MENU
klinika

Kush e ka në dorë dosjen e ish-ministrit të Brendshëm

Dështon gjyqi ndaj Tahirit, gjyqtari merret “hua” nga Apeli

06.01.2022 - 10:38

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Apelit, që ishte parashikuar të mbahej ditën e djeshme ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, është shtyrë sërish.

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Apelit, që ishte parashikuar të mbahej ditën e djeshme ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, është shtyrë sërish. Përballja gjyqësore e radhës do të zhvillohet në 17 janar, në orën 11:00, pasi gjyqtari i ri i çështjes, Florian Kalaja, ka kërkuar kohë për t’u njohur me dosjen. Gjyqtari Kalaja është gjyqtari që u caktua për këtë dosje pasi kolegët e tij që ishin përzgjedhur më parë me short dhanë dorëheqjen nga kjo çështje. Kalaja është marrë ‘hua’ nga Gjykata e Apelit për të shqyrtuar çështjen.

AVOKATI: PSE KËRKUAM DORËHEQJEN E GJYQTARES

Pas shtyrjes së seancës gjyqësore, ish-ministri i Brendshëm ka dalë nga ambientet e Gjykatës duke mos dhënë asnjë prononcim për mediat. Në emër të tij ka folur avokati i Tahirit, Maks Haxhia. Ky i fundit ka komentuar edhe situatën e krijuar pas dorëheqjes që dha më 4 janar gjyqtarja Daniela Shirka, e cila bëhej gjyqtarja e tretë që tërhiqej nga shqyrtimi i dosjes së Tahirit dhe Jaeld Çelës. Haxhia tha se ishin avokatët që kanë bërë kërkesë ndaj gjyqtares Shirka, për të cilën, sipas tij, ia ndalon procedura për të marrë pjesë në gjykime të njëjta.

“Kërkesa u paraqit në Gjykatë për të parë cili është shkaku, nga avokatët është bërë kërkesë për papajtueshmëri për mos qenë prezent Daniela Shirka se e ndalon procedura për të marrë pjesë në gjykime të njëjta për të evituar influencën nga e njëjta çështje, nëse shkaku do jetë i njëjtë me atë që kemi kërkuar për të përjashtuar trupin gjykues”, tha Haxhia pas shtyrjes së seancës ditën e djeshme. Shirka është zëvendësuar nga gjyqtari Florian Kalaja, me trupën shoqëruese të Gjykatës, Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi, ku asnjëri prej tyre nuk është gjyqtar në Apelin e Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërkaq, më parë dhanë dorëheqjen Miliana Muça dhe Ilirjan Olldashi. Kjo trupë gjykuese do të njihet me dosjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri më 17 janar për të mbajtur seancën e radhës në këtë datë.

AKUZAT NDAJ TAHIRIT

Mbi ish-ministrin e Brendshëm rëndojnë tri vepra të rënda penale: “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”. Të gjitha akuzat lidhen me periudhën kohore të ushtrimi të detyrës prej Tahirit si ministër i Brendshëm përgjatë viteve 2013-2017, të mandatit të parë të qeverisë së Kryeministrit Rama. Viti 2017 ishte edhe viti i fundit të tij në qeveri kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm pasi ishte vendosur nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017.

Drejtësia shqiptare u vendos në lëvizje pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Saimir Tahirit. Nga ana e saj, Prokuroria e akuzoi ish-ministrin e Brendshëm për trafik të lëndëve narkotike dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim. Në shtator të vitit 2019, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua me 5 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.