Udhëtimi i Eneas nga Troja në Romë njihet dhe certifikohet nga Këshilli Evropës si itinerar kulturor. 5 vende, 21 ndalesa, 6 zona të mbrojtura nga UNESCO, ndër të cilat edhe Butrinti jonë.
Kjo njohje nga KiE përmbush shumë kritere dhe përmbajtje kulturore, duke konfirmuar në fund një identitet të përbashkët evropian për të gjitha vendet e kontinentit tonë, e mbi të gjitha ato vende të përfshira në trajektoren që Enea përshkoi për të mbërritur më në fund në Romës e sotme, të cilën e themeloi.
Itinerari që përcakton rrënjët e përbashkëta të popujve evropiane, përfshin vende arkeologjike dhe kulturore shumë të rëndësishme. Enea nisi udhëtimin nga Troja apo Ilios, vend i cili është në listën e UNESCO-s prej mëse 20 vitesh, që në vitin 1998. Trashëgimi UNESCO gjithashtu është edhe Delo, atdhe i perëndisë së Olimpit Apollo, ku ndodhet edhe tempulli i famshëm.
Në brigjet shqiptare itinerari ndalet në Butrint, tjetër zonë e përcaktuar e UNESCO-s. Itinerari vijon në Kartagjenë, qytet dëshmitar i dashurisë së pafat së Eneas me mbretëreshën Didonë, e më pas disa zona në Siçili e në zemër të Italisë edhe ku përfundon udhëtimi i tij. Në një ndër tokat e fundit të prekura në Itali, Cuma, do të mbahet edhe festivali ndërkombëtar “Itinerari i Eneas”, me takime, koncerte e opera teatrale.
Por në të ardhmen do të realizohet edhe një paketë për turizmin kulturor në rrugë detare, me barka me vela etj. Por për këtë vit, për shkak të Covid, kjo trajektore do të mbahet vetëm në Greqi dhe Itali, por për vitin 2023, itinerari thonë organizatorët, do të jetë i plotë, ku do përfshihen edhe Turqia, Shqipëria dhe Tunizia.