Publikohen pas 40 vjetësh, disa dokumente arkivore të një dosjeje voluminoze me materiale sekrete, si dhe dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982.
Aty është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.
Nga: Dashnor Kaloçi
Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.
Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Tepër sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982
Seanca e dytë
SHOKU REXHEP KOLLI: Atëherë unë i thashë: të gjithëve na përket patjetër, se Partia kërkon llogari po ka dhe përgjegjësi të veçantë në çështjen e kësaj pune. Mbi këtë bazë, unë në analizën e përgjithshme me kuadrot e kam kritikuar hapur Feçor Shehun, si njeri që monopolizoi punën, që mbante shumë kunguj në një sqetull, që i zvarriti dhe i lëshoi çështjet dhe jashtë kësaj.
Pikërisht pas kësaj kohe, siç thotë shoku Raqi, më dhanë për dy muaj Hetusinë në tërësi, por në vend që Feçor Shehu të përgjigjej para Partisë dhe të mbante përgjegjësi lidhur me komplotin e Beqir Ballukut, ai përkundrazi mori dhe drejtimin operativ dhe drejtimin e Hetuesisë për të gjithë komplotin, Kadri Hazbiu, jo vetëm nuk më kërkoi ndonjë mendim se çfarë thua ti dhe si kuadër i vjetër lidhur me çështjen e këtyre komplotistëve, por hodhi parullën që unë duhet të qarkulloja.
SHOQJA VITO KAPO: Pse nuk erdhe në Komitetin Qendror të thoshe për Feçorin?
SHOKU ENVER HALILI: Do ta pyes, shokun Rexhep, për një çështje të rëndësishme: Juve e dini vendimin e Byrosë Politike mbasi u krijua Hetuesia?
SHOKU REXHEP KOLLI: Po.
SHOKU ENVER HALILI: I dini dhe dy klauzolat e rëndësishme parimore të këtij vendimi të Byrosë Politike?
SHOKU REXHEP KOLLI: Po.
SHOKU ENVER HALILI: E para, që duhet kontrolli i prokurorit mbi veprimet hetimore, dhe e dyta, vartësi vetëm nga ministri i Punëve të Brendshme dhe në bazë vetëm nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit.
SHOKU REXHEP KOLLI: Po.
SHOKU ENVER HALILI: Dhe jo me qëllimin e punës konkrete, po me qëllimin administrativ. Pse ju këto shkelje nuk ia thatë Komitetit Qendror, se ti ishe zëvendësministër i parë dhe anëtar i Komitetit Qendror! Pse i lejuat këto shkelje?
SHOKU REXHEP KOLLI: Unë e mora Hetuesinë vetëm për disa muaj.
SHOKU ENVER HALILI: Edhe sikur të mos ta kishe Hetuesinë, ti ke përgjegjësinë si zëvendësministër i parë.
SHOKU REXHEP KOLLI: Kjo nuk më largon mua nga përgjegjësia në çështjen e saj sepse vendimi i Byrosë Politike ishte shumë i qartë që Hetuesia, pas unifikimit të saj, mbahej drejtpërdrejt në lidhje nga Ministria e Punëve të Brendshme.
SHOKU ENVER HALILI: Po ajo u shkel.
SHOKU REXHEP KOLLI: Po, u shkel.
SHOKU ENVER HALILI: U shkel me të dyja këmbët dhe ti atëherë ishe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me detyrën e zëvendësministrit.
SHOKU REXHEP KOLLI: Po, aty isha.
SHOKU ENVER HALILI: Pse e lejove?
SHOKU REXHEP KOLLI: Po pikërisht ja këtu qëndron dhe përgjegjësia ime.
SHOKU XHELIL GJONI: Na thoni, pse grindeshit ju me Feçor Shehun?
SHOKU REXHEP KOLLI: Unë zihesha për çështje pune, çështje parimore.
SHOKU XHELIL GJONI: Po të jeni zënë për çështje vije, do të thotë që këto probleme që ishin probleme të shkeljes së vijës nga Feçor Shehu, t’i kishit ngritur deri në Komitetin Qendror. Në qoftë se është ashtu, domethënë që ai i ka bërë shkeljet dhe ti i ke ngritur do të ishte mirë, po ti thua që nuk i ke ngritur!
SHOKU REXHEP KOLLI: Unë nuk kam shkuar mirë me Feçor Shehun jo për çështje personale, jo për çështje të vendit e të funksionit, po unë nuk kam shkuar mirë me Feçor Shehun, prandaj këtë desha t’i them dhe plenumit, që Kadri Hazbiu kishte dobësi për Feçor Shehun, që në një kohë kur duhej të merrte përgjegjësinë e tij, jo vetëm nuk mori përgjegjësi, po i dha frenat e komplotit, që i preu gjithë “kabllot”.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Përse s’ke shkuar mirë me Feçor Shehun? Na thuaj konkretisht me pika: një, dy, tre?
SHOKU REXHEP KOLLI: Unë nuk kam shkuar mirë me Feçor Shehun, për faktin se ai nuk i trajtonte mirë kuadrot, nuk komunikonte me ta, dhe e dyta, ai nuk merrte mendimin e njerëzve.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Përse nuk e merrte?
SHOKU REXHEP KOLLI: Nuk e merrte se mendonte që ai ishte specialist, po në fakt ishte prepotent e arrogant.
SHOKU VANGJEL ÇERAVA: Po me të gjithë kuadrot nuk shkonte ai?
SHOKU REXHEP KOLLI: Me mua dhe me disa kuadro të tjerë nuk shkonte.
SHOKU ANASTAS KONDO: Ju thoni për të se ishte arrogant?
SHOKU REXHEP KOLLI: Po.
SHOKU ANASTAS KONDO: Këto ia keni thënë atij në organizatën bazë? Po të ishte se i ishin thënë në organizatën bazë, prepotenca e arroganca nuk kishte ai si të qëndronte. Juve i keni thënë këto vetëm në muhabet dhe bile as në Komitetin Qendror nuk i kemi thënë, as në organizatën bazë.
SHOKU REXHEP KOLLI: Jo, vetëm në organizatën bazë, po është dëshmitar i gjithë efektivi i kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendshme, meqë unë e kam kritikuar për këto.
SHOKU ANASTAS KONDO: Se varet në ç’plan bëhet kritika.
SHOKU ENVER HOXHA: Unë kisha një pyetje, shoku Rexhep Kolli: Ti ke qenë një nga krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u kurdis një komplot i rrezikshëm për atdheun dhe për Partinë. Çmendon ti, ç’masa duhet të marrë Partia ndaj teje?
SHOKU REXHEP KOLLI: Ndaj meje?
SHOKU ENVER HOXHA: Po, ndaj teje, konkretisht.
SHOKU REXHEP KOLLI: Konkretisht mendoj që unë të hiqem nga Komiteti Qendror dhe të mbetem si anëtar partie, se kam punuar me ndershmëri.
SHOKU ENVER HOXHA: Jeni dakord me këtë propozim? Kush është dakord të ngrejë dorën (të gjithë shokët shprehen dakord).
Atëherë të punosh ndershmërisht, atje ku të të caktojnë.
SHOKU REXHEP KOLLI: Ndershmërisht do të punoj, shoku Enver. Ju siguroj juve, shoku Enver, Byronë Politike dhe Komitetin Qendror, se derisa të mbyll sytë, do ta mbroj Partinë, do të punoj ndershmërisht, e do të jem për vdekje besnik i Partisë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, dakord.
SHOKU JASHAR MENZELXHIU: Nuk na del e qartë dhe një çështje, shoku Enver, ajo puna e tankeve.
SHOKU REXHEP KOLLI: Më falni, shoku Enver, më falni, më leni kohë t’i dëgjoj edhe këta shokët e tjerë të udhëheqjes së Ministrisë, se janë dy anëtarë të Komitetit Qendror që kanë punuar kaq kohë me Feçor Shehun, sidomos në një kohë kur ai mori yrysh.
Punën time këtu në aparatin e Komitetit Qendror mund ta shikojë Partia, janë dokumentet, janë materialet. Edhe këta kanë përgjegjësi, se nuk u ngritën ndonjëherë t’i kundërviheshin Feçorit. Këta e dinë se si Kadri Hazbiu në mbledhjen e përgjithshme, mu drejtua mua, sikur isha ndonjë ushtar i padisiplinuar që ikën pa leje nga reparti dhe më tha: vjen ti nga Shkodra pa leje?
Unë iu përgjigja: Nga Shkodra pa leje nuk vij, unë vij pa leje vetëm kur vij në mbledhjen e Komitetit Qendror dhe s’kam pse të marr leje për këtë, sepse jam anëtar i Komitetit Qendror dhe ju këtë e dini.
Unë nuk dua të shfajësoj veten, po ndaj meje është bërë një luftë psikologjike e gjithanshme. Ndoshta shokët mundet të mos flasin, po ata e dinë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, këtë çështje po e mbajmë shënim, që shoku Hekuran të bisedojë me ty dhe me këta shokët.
SHOKU REXHEP KOLLI: Dakord, shoku Enver. Po mendoj se edhe shoku Raqi Iftica, edhe Agron Tafa kanë përgjegjësi.
SHOKU ENVER HOXHA: Dakord, dakord, (ikën shoku Rexhep Kolli).
SHOKU MITI NITO: Kam pyetje për shokun Veli.
SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu? Çfarë?
SHOKU MITI NITO: E para, si është puna e një arme zjarri në formën e një shkopi, bastuni, që është prodhuar posaçërisht për armikun Mehmet Shehu, deri kohët e fundit e ka mbajtur Veli Llakaj? Pse është prodhuar kjo armë dhe pse e ka mbajtur ai deri tani së fundi, pa njoftuar Partinë?
E dyta, ç’mund të thotë shoku Veli për teorinë famëkeqe të rrëshqitjes se për këtë çështje, me këtë temë, ai ka mbrojtur diplomën në Akademinë Ushtarake. Të na e shpjegojë ç’mendim ka ai për të?
SHOKU GAFURR ÇUÇI: Kam edhe unë pyetje për Veliun.
SHOKU ENVER HOXHA: Urdhëro, fol.
SHOKU GAFURR ÇUÇI: Në rishikimin që i kanë bërë planit operativ këto kohë, u gjetën shumë gabime. Ç’përgjegjësi mban Veli Llakaj si shef i Shtabit të Përgjithshëm? Pse i tha gabimet tani dhe nuk i tha më përpara?
E dyta, në interpretimin që i ka bërë vendimit të Këshillit të Mbrojtjes të vitit 1977, për ngritjen në alarm, armiku Mehmet Shehu dhe Veli Llakaj e kanë shtrembëruar atë dhe kanë lënë mënjanë Partinë, kur bëhet fjalë për ngritjen në alarm, bile në disa klauzola, kanë lënë mënjanë dhe vetë Komandantin e Përgjithshëm.
SHOKU ENVER HOXHA: Po. Ka tjetër pyetje për shokun Veli? (duan të ngrihen dhe shokë të tjerë, po shoku Enver thotë: dale se ka pyetje shoku Shefqet).
SHOKU SHEFQET PEÇI: Veli Llakaj ka pasur miqësi me Mehmet Shehun, prandaj ky duhet të na thotë për komplotin se deri ku i është hapur atij Mehmet Shehu, çfarë kontakte kanë pasur, ku janë hapur dhe cilët kanë qenë planet, çfarë duhet të bënte ky, si shef i Shtabit të Përgjithshëm që e vuri Mehmet Shehu.
Këtë e dimë dhe miqësinë që ka pasur me Mehmet Shehun e dimë, e kemi të qartë, vetëm të na thotë planet e Mehmet Shehut, ku i hapi e si i hapi. Të mos ia fshehë Partisë planet që kanë pasur, po t’ia thotë hapur, në qoftë se ka burrërinë të flasë hapur: Këto të thotë ky, se nuk ia pret kokën Partia.
SHOKU ENVER HOXHA: Dakord, mirë.
SHOKU LILI BULLARI: Unë dy pyetje kam: Në “artin ushtarak popullor” është futur tërheqja strategjike dhe, nga sa di unë, shoku Veli ka punuar për këtë. Atëherë lind pyetja: me porosi të kujt është futur aty, “tërheqja strategjike”?
Pyetjen e dytë, desha t’ia bëj dhe Kadri Hazbiut që më pare, po ndofta di shoku Veli të përgjigjet. Ç’dini ju për çelësin e kasafortës, pse u ngatërrua ai kur armiku Mehmet Shehu i ka dhënë detyrën e ministrit të Mbrojtjes, Kadri Hazbiut? Ai e ka shpjeguar në Fier para të gjithë kuadrove të Korpusit të Fierit dhe t’u drejtua ty që: “këtë e di dhe shoku Veli”. Si është çështja e çelësit dhe e dokumenteve “tepër sekrete” që mbaheshin në kasafortë? I është thënë udhëheqjes kjo?
SHOKU SULEJMAN BAHOLLI: Shoku Veli le të thotë këtu për ç’arsye ka lejuar ai si shef i Shtabit të Përgjithshëm, që alarmi në rrethin e Vlorës, të bëhet vazhdimisht pa dijeninë e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rrethit, po vetëm duke njoftuar nëpunësin e rojës? Ka rregullore, ka rregulla për këtë dhe sipas këtyre rregullave, duhet që sekretari i parë të njoftohet nga kush është dhënë urdhri bile dhe me dokument.
SHOKU ALI VUKATANA: Pas prodhimit të armës bastun që tha shoku Miti, nga sa kam marrë vesh unë, është prodhuar një armë tjetër po bastun, por më e perfeksionuar. Kur ai që e prodhoi i’a dha shokut Veli me kërkesën e këtij të fundit armën e parë, çfarë i tha Veliu atij. I tha të prodhonte një tjetër më të mirë se kjo, dhe më të perfeksionuar apo i tha: mos prodho tjetër.
E dyta që kisha unë: Kur u arrestua Arif Haskoja që ishte krushku i shokut Veli Llakaj, prita që ky të vinte të thoshte në Parti që u arrestua krushku i tij, po ai nuk erdhi që në moment, po erdhi pas 24 orëve dhe më tha për arrestimin. Lind pyetja: kaq vonë e mori vesh ai këtë ndodhi, dhe e mësoi nga komshinjtë?!