Pa dyshim, kolegji arbëresh i Shën Adrianit njihet si një nga vatrat më të rëndësishme të mësimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare në Itali.
Ky institucion i rëndësishëm i çeli dyert 288 vjet më parë, me 19 janar të vitit 1732 dhe shërbeu si qendër e rëndësishme arsimore dhe kulturore e arbëreshëve të Italisë.
Kolegji fillimisht u quajt Kolegji arbëresh Korsini.
Me themelimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe nga Jeronim de Rada (1849), dha ndihmesë me vlerë për shkollën shqipe e mendimin pedagogjik shqiptar. Pothuajse të gjithë shkrimtarët e dijetarët arbëreshë të ngulimeve të Kalabrisë e të Bazilikatës, gjatë shek. XVIII-XIX, kanë ndjekur këtë institut arsimor.
Trashëgimia kulturore arbëreshe është ura shpirtërore, midis Arbërisë dhe Shqipërisë së sotme. Kolegji arbëresh i Shën Adrianit pati një rëndësi të madhe për konsolidimin e kësaj trashëgimie kulturore dhe atdhetare.
Kolegji Arbëresh i Shën Adrianit në San Demetrio Corone (Shën Mitri) në Itali, u bë një organizëm i rëndësishëm kulturor i shqiptarëve të Italisë, si dhe instituti i parë i formimit kulturor në Kalabri, nga bankat e të cilit dolën figura të ndritura arbëreshe të Rilindjes italiane, si: Agesilao Milano (1830-1856) dhe Domenico Mauro (1812- 1873) dhe shkrimtarë apo juristë, si Cesare Marini (1792-1865) dhe Jeronim De Rada (1814-1903).
Në këtë kolegj, që dha kontribut të çmuar e qe vatër shpirtërore, kulturore dhe atdhetare, duke ruajtur ndër shekuj shpirtin arbëresh, studiuan dhe u formuan personalitete të ndryshme kishtare dhe kulturore shqiptare, si: Jeronim De Rada, Markianò, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi e shumë të tjerë.