Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në Neës 24 ka komentuar situatën në kampin blu dhe zhvillimet më të fundit ditën e sotme atje. Nazarko u shpreh se kjo që po ndodh në Partinë Demokratike është demonstrimi i një akti force dhe lufte për pushtet, që mund të ishte zgjidhur në gjykatë.
Sipas tij Basha po përpiqet që t’i tregojë botës një fytyre jo elegante të Berishës dhe për këtë arsye ka vendosur kufizimet për hyrjen në seli, që do ta provokonin apo risillnin në mend shfaqje të ngjashme në historinë tonë moderne politike.
Më tej ai u shpreh se kjo situatë mund dhe duhet të zgjidhet me vendim të formës së prerë të gjykatës e cila mund edhe të kërkojë largimin e Bashës, por edhe t’i kërkojë Berishës të tërhiqet.
“Shpallja non grata e Berishës prej SHBA-ve, ka nxitur një proces që ka krijuar lëvizje dhe ka gjeneruar energji të re brenda PD: premtimet për role publike për mbështetësit nga Basha dhe Berisha, diçka normale në karrierë, kanë krijuar këtë energji. Por ka një fatalitet ama. PD po shkon nga një non grata jo publik si Basha, pas vendimeve për djegien e mandateve dhe kërcënimin për të shkatërruar zgjedhjet lokale, tek Berisha, një non grata i shpallur publikisht. Nuk po shoh mjerisht nga ana e zotit Basha nismimin e një procesi demokratizimi. Basha duhej ta shfrytëzonte momentin e fillimit të foltores për hapjen e partisë. Pjesa tragji-komike e kësaj lëvizje, që ju e quajtët demokratizuese, është se papritmas është Berisha që shfaqet në historinë moderne të Shqipërisë si bartësi solist i të mirave dhe të këqijave që i vijnë këtij vendi, në 1990; në 1997;1998; 2005;.2013; 2021. Ky protagonizëm i sotëm zbavit kronikanët politikë të gostitur me kafe në oborrin e PD-së, por ne mbajmë mend dhe ngjarjet e tjera të solistit. E gjitha kjo ndodh pse e djathta në këtë vend nuk ka dëshmuar aftësi për të gjeneruar figura të reja. Shpëtimin populli i djathtë është duke e parë midis një non grata të shpallur publikisht dhe një non grata jo të shpallur publikisht. Kjo është pjesa dramatike e asaj që po ndodh.
Kjo që pritet të shihet në selinë e PD është përmbyllja sipas zotit Berisha, e një procesi që duhet të kulmojë me një akt force, pas garës me kuvende, me referendume, me rreshtime degësh, etj. Berisha e kupton që ky akt është i domosdoshëm të kryhet sa më shpejt që ta përmbyllë këtë proces fuqizimi, që rezonon së brendshmi, por dhe së jashtmi kundrejt amerikanëve më së shumti. Kjo është një luftë për pushtet midis dy grupeve. Basha i cili në këto 8 vite ka qenë nën urdhrat e Berishës, ka arritur të krijojë e të kontrollojë megjithatë një fetë të rëndësishme deputetësh dhe përplasja që do të ndodhë pasnesër është një përplasje tipike pushteti. Në këtë luftë për pushtet, që nesër mund të jetë dhe fizike, Basha po përpiqet që përballë botës të tregojë një fytyrë jo elegante të Berishës. Për këtë arsye ka vendosur kufizimet e hyrjes së lirë brenda në seli që të detyrojë pjesën e dhunshme të kësaj lëvizje që të shpërfaqet. Është përpjekur të paralizojë këtë nervin agresiv duke denoncuar individë të caktuar, që të vërë në lëvizje edhe policinë ndaj tyre. Por policia me gjasë pritet të thirret, dhe nesër. Koha derisa me mjete teknike paqësore – si tha Berisha- të hapen dyert është një kohë e mjaftueshme që policia të ndërhyjë për të parandaluar dhunimin e godinës. Berisha e di fare mirë që këtë grackën qe Basha po i ngre për nesër, ndaj sot u shfaq i relaksuar, duke u përpjekur ta zbusë imazhin e tij me kafe dhe referenca të letërsisë klasike.
Folëm për rrafshin politik dhe policor të asaj që pritet të ndodhë, por ka edhe një rrafsh të tretë që po injorohet. Rrafshi juridik është i rëndësishëm dhe s’po flitet. Kushtetuta i ka dhënë liri partive politike për zhvillimin e veprimtarive të tyre si të duan. Ligji i partive politike thotë se për ndryshimet që bëhen në jetën e partive vlejnë këto dispozita që vlejnë për regjistrimin e një subjekti të ri. Ka një regjistër të partive në gjykatë, dhe gjykata do të duhet të vendosë për këtë konflikt mbi kuadrin normativ dhe mbi bazën e akteve që kanë ndërmarrë të dy palët. Mund të ndodhë që gjykata t’i thotë Bashës liro selinë dhe Berishës tërhiqu. Berisha nuk po pret që të veprojë gjykata, po bën vetë përmbaruesin. Unë mendoj që kjo çështje duhej të zgjidhet me gjykatë. Berisha ka treguar se nuk i njeh institucionet dhe kishte rastin që në këtë fazë të jetës së vet, të tregonte një tjetër fytyrë, ndonëse halli që ka, i imponon ngut. Duhet ta lavdërojmë për veprën individuale madhore që po kryen me përplasjen me SHBA-të, por ata që e ndjekin, duhet të mendojnë thellë”- tha ai.