Projekti i rijetësimit është i rëndësishëm për Mozaikun e Tiranës.
Ministrja e Kulturës, Margariti, shprehet për rëndësinë e mozaikut, si një nga pikat turistike. “Mozaiku i Tiranës do të kthehet në një nga pikat më tërheqëse kulturore e turistike në kryeqytet”, – shkruan Margariti në një status.
Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit, që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj.
Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme. Brenda këtij kompleksi u zbuluan tre stela varresh të periudhës romake.
Gërmimet përforcuan mendimin se kemi të bëjmë me një vilë fshatare, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë e dhënë për transformimin në bazilikë paleokristiane të mbështetur nga autorët e gërmimit të parë të viteve ’70. Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin Mozaiku i Tiranës. Në vitin që lamë pas u bë me dije se me kërkesën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë dhe pas miratimit të projektit të hartuar nga DRTK dhe ASHA nisën sondazhet arkeologjike në dy trase përreth zonës së mozaikut, në anën perëndimore të tij.
Si rezultat i gërmimeve doli në dritë vazhdimi i mureve të ambienteve ndihmëse të vilës romake (fundi i shek. III – fillimi i shek. IV) që përdoreshin për fermentimin e verës e bashkë me të edhe një kanal i largimit të ujërave.