysin të Zvicrës.
Qazimi djali i pestë, (lindi në vitin 1893), qëndroi gjithmonë pranë të atit dhe ishte shoqërues i tij. Në vitet 1910-1912, ai u muar me furnizimin me armë, të kryengritësve shqiptarë që luftonin për shpalljen e pavarësisë. Thuhet se Qazimi kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe Ismail Qemali, thoshte shpesh se: Qazimi ishte memoria e tij, pasi e pyeste atë për çdo gjë. Më 1921-in, ai hodhi kandidaturën për deputet në Vlorë, por nuk fitoi.
Në vitet ‘40-të, Qazimi jetoi me një pension të vogël, që ja kishte lidhur qeveria shqiptare e Monarkisë së Zogut. Qazimi ishte martuar në Tiranë me Behije Ohrin dhe nuk patën fëmijë.
Ai ishte një kundërshtar i rreptë i regjimit komunist dhe për këtë arsye u largua nga Shqipëria e u vendos në Strugë, ku dhe vdiq në dhjetor të vitit 1953, në varfëri të plotë. Thuhet se Qazimi pati trashëguar pjesën më të madhe të arkivit dokumentar të babait të tij, (midis të tjerash edhe dokumentin origjinal të aktit të shpalljes së pavarësisë) Ismail bej Vlorës dhe pas vdekjes së tij, në qytetin e Strugës mbërriti një automjet nga Beograd, i cili i sekuestroi të gjitha ato dhe për fatin e tyre, nuk ka asnjë të dhënë.
Qamili, i cili ishte i vogli i fëmijëve të Ismail bej Vlorës, (lindi në vitin 1895) pati “fatin” të jetonte dhe pas 1944-ës kur në Shqipëri erdhën në pushtet komunistët, me në krye Enver Hoxhën. Gjatë viteve që familja Vlora banonte në Stamboll, ai u shkollua dhe qëndroi aty, deri sa përfundoi studimet në në Shkencat Politike. Në vitet 1926-’32, Qamili shërbeu në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ku mbuloi dhe detyrën e zv/drejtorit Administrativ e Konsullor.
Për aktivitetin e tij diplomatik, në vitin 1926 Qamili u dekorua nga Presidenti i Francës, Gaston Doumergue, me dekoratën e lartë “Chevalier de la Legion d` Honneur” dhe në vitin 1928, nga qeveria shqiptare e kryeministrit Ahmet Zogu, me dekoratën “Kavalier i Urdhrit të Skënderbeut”. Ndonëse Qamili ishte i ngarkuar në një detyrë të lartë, ai ishte kundërshtar i Mbretit Zog dhe i regjimit Monarkik. Nisur nga ky fakt, në gushtin e vitit 1932, ai së bashku me familjen e tij, (gruan dhe dy djemtë Ismailin e Xhevdetin), u larguan për në Beograd.
Largimi i Qamilit nga Shqipëria, erdhi si pasojë e akuzave që u bënë ndaj tij, si pjesëmarrës në “Lëvizjen e Vlorës”, ku një grup i madh ish-funksionarësh dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare të asaj kohe, kishin bërë një plan dhe donin të rrëzonin Ahmet Zogun. Nuk dihet me saktësi se deri në çfarë shkalle ishte implikimi i Qamilit në atë ngjarje, që asokohe u konsiderua si një tentativë për “grusht shteti” që ishte menduar t`i bëhej Mbretit Zog, por akuzat që u bënë ndaj tij nuk ishin pa baza.
Nga Jugosllavia, me ndihmën e mikut tij, francezit Justin Gothard, Qamili mundi të largohej për në Francë, ku ai së bashku me familjen qëndruan në Paris, deri nga viti 1936, kur qeveria franceze largoi një pjesë të mirë të emigrantëve politik shqiptarë (antizogistë) nga Franca. Nga viti 1936 deri në 1940-ën, Qamili jetoi me familjen e tij në Zemun (në periferi të Beogradit).
Pasi qëndroi në emigracion për afro tetë vjet, në 1940-ën Qamili u kthye familjarisht në Shqipëri dhe u vendos në shtëpinë e tij në Tiranë, (në një vilë aty ku sot është rruga “Qemal Stafa”), të cilën e kishte lënë që kur u arratis nga Shqipëria, pasi Zogu nuk ja kishte sekuestruar. Në vitin 1940-të kur u kthye Qamili në Tiranë, nga të gjashtë djemtë e Ismail Qemalit, jetonte ende vetëm Qazimi, pasi të tjerët kishin vdekur prej kohësh.
Që me ardhjen e tij në Tiranë, Qamili u thirr nga qeveria shqiptare (nën pushtimin fashist) dhe filloi punë si këshilltar në Këshillin e Lartë të Shtetit. Në atë kohë, djali i Qamilit, (Ismaili), që kishte marrë emrin e gjyshit të tij, mundi të marrë një bursë shteti, nga qeveria shqiptare, të cilën ja akorduan me propozim të parisë së rrethit të Vlorës, si nip i Ismail Qemal Vlorës, për të studiuar në Vjenë. Ismaili i ri, shkoi në Vjenë dhe filloi studimet në fakultetin e Mjekësisë, në kryeqytetin austriak.
Por në vitin 1942, pasi në Austri kishte filluar lufta, familja e tij u tremb se mos i ndodhte gjë dhe e ëma Hylvija, i bëri një telegram që ai të kthehej urgjent në Shqipëri. Ismaili u kthye në Tiranë dhe në mënyrë që ai të mos shkonte më në Vjenë, familja e tij e fejoi me Esma Hurshitin, vajzën e djalit të Javer Bej Hurshitit, (një nga ish-funksionarët e lartë të Monarkisë) ish-prefekt dhe kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, deputet, ministër, Prefekt i Shkodrës, Senator në Këshillin e Lartë të Shtetit etj.
Lidhur me këtë, Esma Hurshiti Vlora, kujtonte:” Në atë kohë ne e kishim shtëpinë aty ku sot është rruga “Qemal Stafa” dhe pak më tej në atë rrugë, banonte dhe familja e Qamil Vlorës, djalit të Ismail Qemalit. Unë si vajzë e re, i kisha shumë merak lulet dhe dilja çdo mëngjes në oborr për t’i vaditur ato. Kështu më takonte mua t`ja hapja portën Qamilit, që ishte shok i ngushtë i vjehrrit tim, Javerit, të cilin e thërriste për të shkuar në punë në Këshillin e Shtetit. Disa miq të përbashkët të dy familjeve tona, i sugjeruan Qamil Vlorës, që unë të fejohesha me djalin e tij Ismailin. Për të më kërkuar mua, në familjen tonë erdhi vetë Qamili, i cili bisedoi me gjyshin tim, Javer Hurshitin, që ishte dhe miku më i ngushtë i tij.
Kjo gjë ka ndodhur aty nga fundi i tetorit të vitit 1944, pasi familja ime mori dhe pëlqimin tim, për fejesën që do të bëhej dhe aty nga fundi i muajit nëntor, unë shkova në burg që të merrja dhe pëlqimin e babait tim Mehmetit, të cilin e arrestuan ato ditë, së bashku me babanë e tij Javer Hurshitin. Më kujtohet si tani ajo ditë e fundit të nëntorit të vitit 1944, kur shtëpinë tonë, atje ku sot është rruga “Qemal Stafa”, e rrethuan me polic të shumtë. Ishte mëngjes dhe ne fëmijët u trembëm shumë nga sjelljet e policëve.
Babai ma dha menjëherë pëlqimin, duke thënë se e kishte për nder, që ta jepte vajzën në familjen e djalit të Ismail Qemalit, me të cilët ne kishim një miqësi të ngushtë. Ndonëse familja e babait tim kishte qenë një ndër familjet më të pasura të Gjirokastrës, në atë kohë ne nuk bëmë ndonjë ceremoni të madhe, për fejesën tone! Kurse familja Vlora, mundi që ta bënte ceremoninë e fejesës, ndonëse shtëpia e tyre tek “Moskatet” ishte prishur disi, pasi aty kishin luftuar partizanët për çlirimin e Tiranës.
Fejesa ime me Ismail Vlorën, nuk u pëlqye nga komunistët në Tiranë, pasi unë isha mbesa e një ish-ministri dhe Prefekti, që ata e konsideronin si armik të tyre. Lidhur me këtë, në atë kohë, komunistët e thirrën Ismailin dhe i bënë presione të ndryshme, që të më linte mua. Kjo gjë u bë sepse, komunistët e konsideronin Ismailin si njeriun e tyre, pasi ai vërtet, që nga viti 1942 kur u kthye në Shqipëri, u lidh me Hysni Kapon e Manush Myftiun dhe mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste.
Krerët e lartë komunistë, nuk pranuan që Ismaili të shkonte në Vlorë, duke parë popullaritetin e madh, që kishte familja e tij në atë qytet, gjë e cila do të linte në hije parinë e komunistëve, që vepronin në rrethin e Vlorës. Në atë kohë, përveç miqësisë së ngushtë që Qamili kishte me Manush Myftiun, (Manushi ishte nip i gruas së Javer Hurshitit), ai pati miqësi të ngushtë dhe me disa komunistë të tjerë, si: Muhamet Perja, Refit Bezhani, Mexhit Hanku etj.
Ismaili as nuk donte t’ia dinte për presionet që i bënë komunistët dhe që pas asaj ai filloi ftohjen, për t`u ndarë përgjithmonë prej tyre. Kështu fejesa jonë zgjati rreth një vit e gjysëm dhe ne u martuam aty nga mesi i vitit 1946. Pas martesës, unë së bashku me Ismailin, banuam tek shtëpia e tij tek Moskatet, së bashku me dy prindërit dhe vëllanë më të vogël Xhevdetin”, kujton Esma Hurshiti, (mbesa e Javer Bej Hurshitit) fejesën e saj me Ismail Vlorën, nipin e Ismail Qemalit.