MENU
klinika

Pesë ditë në ishull...

Noli fotografuar teksa mbërrinte në Amerikë

06.01.2022 - 16:26

         Kjo është një fotografi e rrallë e Fan S. Nolit, udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës. Është bërë nga një gazetar më 21 tetor 1932, në bordin e anijes S.S. NeW York, kur ajo po i afrohej brigjeve amerikane. E kisha parë këtë foto të botuar me dimensione fare të vogla në gazetën ”Hayward Daily Review”, por më në fund gjeta origjinalin dhe tani e kemi me përmasa të plota.

Vini re tiparet karakteristike – vetullat e trasha e të harkuara, fytyrën vrarëlije dhe sidomos buzëqeshjen e zgjuar që ndriçon pamjen e përgjithshme të këtij njeriu të ditur.

Noli, ish-Kryeministër i Shqipërisë, vinte në Amerikë nga Hamburgu i Gjermanisë, por kaloi nëpër disa peripeci, për shkak se autoritetet amerikane dyshonin se ai ishte komunist. Noli u mbajt disa ditë në Ellis Island, ishulli nga ku aso kohe hynin imigrantët, shumë pranë ishullit tjetër Liberty, ku ndodhet Statuja e Lirisë.

Dy personalitete amerikane, miq të tij të dikurshëm të Harvardit, ndërhynë që Noli të lejohej të hynte në SHBA. Njëri prej tyre ishte kongresmeni Richard Wigglesworth, tjetri ishte Hamilton Holt, president i Kolegjit Rollins të Floridës. Holt i shkroi Sekretarit të Shtetit se Noli ishte një klerik i shquar dhe se ardhja e tij do t’i bënte një shërbim me vlerë Amerikës. Në Ellis Island u mblodh një komision i posaçëm për të shpejtuar procedurën e pranimit.

Megjithatë, Nolin e mbajtën në ishull plot pesë ditë. Thuhej se autoritetet kishin probleme me dokumentin e hyrjes, por më pas u mësua se ai ishte në rregull.

Fan Noli erdhi në Amerikë me premtimin se do të merrej vetëm me punët e kishës dhe jo me politikë. Ai mohoi se ishte komunist dhe menjëherë pas arritjes i deklaroi një gazete të Bostonit se dëshironte të bëhej shtetas amerikan. Noli e mori shtetësinë amerikane më 11 mars 1940.

Fan S. Noli kishte patur një jetë të pazakontë mes Evropës dhe Amerikës. Për herë të parë erdhi në SHBA në vitin 1906, u bë prift, themeloi kishën shqiptare dhe u diplomua nga Universiteti Harvard. U largua për në Evropë në fund të vitit 1912 dhe u kthye në Amerikë më 1915. Më 1920 shkoi përsëri në Shqipëri, ku u bë deputet dhe kryeministër. U rrëzua nga Ahmet Zogu në dhjetor 1924, u end nëpër Evropë 10 vjet me radhë, deri sa u vendos përfundimisht në SHBA. Vazhdoi të merrej me përkthime e me shkrime, të cilat i dhanë famë, ndoshta më shumë se sa punët e kishës dhe të politikës. Vdiq më 13 mars 1965. Çfarë jete!

 

(Gazetari i “Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi, postoi këtë foto të rrallë të Fan Nolit, në rrjetet sociale me shkrimin e mësipërm)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’