MENU
klinika

Raporti i Vëzhgimit

Xhavit Qesja i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm

14.01.2022 - 06:00

         Publikohet një dosje nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Nga: Dashnor Kaloçi

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Vijon nga numri i kaluar

Raport-informacioni shefit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Zef Loka, lidhur takimin e zhvilluar me të internuarin Xhavit Qesja, sipas porosisë së ministrit të Punëve të Brendshme

Sekret

Ekzemplar i vetëm

Durrës, 12.2.1987

Shënim

Më datën 7.2.1987, shoku Ministër më dha porosi që të takoj të internuarin Xhavit Qesja, e t’i jap përgjigje për letrën që i ka dërguar sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, sa vijon:

T’i thuhet se ne të internuam në Shijak, pikërisht se aty ka njerëzit e sidomos, nënën, në Durrës pra, kjo është lehtësuese për ju, se mund të ishit internuar më larg si shumë të tjerë, varet nga qëndrimi i juaj fakti që ne mund të të japim leje për të shkuar në Durrës.
Ne të njohim, besojmë dhe të këshillojmë që të nxjerrësh konkluzione e të qëndrosh mirë, ne nuk duam të na duartrokasësh, por qëndro mirë.

Përsa i përket kërkesës për t’i shkruar Konti Ferrës në Itali për libra, nuk keni asnjë pengesë, mund t’i shkruani.

Me datën 11. 2.1987, morra takim me Xhavitin dhe ja dhashë përgjigjen. Ai falenderoi për përgjigjen, në të njëjtën kohë ngriti problemin se s’ka pension, me se do të jetojë, ju tha që t’u drejtohet Sigurimeve Shoqërore dhe t’i zgjidhte sipas ligjës.

Ngriti gjithashtu problemin që dhoma ku banon është e mirë, por s’ka banjo brenda, u sqarua se në të ardhmen mund t’i gjendet ndonjë banesë tjetër.

Në fund ngriti problemin për t’i dhënë leje më datën 20.2.1987, për te vëllai në Durrës, se ka ditëlindjen e vajzës, ju tha do të shohim për ta zgjidhur.

Sa sipër ju raportuam në telefon shokut ministër po atë ditë.

Mendoj t’i japim leje më 20.2.1987 (dy net), e ta marrim në survejim.

Shënim: T’i vihet në dosje.

Kryetari i Degës së Punës së Brendshme

Zef Loka

Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ Arben Mitre dhe i miratuar nga Zv / kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Bajram Pelo, me plan-kombinacionin për ndjekjen e survejimin e të internuarit Xhavit Qesja dhe përgjimin e bisedave të tij me Teknikë Operative

Miratohet Sekret

Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Ekzemplar Nr.

Zef Loka Durrës, më… 2.1987

PLAN – KOMBINACION

PËR DËGJIMIN ME MJETET TË TEKNIKËS OPERATIVE TË OBJEKTIT 2/A XHAVIT QESJA ME TAKUESIT E TIJ

Objekti 2/A Xhavit Qesja i ka dërguar një letër Ministrit të Punëve të Brendshme në të cilën ngre disa pretendime.

Nga ana e kryetarit të Degës, me datë 7.2.1987, objekti do të thirret në postën e Policisë të Shijakut, me autorizim të ministrit. Pasi të sqarohet lidhur me pretendimet e ngritura, objekti do të lejohet të shkojë në banesën e tij ku do të fillojë regjistrimi i bisedave të objektit me takuesit e lidhjet e tij, biseda këto të lindura si rezultat i ngacmimit nga ana jonë.

Si pikë kontrolli do të shërbeje banesa e qytetarit Kadri M…., i cili gëzon besim të organeve tona dhe ka garancitë përkatëse.

Në pikë do të qëndrojë P. Op. Teknikës Operative, Gëzim Bejko dhe P.Op. Arben Mitre, që ndjek përpunimin.

Punëtori Operativ Shef I Seksionit të Fshatit

Arben Mitre Qerim Hoxha

Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme

Bajram Pelo

Raport-informacion i shefit të sektorit të Vëzhgimit në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit, Ilia Bardhi, për ndjekjen, survejimin, lëvizjet dhe takimet e të internuarit Xhavit Qesja në atë rreth

Ekzemplar i vetëm

Datë 20-22.II.1987

R E P O R T

MBI VËZHGIMIN E OBJEKTIT XHAVIT QESJA I CILI NGA ANA JONË NJIHET ME PSEUDONIMIN

“G O R R I L L A”

Dita e parë – datë 20.2.1987 – Në orën 7 e 30 min, filloi vëzhgimi në drejtim të objektit të sipërpërmendur, ku në këtë kohë objekti ndodhej në sheshin kryesor të Shijakut, së bashku me vëllanë e tij, Besim Qesja, e në kohë që të dy shkojnë e futen në shtëpinë e objektit.

Në ora 9.00 min, shihet që objekti del vetëm nga shtëpia e tij e kalon në sheshin e këtij qyteti dhe pas 0.5 min. shkon e futet në Postën e Policisë, për 2-3 min. del prej këtu dhe shkon e futet përsëri në shtëpinë e tij.

Në orën 9.15, shihet që objekti del nga shtëpia e tij së bashku me nënën e tij e shkojnë e qëndrojnë tek lulishtja në sheshin kryesor të ulur në një stol. Në orën 9 e 30 min, objekti së bashku me nënën e tij, ngrihen prej këtu dhe shkojnë e qëndrojnë në pritje pranë stacionit të autobusit.

Në orën 9 e 50 min, shihet që vjen e bashkohet me objektin edhe nënën e tij, Besimi, e që të tre e qëndrojnë në pritje të autobusit. Në ora 10 e 10 min. objekti, Besimi dhe nëna e tyre, i hipin autobusit të linjës Shijak-Durrës e në kohë largohen prej këtu për në drejtim të Durrësit e në ora 10 e 50 min. që të tre zbresin nga autobusi pranë agjencisë së autobuzave nën Bulevardin “Stalin”, kalojnë në këtë bulevard Rrugën e “Dëshmorëve”, kalojnë përmes pallateve të lagjes Nr. II, e mandej kalojnë për në drejtim të shtëpisë, e në orën 11 e 5 min. futen në shtëpinë e Rruzhdi Qeses, në lagjen Nr. II. Banesa Nr. 73.

Deri në ora 22.00 min, që vazhdoi vëzhgimi, objekti nuk është parë që të dalë nga shtëpia, ku pas kësaj ore, vëzhgimi ndërpritet.

Dita e dytë; Data 21.2.1987 – Në ora 6 e 30 min, filloi vëzhgimi në pritje të daljes së objektit nga shtëpia e Rruzhdiut, në dy drejtimet kryesore në Rrugën “Aleksandër Goga” e në Rrugën e “Dëshmorëve”.

Në ora 8 e 45 min, shihet që objekti, del nga drejtimi i shtëpisë i hipur në taksinë me targë DR -18-017, i shoqëruar nga vëllai i objektit, Besim Qesja, kalon në Rrugën e “Dëshmorëve”, “A. Goga”, e pas 05 min, taksia qëndron para D. P. së Brendshme, këtu objekti zbret e shkon te sporteli tek Operativi, ndërsa taksia qëndron në pritje.

Pas 0.5 min. objekti del prej këtu dhe hipën në taksi e në kohë largohen prej këtu, po në këtë rrugë e në ora 9 e 05 min, taksia qëndron para shtëpisë së Rruzhdiut, këtu objekti dhe Besimi zbresin nga taksia dhe futen në shtëpinë e Rruzhdiut, ndërsa taksia largohet në drejtim të ndryshëm.

Deri në ora 22.00 min që vazhdoi vëzhgimi, objekti nuk është parë që të dalë. Pas kësaj ore, vëzhgimi ndërpritet.

Dita e tretë, datë 22.2.1987 – Në ora 6.’30, fillon vëzhgimi në pritje të daljes së objektit në Rrugën “Ismail Qemali”.

Në ora 9.’50 min, shihet që objekti del nga shtëpia i shoqëruar nga gruaja e Besimit, si dhe nga një grua e një burrë tjetër, me moshë rreth 45 vjeçe, e që të dy kalojnë në rrugën “Ismail Qemali”, “B. Çelmeta”, “Migjeni”, e në ora 10.05 min, futen në banesën Nr.81, në Lagjen Nr.3, ku banon Muharrem Rrugia.

Në ora 10.55 min, shihet që objekti së bashku me gruan e Besimit dalin nga kjo banesë e kalojnë në Rrugën “Migjeni”, “A Goga”, kthejnë në Rrugën “Kajo Karafili”, e në ora 11.05 min, futen në banesën ku banon Gazmend Kuqi, në Lagjen Nr.2.

Në ora 11.40 min, shihet që objekti së bashku me Besimin dhe gruan e Besimit, po vinin nga Rruga “Kajo karafili”, dalin në Rrugën “Aleksandër Goga” kalojnë në Rrugën “Ismail Qemali” dhe në ora 11.50 min, futen në shtëpinë e vëllait të tij.

Në ora 18.10 min. shihet që para shtëpisë së objektit qëndron taksia me targë DR-18-031, këtu shihet që zbret Besimi dhe shkon e futet në shtëpinë e tij, ndërsa taksia qëndron në pritje.

Në ora 18 e 20 min, shihet që nga shtëpia del objekti e Besimi e që të dy, hipin në taksinë e sipërpërmendur e në kohë taksia largohet prej këtu në Rrugën “Ismail Qemali”, “B. Çelmeta”, “Dëshmorët”, e mandej largohet pa u vëzhguar nga ana e jonë, ku dhe në këtë kohë vëzhgimi nga ana jonë ndërpritet.

U shtyp sipas raporteve origjinale të përpiluara nga grupet e vëzhgimet. /Memorie.al/

Përgjegjësi i Sektorit të Vëzhgimit

Ilia Bardhi