MENU
klinika

Nga Klint Ndreu

Kultura e informimit, në themelet e një shoqërie digjitale

20.01.2022 - 12:09

Kultura e informimit, në themelet e një shoqërie digjitale
Nga Klint Ndreu

Nevoja për “scoop”-e, për klikime, për vëmëndje e medias në vendin tonë dhe nëpër botë, është kthyer në një trend nga i cili vështirë se mund të largohemi kaq lehtë. Së pari, kemi nevojë për të përditshme aksesimin e informacionit përmes rrjeteve sociale dhe lundrimit në internet dhe së dyti sepse tashmë teknologjia e komunikimit është pjesë e pashmangshme e shoqërisë njerëzorë. Mjetet e komunikimit si zgjatim gjymtyrësh, sikurse shprehej themeluesi i teorisë së medias, Marshall McLuhan, na kanë bërë të rrokim gjithë rruzullin me një dorë, por nga ana tjetër kanë thyer muret e privatësisë sonë, duke na bërë më vulnerabël ndaj keqinformimit dhe dizinformimit. Dikush mund të ngatërrohet e të mendoj se këto dy nocione janë sinonime të njëra-tjetrës, ekuivalente në përdorim. Kujdes! Nuk është kështu. Dezinformimi është informacion i rremë, i krijuar qëllimisht për të dëmtuar një person, grup shoqëror, organizatë ose vend. Ndërsa keqinformimi është informacion i rremë, por jo i krijuar me qëllim shkaktimin e dëmit.

Mes të pasurit qëllim ose jo, dëmi është i njëtë. Besimi ndaj medias në Shqipëri, grimcohet dita-ditës si pasojë e krijimit të qasjes se pushteti i madh që ka media, përdoret nga politika për synimet e saj, ndërkohë që publiku shëndrrohet në një kavie të një spektakli të shëmtuar që nuk ka për qëllim të tutelojë interesat e vërteta të popullit, por vetëm ato të pushtetit politik. Kështu media gradualisht zvenit misionin e saj parësor dhe të padiskutueshëm, raportimin e pavarur të fakteve të vërteta dhe të “qenit roje” ndaj balancës së tri pushteteve, garant të një sistemi demokratik të shëndetshëm. Vite më vonë, duket se ky mision nuk është i vetmi, por është “njëri prej…”, pra konsiderohet vetëm njëri prej qëllimeve që media ka sot në publik. Përse jo, mbase koha që jetojmë e kërkon të mos konsiderohet edhe fitimi si qëllim?

Duke parë evolimin e teknologjisë, shikueshmëria tanimë rreh tek “click-imi”, shpërndarja dhe komentimi, tashmë vëmendja e mediave është e orientuar kah gjenerimit të reagimit, më shumë sesa misionit të dikurshëm “parësor”. Ja përse ne sot ndeshim të njëjtin lajm të përsëritur pafund nëpër të gjitha kanalet mediatike, vetëm për të rrëmbyer një “click” më shumë. Për të shpjeguar se si mundet që të shuhet mërzitia apo bezdia që na krijohet shpesh nga ky fenomen, do të doja ta ilustroja me një fenomen që ndodh në marinën amerikane, që quhet “sea story”, apo ndryshe në shqip “histori deti”. Me fjalë të tjera, një detar i flotës ushtarake amerikane, në njërën prej ditëve të shërbimit në det apo oqean ku ka plot kohë për të shpenzuar, tregon një histori e cila duhet të ketë të paktën një element të vërtetë në të. Këtë histori ia tregon kolegut të tij. Ky i fundit e ndan me një tjetër koleg duke shtuar një element të pavërtetë kësaj radhe, me qëllim bërjen sa më interesante të historisë që të pasohet në veshët dhe mëndjet e radhës. Më pas, kur kjo histori ka kaluar në veshët e të gjithë ekuipazhit të ndodhur në anije, dhe ka marrë shumë informacione të reja të rreme, kur anija kthehet në brigje, historia është bërë tanimë e vërtetë që në momentin që ka “zbritur” në breg.

Ja përse lind nevoja që për të shmangur të gjitha këto dukuri që janë pjesë tashmë e të jetuarit në një shoqëri digjitale, të përpiqemi të krijojmë vetë busullën tonë të orientimit duke zhvilluar aftësitë e qasjes ndaj medias, përmes filtrimit të informacionit. Në mënyrë krejt autonome, secili prej nesh mund të shërbej në rritjen e cilësisë së informacionit të emëtuar, duke kontrolluar besueshmërinë e lajmit, që prej titullit me të cilin është publikuar. Në këtë mënyrë arrijmë të kuptojmë se cili artikull ia vlen vërtetë për t’u lexuar dhe shpërndarë apo për të mos i kushtuar rëndësi dhe për ta klasifikuar si “fake neës”, apo thënë më shqip si “dokrra hini” të rradhës të publikuara vetëm për çështje që lidhen me “clickbait”. Kultura e informimit mendoj se duhet të jetë një element që duhet ta ushqejmë vazhdimisht, duke na kthyer në individë vigjilentë, të aftë për të parë përtej një fotoje që tenton të godasë emocionet, përtej një titulli që kërkon të indinjojë apo inspirojë me qëllime të fshehura. Qëllimet mund të jenë të shumta, ama e vërteta është e vërtetë dhe duhet raportuar me çdo çmim.